Vështirësitë e sektorit të IT-së në Maqedoni të Veriut dhe mundësitë për përparim
Sektori i IT-së në Maqedoninë e Veriut dhe rëndësia e tij në ekonomi
Shpeshherë, industrisë së Teknologjisë së Informacionit (IT) i atribuohet roli i një “motori” për zhvillimin ekonomik dhe modernizimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë së vendit. Një sektor i zhvilluar i IT-së është i njohur për kontributin e tij në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë.
Sektori i teknologjisë së informacionit (IT) është një nga sektorët me rritje më të shpejtë në Maqedoninë e Veriut, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe ndihmuar në modernizimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë. Industria e IT-së në Maqedoninë e Veriut është duke u zhvilluar me shpejtësi dhe po bëhet një pjesë e rëndësishme e ekonomisë së vendit, duke krijuar punë dhe rritje ekonomike.
Sektori i IT-së në Maqedoninë e Veriut është rritur me shpejtësi në vitet e fundit, me një numër të madh të start-up-eve që kanë filluar të ndërtojnë biznese të suksesshme në këtë fushë. Ky sektor po shihet si një mundësi e rëndësishme për të rritur ekonominë e vendit dhe për të siguruar punësim për të rinjtë e arsimuar në fushën e teknologjisë së informacionit.
Kjo mund të vërehet edhe në lajmet e shumë portaleve për punëtorët më të paguar në vend, si dhe në të dhënat zyrtare të Fondit për Punësim.
Hedhja e një vizioni të ri: Zhvillimi i industria e IT-së në Maqedoni pa u mbështetur vetëm te outsourcing
Kompanitë e IT-së në Maqedoninë e Veriut ofrojnë shërbime të ndryshme IT për tregjet ndërkombëtare, duke përfshirë zhvillimin e softuerit, dizajnin web, testimin e aplikacioneve, konsulencën e IT-së, dhe shumë të tjera. Eksporti i këtyre shërbimeve ka kontribuar në rritjen e eksporteve të vendit dhe në diversifikimin e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut.
Për momentin, shumica e kompanive IT në Maqedoni janë të fokusuar në Outsourcing, duke përdorur një model të caktuar të punës ku personeli i talentuar në sektor jepet me qira për kompanitë jashtë shtetit me një çmim shumë më të ulët krahasuar me vendin ku ata punojnë. Megjithatë, vlera e njëjtë e punës së kryer është shumë më e lartë në vendin tonë, duke krijuar një metodë “WIN-WIN”. Edhe pse kjo formë e bashkëpunimit është e kënaqshme për të gjithë palët, si kompanitë e jashtme, kompanitë e vendit që janë ndërmjetësues, punëtorët dhe shteti, kjo nuk garanton një të ardhme të qëndrueshme për tre palët e fundit të kësaj katërshe. Do të përpiqem më poshtë të arsyetoj këtë mendim tim.
Të dhënat (informacioni) janë një pjesë kyçe e këtij sektori dhe si pjesëmarrës në këtë sektor, duhet të mbështetem në të dhënat e qarta që na tregojnë rrugën e duhur për të fokusuar si shtet dhe shoqëri. Kjo mund të vërehet duke analizuar kompanitë më të vlefshme në njërën nga ekonomitë më të fortë në botë, SHBA. 5 kompanitë më të vlefshme janë të gjitha në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe kanë arritur këtë sukses nëpërmjet produkteve të tyre dhe jo me outsourcing.
- Apple
- Microsoft
- Amazon
- Alphabet (Google)
Vendet që janë më të zhvilluara në Outsourcing në sektorin e IT janë India, Brazili, Bangladeshi dhe nga Europa Ukraina dhe Polonia të gjitha këta vende janë me resurse njerëzore shumë të mëdha se ne ndërsa fuqia punëtore mund të themi se është e përafërt. Ajo që na bën neve më të favorshëm nga vendet e Azisë dhe Amerikës Latine është orari i punës dhe kultura e përafërt evropiane, mirëpo duke e pa trendin e rritjes së rrogave dhe standardit shumë shpejt do ta humbim prioritetin pasi që për kompanitë e mëdha përsëri si pikë kryesore është çmimi i lirë dhe kjo paraqet një rrezik qe nuk duhet të anashkalohet.
Çfarë duhet të bëjmë është të analizojmë historitë e suksesit të vendeve të ngjashme me ne dhe të përsosim mënyrën se si kanë arritur sukses. Sipas analizës sime, mendoj se për nga pozita gjeografike vendi qe duhet të marrim shembull është Rumania, ndërsa për nga madhësia dhe resurset njerëzore Estonia, të dyja këta vende kanë arritur të nxjerrin në treg kompani Unicorn (kompanitë që arrijnë vlerën e 1 miliardë $ pa pjesëmarrje në Bursa), sukses qe nuk mund ta shohim për momentin në asnjë vend në Ballkan.
Identifikimi i sfidave dhe vështirësive kryesore që ballafaqon sektori i IT-së në Maqedoninë e Veriut
Duke u bazuar në përvojën time 5-vjeçare në sektorin e IT-së në Maqedoninë e Veriut dhe përvojës 9-vjeçare si një ish-asistent në një universitet publik në Maqedoni, mungesa e specialistëve të aftë është një problem kryesor në këtë sektor. Unë e shoh sistemin arsimor në përgjithësi dhe universitetet në veçanti si fajtor kryesor.
Në vazhdim, do të paraqes një argumentim të detajuar për të mbështetur këtë pikëpamje.
Një nga arsyet kryesore është që plan-programet e ofruara nga universitetet janë shumë të vjetra në krahasim me kërkesën aktuale të tregut të punës në fushën e IT-së. Fusha e teknologjisë së informacionit është një nga fushat me zhvillime më të shpejta, ku teknologjitë dhe metodologjitë zhvillohen çdo ditë. Megjithatë, universitetet shpesh herë nuk arrin të përditësojnë kurrikulat e tyre në përputhje me këto ndryshime të shpejta, duke ofruar kështu njohuri të vjetra dhe jo të përshtatshme për tregun e punës.
Një problem tjetër është se profesorët dhe stafi akademik shpesh nuk arrijnë të mbahen në të njëjtën linjë me zhvillimet e reja në fushën e IT-së. Teknologjitë dhe metodologjitë vazhdimisht ndryshojnë dhe azhurnohen, por shumë profesorë mbetën të fokusuar në njohuritë e tyre të vjetra dhe nuk arrijnë të kthehen në ndryshimet e fundit në industrinë e IT-së. Kjo mund të rezultojë në një ndërthurje të ndjeshme midis përvojës akademike dhe kërkesave të aktualizuara të tregut të punës, duke bërë që studentët të mos jenë të gatshëm për sfidat e vërteta të botës së punës pas përfundimit të studimeve.
Gjithashtu, periudha e studimit në shkencat kompjuterike është e bazuar kryesisht në teori, duke i dhënë studentëve njohuri teorike të thella, por jo përvojë praktike të mjaftueshme. Ky është një problem, pasi shumë kompani kërkojnë praktikantë të aftë që kanë një përvojë të vërtetë pune përpara se të punojnë si të diplomuar. Kjo bën që të rinjtë që kanë përfunduar studimet e tyre të ndihen të pamjaftueshëm dhe të pakualifikuar për t’u përfshirë në tregun e punës, duke u detyruar të fillojnë nga fillimi si praktik.
Një aspekt tjetër i problematikës është se, megjithëse kompanitë e IT-së po përpiqen të zgjidhin këtë problem duke krijuar programe interne të trajnimit për të rinjtë, mirëpo me një konkurrencë të lartë në tregun e punës ndërkombëtar, shumë punëtorë të rinj të trajnuar nga kompanitë vendase zgjedhin të largohen dhe të aplikojnë për vende të punës në kompani të mëdha të zhvilluara evropiane, duke krijuar një humbje të madhe të investimeve të bëra nga kompanitë vendase për trajnimin e tyre.
Për ta përmbyllur ketë temë të shqyrtuar me një ide se si mund të zgjidhet kjo problematik, mendoj se përveç që do te duhet një reformim komplet i sistemi arsimor ne vend që jam i vetëdijshëm që është i rënd për tu realizuar, do te duhet të mendohen dhe realizohen mekanizma subvencionues ku kompanitë vendase në një far mënyre do te shpërblehen për mundin e dhënë dhe gjithashtu do t’ju ofrohet një mundësi e mirë për konkurrim me kompani ndërkombëtare, me një mekanizëm të tillë përsëri do të zbatohet metoda WIN-WIN, pasi të rinjtë do të qëndrojnë në vend ndërsa kompanitë do të mund të risin stafin profesional ose të mbajnë atë aktual.