Një shtrirje e thellë letrare-eseistike në romanin “Gurë mbi Kala” të autorit Ismail Arsllani

Një prurje e re në prozën shqipe, me mjaft elokuencë, pedanteri dhe stil të veçantë, vjen këtyre ditëve nga publicisti, romansieri dhe gazetari i mirënjohur tetovar, Ismail Arsllani, me titull “Gurë mbi Kala”.

Zeqir Kadriu
Prof. Dr. Zeqir Kadriu                        (Shef i Katedrës së Gjuhës e letërsisë shqipe, (UEJL-Tetovë)

Pas një përvoje disavjeçare në publicistikë, autori Ismail Arsllani, pas veprave: “Distinktivi tetovar”, “Përthyerjet politike”, “Viktimat e monizmit”, “Tetova në dosjen e kohës”, “Pushtetarët e mjegullnajës”, si dhe me përmbledhjen e tregimeve: ”Rrëfime nga Kthina”, pastaj me romanin “Misionari i Kasabasë”, monografinë ”Figura të ndritura”, së fundmi, prezantohet me një roman, që dukshëm dallohet për nga profesionalizmi, stili, gjuha dhe kronologjia e mbarështimit prozaik të ngjarjes, dëshmohet se është njohës i thellë i mentalitetit të popullit të vet dhe ndodhive që lidhen me fillimshekullin XX, të shkuarjes së Perandorisë Osmane nga trojet ballkanike dhe fillimin e një etape të re të pavarësimit të këtyre viseve.

Ismail Arsllani, përmes romanit të tij, “Gurë mbi Kala”, pasqyron të vërtetën e hidhur në Kasabanë e strukur të luginës së Pollogut; në versionin e thënë shpesh nga vetë ai: ”Kasabaja nën vreshtat me rrush të zi” e menaxhuar (asokohe), nga njëri ndër pashallarët më të rreptë të Kazasë, i quajtur Tahsin Pasha, e që sipas vetë autorit do të jetë pashai i fundit në Kazanë e kësaj ane, i cili është edhe protagonisti kryesor i veprës që merr vendimin e madh për ndërtimin e një fortifikate mbi kodrinën e Kasabasë, që mistifikon fortesën më sublime të fuqisë perandorake të ndërtuar mbi shkëmbin guror, prej nga, me gjasë, është qyteti i Tetovës, si në pëllëmbë të dorës.

Romani fillon me një prolog për Shefki Beun, për të cilin autori thotë: “Shefki Beu ishte një njeri i ditur dhe i dalluar ndër njerëz, me stilin e veshjes dhe sjelljes në shoqëri bejlerësh e agallarësh, i cili, një kohë bukur të mirë të jetës kaloi mjedis librash, madje kaloi një kohë edhe në hierarkinë e pashait. Atë ditë i pëlqeu tepër shumë një pjesë e librit, të cilin e kishte zgjedhur për lexim nga biblioteka e tij e pasur”; përmes së cilës të mahnit rrjedha dhe kronologjia e shkrimit që pasqyron vetë brendinë e ngjarjes. Personazhet kryesorë: Malësor Deda, Selman Samarxhiu, Tahsin Pashai, Rrona (e dashuruar në Durakun), Azra, një vajzë e punësuar në repartin qilimpërpunues të Nusret Beut, pastaj edhe të Durakut, Nasuf Kajmekami, (arka) e Kazasë, Mulla Haxhi ef. Jonuzi, Sheh Sadik Efendiu, (baba i Teqesë), Rrona, e dashura e Durakut, Dreni vagabond e të tjerë, e bëjnë që ky roman të gërshetojë rrjedhshëm shumë ngjarje të rëndësishme të asaj periudhe perandorake, që ndërtojnë edhe vetë skeletin e romanit; me ç’rast e bën ngjarjen përmes interpretimit aq të qartë, si në teatër; përmes personazheve, por edhe aq të kuptueshëm për lexuesin; të mbarështuar aq bukur dhe të radhitur me një strukturë prozaike, me vlera të qarta të prozës moderne e bashkëkohore.

I vetëdijshëm për gjithë këtë ndërmarrje prozaike; autori Ismail Arsllani, ngrihet si një figurë krijuese në letërsinë e sotme bashkëkohore me vlera të mirëfillta, dhe shpalos ngjarje reale të së kaluarës historike në këtë trevë të kasabasë së dikurshme te këmbët e Sharrit plak, i cili ruan kujtimet e asaj kohe përmes relikteve, të cilat edhe sot e kësaj dite i shohim syhapur te Kalaja mbi vetull të Tetovës, te rrjedha e lumit Shkumbin, te vreshtat me rrush të zi e gjetiu.

Autori, i vetëdijshëm për gjithë këtë, frymëzimin e ka gjetur dhe e ka pasqyruar në këtë roman, duke ruajtur me fisnikëri çdo detaj që sot e ndjejnë dhe e mbajnë mend gjeneratat më të vjetra, si një dëshmi që i përket të së shkuarës, por që ka lënë gjurmë edhe tek e tashmja.

Pa hyrë në shumë detaje, lexuesin e lë pa frymë, vdekja tragjike e Malësor Dedës, i cili është ndër personazhet më të trajtuar nga vetë autori, që të lë edhe më tej të mendosh, se sa e vështirë ka qenë jeta e asaj periudhe osmane që kishte të ndara klasat njerëzore; në njërën anë bejlerë e agallarë, e, në anën tjetër, çetat e mëdha rrogëtarësh, të cilët bënin punët më të vështira për ta mbajtur gjallë vetëm shpirtin e tyre e jo edhe të familjarëve.

Ngjaja e cila trajtohet në roman, të mëson njëkohësisht edhe për peripecitë e shumta dhe luftën e ashpër që bëhet në familjet e bejlerëve; pronarë të prodhimit të qilimave për të trashëguar pasurinë e veçanërisht, në momentet kur ndodh tragjedia pas arratisjes së Durakut (kinse i vdekur) dhe babait të tij, i cili vdes papritmas nga pikëllimi për humbjen e të birit. Ngjarje të tilla e rrëqethin lexuesin, duke pritur narracionin e përfundimit të ngjarjes në mes të dy protagonistëve, të cilët edhe e përmbyllin tërësisht ngjarjen në roman; pra në mes të Rronës dhe Durakut, të cilët e bëjnë edhe përfundimin e kapitullit të fundit të syzheut romanesk. Ngjarjen e karakterizon edhe ndërtimi i punëve tek Kalaja mbi shkëmb dhe zbulimi i thesarit të madh që e ndërlidh autori me një mjeshtri profesionale.

Gjuha dhe stili i shkrimtarit është gërshetuar përgjatë gjithë mbarështimit të romanit, me një formë të butë letrare dhe të kuptueshme për gjithsecilin lexues. Si e tillë ajo të tërheq e të bën për vete, në çdo moment, me një qartësi që e lehtëson mënyrën e të kuptuarit të ngjarjes; andaj nuk është aspak e vështirë edhe në rastet kur autori i romanit përdor edhe orientalizma të shumtë, për ta bërë më interesante ngjarjen e të folmes së asaj kohe, por edhe për t’i përdorur, aty ku ka nevojë, metaforat dhe sintagmat e shumta që me aq mjeshtri stilistikore i vë në funksion, si një mjeshtër i mirë.

Në shumë segmente zënë vend edhe fjalët dhe shprehjet e bukura, orientale, nga Kazaja e Tetovës si: çartaqejf, lëbyrje, kërlesh, metelik, akçe, tepetaklla, taraba, nigjah, çakshir, mereqep, mëllezë, drizë, qarrucë, hynqar, përkresë, dritësore, pazarllëk, jelek, kambrik, jelpeze, yzengji, hamashtër etj., të cilat aty-këtu edhe sot i dëgjojmë në të folmet popullore të rajonit të Pollogut e më gjerë. Togfjalësha të shumtë frazeologjikë që e karakterizojnë prozën e Ismail Arsllanit, për të cilën shpresoj se do të lë mbresa çdo lexuesi që di të bëjë dallimin në mes shkrimit prozaik të tij dhe autorëve të tjerë, të cilët krijojnë në Maqedoninë e Veriut. Mesazhi i autorit, në fund fare, është shumë i qartë – jeta dhe vdekja ecin në një binarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button