Dita 54: Zelensky: Beteja për Donbasin ka filluar

Banorëve në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, u është kërkuar të strehohen pas një serie sulmesh me raketa të hënën. Guvernatori ushtarak i rajonit Maksym Kozytskyy tha se kishte pasur katër sulme me raketa, megjithëse kryetari i qytetit paraprakisht kishte thënë se ishin pesë shpërthime. Autoritetet janë ende duke sqaruar detajet, tha kryebashkiaku Andrii Sadovyi. Ndërkohë, Moska ka pretenduar se ka marrë kontrollin e gjithë Mariupolit, ndërsa Ukraina e mohon. Një informacion i tillë nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur, transmeton Portalb.mk.

23:00 – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë “beteja për Donbas” tani është duke u zhvilluar

Komentet e tij pasojnë paralajmërimet nga zyrtarë të tjerë të lartë se Rusia ka filluar sulmin e saj të shumëpritur në rajonin lindor të hënën.

“Tani mund të konfirmojmë se trupat ruse kanë filluar betejën për Donbasin, të cilën ata e kanë përgatitur për një kohë të gjatë. Një pjesë e madhe e ushtrisë ruse tani i është përkushtuar kësaj ofensive”, ka thënë Zelensky

18:46 – Putini nderoi brigadën që Ukraina e akuzon për “krime lufte” në Buça

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, më 18 prill ka nderuar një brigadë, që Ukraina e akuzon për “krime lufte” dhe vrasje masive në qytetin e Buçës, që gjendet pranë Kievit.

Njoftimi për ndarjen e titullit ndaj kësaj brigade vjen në ditën e 54-të të pushtimit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, teksa vlerësohet se mijëra persona javë vrarë dhe 12 milionë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre. Lufta në Ukrainë është shndërruar në krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Putin nënshkroi dekretin për ndarjen e titullit “Mbrojtës” për Brigadën e 64-të të pushkëve të motorizuara për mbrojtjen “e atdheut dhe interesave të shtetit”. Në dekret pjesëtarët e kësaj brigade u lavdëruan për “heroizmin masiv dhe guximin si dhe këmbënguljen”.

Në fillim të prillit, Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës tha se kjo njësi kishte okupuar Buçën dhe kishte kryer “krime lufte”.

Drejtoria e Inteligjencës së Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes ka publikuar emrat, gradat dhe detajet e pasaportave të anëtarëve të kësaj brigade, duke thënë se ata do të përballen me drejtësinë.

Shumica e personave të vrarë në Buça kanë vdekur nga plagët me armë zjarri, tha policia ukrainase javën e kaluar.

Pas largimit të trupave ruse nga ky qytet, trupat e pajetë të banorëve u gjetën në rrugët e këtij qyteti, disa prej të cilëve kishin të lidhur duart pas shpine.

Kremlini ka mohuar akuzat se forcat ruse janë përgjegjëse për vrasjen e civilëve në Buça, duke thënë se imazhet e trupave të pajetë të civilëve, që janë publikuar, janë “të rreme”.

18:03 – Ukraina raportoi për bombardime të rënda në lindje

Zyrtarët ukrainas në rajonet e Kharkivit dhe Luhanskut kanë raportuar për bombardime të rënda nga forcat ruse të hënën, ndërsa kanë pranuar se është dashur të tërhiqen nga qyteti Kreminna, raporton CNN.

Kryetari i Kharkivit, Ihor Terekhov, ka thënë se qyteti është duke u bombarduar vazhdimisht. Ai ka akuzuar Rusinë se po bombardon komplekse banesore, ku ka civilë e po ashtu edhe spitalet.

“Ka të lënduar e të vdekur”, tha Terekhov.

16:10- Kryetari i Moskës: 200,000 vende pune në rrezik pas largimit të kompanive perëndimore

Rreth 200,000 persona rrezikojnë të humbasin vendin e tyre të punës në kryeqytetin rus, Moskë, për shkak se kompanitë perëndimore kanë pezulluar operacionet e tyre në Rusi për shkak të sanksioneve të vendosura për pushtimin e Ukrainës, tha kreu i qytetit, Sergei Sobyanin.

Javën e kaluar, autoritetet ruse miratuan një program prej 41 milionë dollarësh për të ndihmuar punësimin në Moskë. Ky program ka për qëllim të ofrojë trajnime dhe punë të përkohshme, tha Sobyanin përmes një postimi në blogun e tij.

Qindra kompani perëndimore kanë njoftuar se do të pezullojnë operacionet e tyre në Rusi pasi Perëndimi vendosi një sërë pakosh të sanksioneve kundër Moskës, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Sobyanin tha se programi i ri synon që të mbështesë mbi 58,000 persona që kanë humbur vendet e punës, pasi të njëjtit kanë punuar për kompani të huaja. Ai shtoi se 12,500 prej tyre do të trajnohen.

Kryetari i Moskës tha se punët që do të ofrohen do të përfshijnë punë publike siç janë disa organizata të qytete dhe të tjera.

Ekspertët parashikojnë se ndikimi më i madh ekonomik i sanksioneve perëndimore ende nuk është ndierë në Rusi dhe ata presin që Moska të futet në recesion të thellë.

16:00- Ukraina plotësoi pyetësorin për anëtarësimin në BE

Ukraina plotësoi një pyetësor i cili do të formojë një pikënisje për Bashkimin Evropian për të vendosur për anëtarësimin e Kievit, tha Ihor Zhovkva, nënkryetari i zyrës së Presidentit Volodymyr Zelenskiy.

“Sot, mund të them se dokumenti është kompletuar nga pala ukrainase. Komisioni Evropian do të duhet të nxjerrë një rekomandim për përputhjen e Ukrainës me kriteret e nevojshme të anëtarësimit. Ne presim që rekomandimi … të jetë pozitiv dhe atëherë topi do të jetë në anën e vendeve anëtare të BE-së.” i tha Zhovkva transmetuesit publik ukrainas të dielën në mbrëmje.

Zhovkva shtoi se Ukraina pret të marrë statusin e një vendi kandidat për anëtarësim në BE në qershor gjatë një takimi të planifikuar të Këshillit Evropian.

Këshilli Evropian do të takohet në datat 23-24 qershor, sipas planit të Këshillit në faqen e internetit.

“Më pas, do të na duhet të fillojmë bisedimet e pranimit. Dhe pasi t’i zhvillojmë ato bisedime, ne mund të flasim tashmë për anëtarësimin e plotë të Ukrainës në BE,” tha Zhovkva.

14:00- Ukraina thotë se janë vrarë 20.600 trupa ruse

Rreth 20.600 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt, theksoi sot ushtria ukrainase.

Forcat ukrainase kanë shkatërruar 167 avionë rusë, 147 helikopterë, 155 mjete ajrore pa pilot, 790 tanke, 2.041 automjete të blinduara dhe 381 sisteme artilerie, sipas përditësimit të fundit të Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Rreth 130 sisteme të shumëfishta raketahedhëse ruse, 1.487 automjete, 76 tanke karburanti, 67 sisteme kundërajrore dhe shtatë varka janë shkatërruar gjithashtu, shtoi ushtria ukrainase.

Së paktën 1.982 civilë janë vrarë dhe 2.651 janë plagosur në Ukrainë deri më tani në luftë, sipas vlerësimeve të OKB-së, kurse shifra e vërtetë besohet të jetë shumë më e lartë.

Më shumë se 4,8 milionë ukrainas janë arratisur në vende të tjera, ndërsa mbi 7 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.

13:30- Gazetarja ukrainase: Putin nuk dëshiron që bota të di se çfarë po ndodh në Ukrainë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk dëshiron që bota të dëgjojë të vërtetën për atë që po ndodh në Ukrainë, prandaj ushtarët rusë po vrasin gazetarët, tha Lyudmila Makey, gazetarja e parë ukrainase që është strehuar në Kosovë, teksa nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njoftuan se edhe tre gazetarë ukrainas kanë shprehur interesimin që të vijnë në Kosovë.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, ajo tha se të paktën 21 gazetarë në Ukrainë janë vrarë dhe 25 të tjerë janë të zhdukur në qytetin e Mariupolit, qëkur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

“Në Rusi lufta në Ukrainë quhet operacion i posaçëm ushtarak. Për Ukrainën kjo është tragjedi e madhe dhe gjenocid, për këtë arsye Putini nuk ka interes që bota të dëgjojë të vërtetën prandaj po vriten gazetarët. Rusët nuk shikojnë se ne na shkruan Press në xhaketat tona, por qëllimi i tyre fatkeqësisht” është që të vrasin gazetarët”, tha Makey.

Makey ka arritur në Kosovë më 17 prill, në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë”, program i iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës.

Ky progam në Kosovë zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Gazetarëve ukrainas do t’iu ofrohen të gjitha mundësitë për të ushtruar profesionin e tyre nga Kosova.

Gazetarja ukrainase përshkroi edhe ditën e 24 shkurtit, kur nisi pushtimi i Ukrainës, duke kujtuar se disa kohë më parë ajo kishte qenë në një koncert filarmonie, ku kishte dëgjuar muzikë të mirë dhe mëngjesin e 24 shkurtit ishte zgjuar me zhurmat e avionëve rusë që fluturonin mbi banesën e saj.

Ajo tha se e gjithë familja e saj është gjallë dhe gëzohet për mundësinë që të mund të vazhdojë punën e saj nga Kosova. Ndërkaq, tregoi po ashtu se familjarët e saj në Rusi nuk i kanë besuar se forcat ruse po sulmojnë Ukrainën, duke thënë se sulmet po kryen nga pala ukrainase.

Në mars, Qeveria e Kosovës tha se është e gatshme të strehojë 20 gazetarë ukrainas dhe për këtë ndau 150,000 euro.

Kosova po ashtu ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

12:00 – Ukraina: Për të dytën ditë me radhë nuk do të hapen korridore humanitare

Ukraina dhe Rusia kanë dështuar të pajtohen për hapjen e korridoreve humanitare më 18 prill.

Kjo është dita e dytë me radhë që korridore të tilla, që mundësojnë evakuimin e civilëve nga zonat e luftës në Ukrainë, nuk do të hapen, tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.

“Për shkaqe të sigurisë, ne kemi vendosur që sot të mos hapim korridore humanitare”, tha Vereshchuk përmes një postimi në Telegram.

Ky njoftim vjen teksa është raportuar për sulme ajrore në disa pjesë të Ukrainës, përfshirë edhe në Kiev dhe Lviv.

Rusia ka nisur pushtimin rus të Ukrainës më 24 shkurt dhe së fundmi ka thënë se do të përqendrojë operacionet e saj ushtarake në lindje të Ukrainës, por po kryen sulme ajrore edhe në pjesën perëndimore dhe jugore të vendit.

10:19 – Britania: Rezistenca e Mariupolit pengon përparimin rus në Ukrainë

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë tha se rrethimi i vazhdueshëm i qytetit-port të Mariupolit, në juglindje të Ukrainës, po i pengon dhe ngadalëson forcat ruse në përparimin e tyre, përpara një ofensive të madhe të planifikuar në Ukrainën lindore.

“Rezistenca ukrainase ka testuar ashpër forcat ruse dhe ka devijuar forcat dhe materialet, duke ngadalësuar përparimin e Rusisë gjetkë”, tha Ministria e Mbrojtjes në përditësimin e rregullt lidhur me luftën në Ukrainë.

Britania tha më 18 prill se “komandantët rusë do të shqetësohen për kohën që do t’iu duhet për të marrë” qytetin, ku ushtarët ukrainas ende po rezistojnë pavarësisht sulmeve intensive ruse.

Qyteti i Mariupolit përballur me sulme ruse për javë të tëra, që kanë shkaktuar numër “të konsiderueshëm” të viktimave dhe dëmeve në infrastrukturë.

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë akuzoi Rusinë se po përdor taktika të ngjashme të luftës gjithëpërfshirëse në zonat civile, siç kishte bërë në Çeçeni dhe Siri, pavarësisht se Moska kur nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt, tha se “Rusia nuk do të godiste qytete dhe as nuk do të kërcënonte popullatën ukrainase”.

10:14 – Zelenskyy: Bota duhet të reagojë ndaj asaj që pushtuesit po bëjnë në jug të Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se bota duhet të reagojë ndaj veprimeve të ushtrisë ruse në rajonet Kherson dhe Zaporozhye, në jug të vendit.

“Bota duhet të reagojë ndaj veprimeve të pushtuesve në rajonet Kherson dhe Zaporizhia në jug të Ukrainës”, tha Zelenskyy.

Siç tha ai, janë rrëmbyer disa personalitete të njohura të pushtetit lokal dhe drejtues të shoqatave të njohura. “Ndihma humanitare po vidhet”, theksoi Zelensky.

Duke theksuar se ushtria ruse po përgatitet për një sulm në lindje të vendit, Zelensky tha: “Literalisht, ata duan të shkatërrojnë Donbasin siç shkatërrojnë Mariupolin. Ata duan të fshijnë rajonet Donetsk dhe Luhansk nga faqja e dheut“, pretendon Zelensky.

Presidenti ukrainas theksoi se 18 persona u vranë dhe 106 u plagosën në katër ditët e fundit në qytetin e Kharkovit, i cili ishte nën bombardime të vazhdueshme.

Duke i përshkruar sulmet e ushtrisë ruse si “terror të vetëdijshëm”, Zelenskyy tha: “Sigurisht, nevoja për një embargo ndaj furnizimeve të naftës nga Rusia po rritet dita ditës. Tani të gjithë në Evropë dhe Amerikë kanë filluar ta shohin Rusinë hapur duke u përpjekur të destabilizojë shoqëritë perëndimore”.

Zelenskyy deklaroi se kanë pritur 53 ditë për armët që po kërkonin.

08:52 – Rusia bombardoi qytetet në mbarë Ukrainën

Autoritetet kanë raportuar për disa shpërthime në perëndim dhe lindje të Ukrainës më 18 prill, teksa forcat ruse pretendojnë se kanë kontrollin e plotë të qytetit-port të Mariupolit, që gjendet në jug të Ukrainës.

Pasi kanë dështuar të thyejnë rezistencën ukrainase në veri, ushtria ruse tani ka përqendruar ofensivën e saj në Donbas, në lindje të Ukrainës. Por, Moska po ashtu po kryen sulme ajrore edhe në pjesë të tjera të vendit, përfshirë edhe në kryeqytet, Kiev.

Mëngjesin e së hënës janë dëgjuar disa shpërthime në qytetin ukrainas të Lvivit, që besohet se janë shkaktuar nga sulmet me raketa.

Lvivi dhe pjesa tjetër e Ukrainës perëndimore kanë qenë më pak të prekura nga luftimet krahasuar me pjesë të tjera të vendit, qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Kryetari i Lvivit, Andriy Sadovyi, ka shkruar në Facebook se pesë raketa kanë goditur qytetin dhe se shërbimet e emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes. Por, ai nuk ka dhënë më shumë detaje.

Ndërkaq, guvernatori i këtij rajoni, Makysm Kozytskyi, tha se sipas “informacioneve paraprake”, të paktën katër raketa kanë goditur Lvivin.

“Qëndroni në strehimore”, porositi ai qytetarët e këtij rajoni përmes një postimi në Telegram.

Shpërthime janë raportuar edhe në rajonin jugor të Dipropetrovsk, por ende nuk ka informacione lidhur me viktimat apo dëmet e mundshme.

Njoftimet për sulme në Lviv dhe Dipropetrovsk vijnë teksa Rusia ka vazhduar sulmet në lindje të Ukrainës. Kievi, në anën tjetër, është është zotuar se do të “luftoj deri në fund” në qytetin strategjik të Mariupolit.

Teksa sulmet me raketa po vazhdojnë në pjesë të ndryshme të Ukrainës, presidenti i këtij shteti, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar ushtarët rusë se po kryejnë tortura dhe rrëmbime në zonat që kanë nën kontroll.

Nëse qyteti-port i Mariupolit bie nën kontrollin rus, atëherë kjo do t’i jepte Moskës fitoren më të madhe në luftë. Por, disa mijëra luftëtarë ukrainas, siç ka vlerësuar Rusia, janë bllokuar në fabrikën e çelikut, Azovstal, kompleksi i së cilës është prej 11 kilometrash katrorë.

“Ne do të luftojmë deri në fund për ta fituar këtë luftë”, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, gjatë një interviste për ABC. Ai tha se Ukraina është e përgatitur që t’i japë fund luftës përmes diplomacisë, nëse është e mundur, “por ne nuk kemi ndërmend të dorëzohemi”.

Ndërkaq, gjatë një adresimi në orët e vona të së dielës, presidenti ukrainas, Zelensky tha se pala ukrainase po bën gjithçka për të mbrojtur lindjen e vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button