Të gjashtë kandidatët e paraqitur hyjnë në garë për rektorin e ri të UKM-së
Sipas aplikimeve të dorëzuara, në garë zgjedhore pjesëmarrës për rektor të ri të UKM-së do të jenë gjashtë kandidatët :
- Biljana Angelova nga Instituti Ekonomik;
- Goran Ajdinski nga Fakulteti Filozofik;
- Ratko Duev nga Fakulteti Filozofik;
- Atanas Koçov nga Fakulteti i makinerisë;
- Hristina Spasevska nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjive Informative (FIETI) dhe
- Dimitar Tashkovski nga Fakulteti i Elektroteknikës dhe Teknologjisë Informative (FIET).
Kryetari i Komisionit, prof. Dr. Rodna Zhivkovska për MIA-n tha se në takimin e djeshëm kanë përcaktuar listën prej gjashtë kandidatëve dhe se të gjashtë aplikantët kanë dorëzuar gjithçka që është e nevojshme për të marrë pjesë në garën për zgjedhjen e rektorit të ri të UKM-së, i cili do ta kryejë funksionin gjatë mandatit prej 16 shtator 2023 deri më 15 shtator 2026, transmeton Portalb.mk.
“Kemi konstatuar se të gjithë kanë dorëzuar pëlqimin për komunikim (kontakt), se kanë aplikim, kanë program, të dhëna biografike, njësi bibliografike, përzgjedhje për profesor të rregullt dhe shtetësi të Maqedonisë”, tha Zhivkovska.
Ndryshe, sipas orarit, afati për kundërshtime ishte paraparë të zgjaste deri më 9 maj, por duke pasur parasysh se kandidaturat e të gjashtë aplikantëve janë pranuar, nuk pritet asnjë kundërshtim.
Më 10 maj, programet e punës dhe biografitë e kandidatëve duhet të publikohen në ueb faqen e Universitetit (ukim.edu.mk).
Votimi i fakulteteve dhe instituteve në kuadër të UKM-së do të bëhet më 30 maj, kur pritet të zgjidhet rektori i ri i Universitetit të Shkupit. Ai duhet ta pasojë këtë aktualin, prof. Dr. Nikolla Jankullovski nga Fakulteti i Mjekësisë, i cili shërbeu si rektor për dy mandate.