Ukraina plotësoi pyetësorin për anëtarësimin në BE

Ukraina plotësoi një pyetësor i cili do të formojë një pikënisje për Bashkimin Evropian për të vendosur për anëtarësimin e Kievit, tha Ihor Zhovkva, nënkryetari i zyrës së Presidentit Volodymyr Zelenskiy, shkruan Reuters, transmeton Portalb.mk.

“Sot, mund të them se dokumenti është kompletuar nga pala ukrainase. Komisioni Evropian do të duhet të nxjerrë një rekomandim për përputhjen e Ukrainës me kriteret e nevojshme të anëtarësimit. Ne presim që rekomandimi … të jetë pozitiv dhe atëherë topi do të jetë në anën e vendeve anëtare të BE-së.” i tha Zhovkva transmetuesit publik ukrainas të dielën në mbrëmje.

Zhovkva shtoi se Ukraina pret të marrë statusin e një vendi kandidat për anëtarësim në BE në qershor gjatë një takimi të planifikuar të Këshillit Evropian.

Këshilli Evropian do të takohet në datat 23-24 qershor, sipas planit të Këshillit në faqen e internetit.

“Më pas, do të na duhet të fillojmë bisedimet e pranimit. Dhe pasi t’i zhvillojmë ato bisedime, ne mund të flasim tashmë për anëtarësimin e plotë të Ukrainës në BE,” tha Zhovkva.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ia dorëzoi pyetësorin Zelenskit gjatë vizitës së saj në Kiev më 8 prill, duke u zotuar për një fillim më të shpejtë të ofertës së Ukrainës për t’u bërë anëtare e BE-së pas pushtimit rus të vendit.

Ndryshe, sot është dita e 54 e pushtimit të Ukrainës nga Rusia i cili filloi me 24 shkurt të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button