Dita 33: Ukraina e gatshme të diskutojë statusin neutral – Abramoviç dhe negociatorët ukrainas dyshohet se janë helmuar

:Me bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës që do të zhvillohen në Turqi këtë javë, presidenti  ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka insistuar në integritetin territorial të vendit të tij, pasi më herët sugjeroi se ishte gati për një kompromis. Një zyrtar i lartë ukrainas tha se nuk pret ndonjë përparim të madh nga bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë, që pritet të mbahen në Turqi. “Nuk mendoj se do të ketë ndonjë përparim të madh në çështjet kryesore”, tha këshilltari i Ministrisë së Brendshme ukrainase, Vadym Denysenko. Ukraina akuzon Rusinë se ka zhvendosur me forcë mijëra civilë nga qyteti i shkatërruar në zonat e kontrolluara nga Rusia. Ndërkohë kjo e fundit ka mohuar çdo detyrim, por ka raportuar evakuime nën përcjelljen ruse. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se nuk ndihmon kurrë ndonjë evakuim të detyruar dhe ka mohuar çdo plan për të ndihmuar Rusinë të “filtroj” refugjatët ukrainas nga Mariupoli, transmeton Portalb.mk

19:19 – Abramovich dhe negociatorët ukrainas dyshohet se janë helmuar

Miliarderi i sanksionuar rus, Roman Abramovich dhe negociatorët ukrainas për paqe, janë përballur me pasoja të helmimit të dyshuar më herët gjatë këtij muaji, pas një takimi në Kiev, ka raportuar gazeta amerikane, Wall Street Journal më 28 mars, raporton REL.

Gazeta ka cituar burimet e saj, të afërta me këtë çështje, por pa përmendur emra.

Sipas saj, Abramovich, i cili ka pranuar kërkesën ukrainase për të ndihmuar në negociim të dhënies fund të pushtimit rus në Ukrainë, dhe të paktën dy pjesëtarë të lartë të ekipit ukrainas, janë prekur në helmimin e dyshuar.

Në mesin e simptomave kanë qenë: skuqja e syve dhe qërimi i lëkurës në fytyrë dhe duar, ka raportuar Wall Street Journal.

Abramovich, pronar i klubit anglez, Chelsea, dhe negociatorët ukrainas, përfshirë ligjvënësin tatar të Krimesë, Rustem Umerov, tani janë në gjendje stabile dhe jo në rrezik për jetën, ka thënë gazeta.

Një person i afërt me këtë çështje ka konfirmuar incidentin për agjencinë e lajmeve Reuters, mirëpo ka thënë se kjo gjë nuk e ka ndalur punën e Abramovichit.

Edhe grupi për hulumtime Bellingcat e ka konfirmuar incidentin.

“Bellingcat mund të konfirmojë se tre anëtarë të delegacionit në bisedimet për paqe, në mes të Ukrainës dhe Rusisë, të datës 3 dhe 4 mars 2022, janë përballur me simptoma si të helmimit me armë kimike. Në mesin e viktimave ka qenë sipërmarrësi, Roman Abramovich”, ka thënë grupi në Twitter.

Kremlini ka thënë se Abramovich ka luajtur rol në fillim të bisedimeve në mes të Rusisë dhe Ukrainës, mirëpo procesi tani është në duart e ekipeve negociatore.

Shtetet e Perëndimit kanë vendosur sanksione të pashembullta kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, duke përfshirë edhe oligarkët dhe individë tjerë në listën e sanksioneve.

Abramovich është në mesin e sanksionuarve nga Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

17:20 – Zelensky kërkoi paqe “pa vonesë” në bisedime

Ukraina mund të deklarojë neutralitet, potencialisht të pranojë një kompromis për zonat e kontestuara në lindje të vendit dhe t’i ofrojë garanci sigurie Rusisë për të siguruar paqen “pa vonesë”, tha presidenti Volodymyr Zelensky, para një raundi tjetër të planifikuar bisedimesh me Rusinë.

Ai shtoi se vetëm një takim ballë për ballë me liderin rus mund t’i japë fund luftës.

Derisa la të kuptohet për lëshime të mundshme, Zelensky theksoi gjithashtu se prioritet i Ukrainës është sigurimi i sovranitetit dhe “integritetit territorial” të saj dhe parandalimi i Rusisë nga ndarja e vendit – diçka për të cilën Ukraina dhe Perëndimi thonë se tani mund të jetë qëllimi i Moskës.

“Garancitë e sigurisë dhe neutraliteti, statusi jobërthamor i shtetit tonë – ne jemi gati të shkojmë me këtë”, tha Zelensky në një intervistë me mediat e pavarura ruse.

Ky qëndrim mund të krijojë një momentum për rifillimin e bisedimeve të paralajmruara për të martën.

Rusia ka kërkuar prej kohësh që Ukraina të heqë çdo shpresë për t’u bashkuar me aleancën perëndimore të NATO-s, të cilën Moska e sheh si një kërcënim.

Kremlini tha se bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës mund të zhvillohen në Turqi të martën, më 29 mars, dhe se sipas Moskës, është e rëndësishme që të ketë takime sy më sy, pasi siç tha ka pasur mungesë të përparimit në bisedime deri më tani.

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan, u pajtuan që Stambolli të ishte nikoqir i rundit të ri të bisedimeve, që Turqia shpreson se do të çojë në një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë.

Turqia tha se bisedimet mund të nisin të hënën, por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ka pak gjasa që negociatorët të arrijnë në Turqi të hënën.

13:47 – Ukraina akuzoi Rusinë se po përpiqet të ndajë vendin

Shefi i Shërbimit Sekret ushtarak të Ukrainës, Kyrylo Budanov, tha se beson se Rusia po përpiqet ta ndajë Ukrainën më dysh, sikurse ndodhi me Korenë e Veriut dhe atë të Jugut pas Luftës së Dytë Botërore.

“Okupatorët do të përpiqen t’i organizojnë territoret e pushtuara në një strukturë të vetme kinse shtetërore dhe ta vënë t’ia kundërvënë ato Ukrainës së pavarur,” tha Budanov në një deklaratë.

Ai shtoi se ushtria e Ukrainës do t’i zmbrapsë forcat ruse dhe do të përfshihet në një luftë “tërësisht” guerile për ta parandaluar një copëtim të vendit.

“Në fakt ka një përpjekje për të krijuar Korenë e Veriut dhe të Jugut në Ukrainë”, tha ai. “Sezoni i një lufte “tërësisht” guerile të ukrainasve do të fillojë së shpejti. Pastaj rusëve do t’u duhet të gjejnë skenarin përkatës se si të mbijetojnë.”

13:26 – Kremlini: Bisedimet Rusi-Ukrainë mund të nisin më 29 mars

Kremlini tha se bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës mund të zhvillohen në Turqi të martën, më 29 mars, dhe se sipas Moskës, është e rëndësishme që të ketë takime sy më sy, pasi siç tha ka pasur mungesë të përparimit në bisedime deri më tani.

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan, u pajtuan që Stambolli të ishte nikoqir i rundit të ri të bisedimeve, që Turqia shpreson se do të çojë në një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë.

Turqia tha se bisedimet mund të nisin të hënën, por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ka pak gjasa që negociatorët të arrijnë në Turqi të hënën.

“Përderisa ne nuk mund dhe nuk do të flasim për përparim në bisedime, fakti qëndron se takimet sy më sy janë të rëndësishme”, tha Peskov.

12:32 – Maqedonia e Veriut shpalli persona non grata pesë diplomatë rusë

Sot në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Jashtme është thirrur Ambasadori i Federatës Ruse në vend, Sergei Bazdnikin, të cilit i është dorëzuar notë diplomatike, me të cilën pesë diplomatë nga Ambasada e Federatës Ruse janë shpallur të padëshirueshëm në vend ose persona non grata.

“Sipas informacioneve që kemi marrë, punonjësit e përmendur të Ambasadës së Federatës Ruse kane kryer aktivitete në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike. Diplomatët rusë do të duhet të largohen nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në pesë ditët e ardhshme”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

11:36 – Turqia sërish mikpritëse e raundit të bisedimeve Rusi-Ukrainë

Delegacionet e Rusisë dhe të Ukrainës do të takohen përsëri në Turqi për bisedime të drejtpërdrejta, tha negociatori ukrainas David Arakhamia.

“Gjatë një raundi tjetër negociatash me video, u vendos që raundi tjetër i takimit të drejtpërdrejtë të të dy delegacioneve të zhvillohet në Turqi në datat 28-30 mars”, shkroi Arakhamia në Facebook.

Homologu i tij rus shkroi në Telegram se bisedimet do të zhvillohen të martën dhe të mërkurën.

Në Turqi ishin zhvilluar më parë (10.03) bisedime të nivelit të lartë midis ministrave të Jashtëm të Ukrainës dhe të Rusisë, të cilat përfunduan pa ndonjë përparim.

Njoftimi për takimin vjen pas dy javësh bisedime online dhe disa raunde bisedimesh të drejtpërdrejta, të cilat nga pala ukrainase janë cilësuar si “shumë të vështira”.

10:30 – Ukraina me ligj për kufizimin e shpërndarjes së informacioneve për ushtrinë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar ligjin që kufizon shpërndarjen e informacioneve lidhur me ushtrinë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, që aktualisht është në fuqi. Kushdo që e shkel këtë ligj mund të dënohet deri me 12 vjet burgim.

Sipas dokumentit, ndalohet incizimi i lëvizjeve të personelit ushtarak, vendeve të granatimeve, emrat e rrugëve, ndalesat rrugore, dyqanet dhe fabrikat e tjera civile dhe ushtarake, transmeton REL.

Ligji, që është nënshkruar nga presidenti Zelensky gjatë fundjavës, po ashtu ndalon publikimin e të dhënave lidhur me lëvizjen e ndihmës ushtarake nga shtetet e huaja.

10:27 – Kovaçevski bisedë telefonike me kryeministrin ukrainas: Jemi të gatshëm të strehojmë ukrainasit

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka biseduar dje me homologun e tij ukrainas, Denis Shmigal, të cilit i ka thënë se vendi është i gatshëm të pranojë qytetarët ukrainas nëse kërkojnë strehim të përkohshëm për shkak të agresionit rus në vendin e tyre.

“Ia përcolla se bashkëndjejmë me Ukrainën dhe në të njëjtën kohë admirojmë guximin me të cilin ukrainasit po mbrojnë lirinë e tyre dhe sovranitetin e vendit. I thashë kolegut tim Shmigal se Maqedonia e Veriut është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe NATO-s dhe është në koordinim të vazhdueshëm për të mbështetur Ukrainën. Jemi të gatshëm të pranojmë qytetarët e Ukrainës nëse ata kërkojnë strehim të përkohshëm në vendin tonë dhe jemi në kontakt për të gjitha aktivitetet e ardhshme për mbështetje dhe ndihmë. Kryeministri Shmigalj falënderoi në emër të qytetarëve të Ukrainës për mbështetjen dhe ndihmën e deritanishme”, njoftoi Kovaçevski.

09:53 – OKB: Të paktën 1.119 civilë kanë humbur jetën në Ukrainë

OKB-ja njoftoi se në luftën Rusi-Ukrainë të paktën 1.119 civilë kanë humbur jetën, 1.790 të tjerë janë plagosur ndërsa 3.821.049 refugjatë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje.

Në një deklaratë nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) janë ndarë të dhëna të marra nga burime ndryshme lidhur me krizën e refugjatëve në Ukrainë.

Sipas UNHCR-së, që nga data 24 shkurt deri më 26 mars gjithsej 3.821.049 refugjatë kaluan nga Ukraina në vendet fqinje, prej të cilëve më shumë se gjysma e tyre në Poloni.

Vendet fqinje ku ukrainasit kanë kaluar më shumë janë Polonia (2.267.103), Rumania (586.942), Moldavia (381.395), Hungaria (349.107) dhe Sllovakia (272.012). Në njoftimin e UNHCR-së po ashtu thuhet se për periudhën 21-23 shkurt nga rajonet Donetsk dhe Luhansk kanë kaluar në Rusi 50 mijë njerëz.

09:47 – Shtetet gjermane do të dënojnë përdorimin e simbolit “Z”

Disa shtete gjermane kanë njoftuar se përdorimi publik i simbolit “Z”, që po përdoret për të shprehur mbështetjen ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, do të ndëshkohet me ligj.

Senatorja Iris Spranger nga Berlini tha për gazetën Tagesspiegel se përdorimi i simbolit “Z”, që është parë në makinat ushtarake ruse, “natyrisht se do të thotë mbështetje e luftës së agresionit”.

Përdorimi i këtij simboli, sipas saj do të dënohet me ligj. Ajo iu referua një neni të Kodit Penal, që në rast se dikush e shkelë të njëjtin, mund të dënohet deri në tre vjet burgim apo të gjobitet.

Po ashtu Lower Saxony dhe Bavaria kanë njoftuar për dënime lidhur me përdorimin e këtij simboli.

“Ne nuk pranojmë miratimin e krimeve dhe shkeljeve të ligjit ndërkombëtar”, tha për Dpa ministri i Drejtësisë së Bavarisë, Georg Eisenreich.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button