Festa e robërve të “1 Majit”!

Rob, në kuptimin e robërisë, zbatimit dhe qëndrimit në urdhrat e dikujt tjetër, kufizim i lirisë, humbje e të drejtave që gëzojnë njerëzit e lirë, e një jete të dinjitetshme. Rob i frikësuar, qesh kur qesh pronari, mrrolet kur mrrolet pronari, njeri pa dinjitet, njërës pa dinjitet. Robër që festojnë “1 Majin”  ashtu si e duan pronarët, pushtetet dhe sindikatat e kontrolluara nga pushtetet. Robër festues së betejave e fitoreve të huaja në simbolikën e “1 Majit”, të atyre punëtorëve të dinjitetshëm nëpër botë, me paga dhe kushte të kënaqshme pune.

Kështu i rigjeti punëtorët “1 Maji” i vitit 2023 në Maqedoninë e Veriut, robër që nuk hetojnë as prangat e veta, prangat e padrejtësisë. Robër të një sistemi mjaftueshëm të korruptuar, të djeshëm dhe të sotshëm, mjaftueshëm të padrejtë për të ngritur punëtori zërin dhe dorën e revoltës. Megjithatë, nuk ka revoltë, nuk ka pakënaqësi, nuk ka opozitë të pushteteve, andej dhe këndej përkatësive etnike, ngase opozitat dëshmojnë vazhdimisht robërinë personale e klanore, dhe në varësi të rrethanave të karriges pushtetare, recitojnë  poezitë retorike, të pro dhe kundër qeverive.

Sindikatat e punëtorëve janë njësuar me sistemin e interesave vetjake e klanore të pushteteve, edhe atëherë kur punëtorit i mungojnë kushtet esenciale në punë, pagat e pamjaftueshme të mbijetesës. Mungon revolta serioze, ka vetëm demagogji sindikale. Demagogji edhe kur funksionarëve ju dyfishohen pagat në krizë ekonomike dhe inflacioni të rendë. Asgjë nuk ndodh, robërit festojnë mjerimin. Vërtet funksionarët meritojnë paga më të larta, por të tjerët, shumica, edhe më shumë, është shtresa e mbijetesës.

Partitë politike, shoqëria civile, këto si gjeneratorët e robërisë sonë (se s’ka si të shpjegohet ndryshe), me mekanizmin makiavelist të uljes në karrige, ndryshojnë dhe fshehin të vërtetën, sa herë tju jepet mundësia. Lajkatarë e metodave të padenja, për karrige pushteti, sot dhe nesër. E që te mos e përgjithësojmë padrejtësisht, qeverisjet dhe opozitat nuk janë gjithmonë të njëjta, nuk është e gjitha e keqe, nuk është gjithmonë e keqe, dëshpërimisht në vendin tonë, me nuanca ndryshimi, por për të cilat ne zgjedhim dhe kërkohet të zgjedhim, që të bëhemi sa më pak robër, që i tundim në festime 1 Maji, prangat e robërisë, si të ishin byzylykë prej ari, byzylykë begatie!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button