Ka katër muaj që nuk punohet në OHIS, do të prolongohet afati për pastrimin e lindanit nga deponia e vogël

Pas një pauze katër mujore këtë javë pritet që të rifillojë pastrimi i deponisë së vogël të lindanit në OHIS. Ndërprerja e pastrimit të mbeturinave të rrezikshme ka ndodhur për shkak të zhvillimit të tenderit për përzgjedhjen e kompanisë që do të kryejë punimet në terren, në të cilin sërish është zgjedhur kompania greke Polieko, që paraprakisht pastroi dy pjesët e tjera të deponisë. Po punohet edhe për miratimin e planit për remediim për miratimin e të cilit nga komisioni qeveritar, siç bëjnë me dije nga Ministria e Mjedisit Jetësor, për momentin pritet mendim nga Ministria së Shëndetësisë dhe ajo e Financave, shkruan Meta.mk.

“Pastrimi i pjesës së tretë ende nuk ka filluar. Miratimi i planit të remediimit për këtë pjesë të deponisë është në procedurë qeveritare, kështu që pritet që pastrimi të vazhdojë pas pushimeve të festave”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Përveç tenderit për përzgjedhjen e realizuesit, i cili zgjati nga gushti deri në dhjetor të vitit të kaluar e kur u zgjodh Polieko, arsye e pjesshme e zvarritjes së procedurës janë ndryshimet në ligjin për mjedisin jetësor, në pjesën që ka të bëjë me menaxhimin e lokacioneve të kontaminuara. Me to për herë të parë parashikohet që planet e remediimit të miratohen nga një komision qeveritar, ndërkohë që më parë kjo procedurë kryhej në kuadër të Ministrisë së Mjedisit Jetësor.

Në projektin që filloi saktësisht një vit më parë, për tetë muaj u pastruan dy pjesë të deponisë të mbushura me mbeturina të delta izomerit të lindanit, ndërsa mbeten për t’u pastruar edhe dy të tjera. Në periudhën e kaluar janë eksportuar 960 ton mbeturina të HCH dhe 92 ton tokë e kontaminuar me HCH. Në oborrin e OHIS-it ka edhe dy kontejnerë të tjerë me 34 ton tokë të kontaminuar me HCH, të cilët do të dërgohen për asgjësim nga mesi i muajit të ardhshëm.

Para një viti ministri i atëhershëm i mjedisit jetësor, Naser Nuredini, parashikoi se pastrimi i deponisë së vogël me lindan do përfundojë deri në fund të këtij viti. Megjithatë, ndërprerja disa mujore e punimeve në terren pritet që ta prolongojë afatin e paralajmëruar për përfundimin e punimeve në deponinë e vogël.

“Pastrimi i pjesës së tretë të deponisë së vogël është parashikuar të përfundojë në gjysmën e dytë të shtatorit të këtij viti. E njëjta procedurë me përzgjedhjen e realizuesit dhe miratimin e planit të remediimit do të vijojë edhe për pjesën e katërt, ndaj ka gjasa që pastrimi të prolongohet”, thonë nga Ministria.

Ndërkohë, theksojnë ata, në OHIS është blerë dhe magazinuar pajisje e re dhe janë përgatitur fuçitë në të cilat do të paketohen pesticidet dhe toka e kontaminuar që do të transportohen në destinacionet përfundimtare për shkatërrim në Francë dhe Gjermani. Pastrimi i deponisë së vogël deri në përfundimin e plotë të projektit do të menaxhohet nga UNOPS, me para nga Fondi Multi-Partner për Mjedisin Jetësor i i formuar enkas për pastrimin e kontaminimit në rrethin e OHIS-it.

Pesticidi i rrezikshëm në OHIS ruhet në mënyrë jo të duhur në dy deponi në zonën e fabrikës dhe pak muaj më parë u vërtetua se ekziston edhe një e tretë, jashtë zonës së fabrikës, në zonën e Pelenicës afër Draçevës. Deponia më e re përmban disa lloje të mbeturinave të rrezikshme, rreth 40.000 ton HCH të pastër dhe 6.500 ton të tjera të përzier, së bashku me mbeturina nga fabrika e qelqit. Sipas analizave në disa pika matëse në vend, përqendrime të larta të HCH u zbuluan në shtresën e sipërme të tokës, në një thellësi prej më pak se 20 centimetra, ndërsa lindan i pastër u gjet në një thellësi prej vetëm gjysmë metri.

Reparti i lindanit në fabrikë ka funksionuar nga viti 1964 deri në vitin 1977, kur u mbyll për arsye ekologjike. Gjatë kësaj periudhe janë prodhuar rreth 2.800 ton lindan që rezultoi me rreth 25.000 ton izomere joaktive, të cilat janë hedhur në mënyrë joadekuate dhe ende përbëjnë rrezik për ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës. Lindani është vërtetuar në ajër duke filluar nga Qendra e deri në Gjorçe Petrov, dhe sipas analizave të fundit të perimeve të kultivuara në afërsi të fabrikës, nga nëntë mostra, tek tre janë vërtetuar përqendrime më të larta të izomerit alfa. Deri pak kohë më parë në OHIS ruheshin 64 tonë dhjetëra kimikate të tjera të rrezikshme, të cilat për dy vite me gjithsej shtatë eksporte të mbeturinave kimike, u eksportuan për asgjësim në më shumë shtete.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button