Dita 48: Shërbimi sekret i Ukrainës arrestoi një aleat kryesor të Putinit

Ukraina kërkoi më shumë armë nga Perëndimi për ta ndihmuar atë t’i jepte fund rrethimit të Mariupolit dhe të shmangte një ofensivë të pritshme ruse në lindje, pasi u shfaqën më shumë raporte për përdhunim dhe brutalitet kundër civilëve ukrainas nga forcat ruse. Këta të fundit janë tërhequr nga zonat përreth Kievit, por kanë lënë jetë të plagosura tellë që mund të mos shërohen kurrë nga trauma. BBC ka dëgjuar dëshmi dhe ka gjetur prova të përdhunimit të grave ukrainase nga ushtarët pushtues. Megjithatë, Moska nga ana tjetër, i ka hedhur poshtë këto akuza si të pavërteta, transmeton Portalb.mk.

22:39 – Shërbimi sekret i Ukrainës arrestoi një aleat kryesor të Putinit

Shërbimet e sigurisë të Ukrainës njoftuan të martën se kanë arrestuar politikanin pro-rus Viktor Medvedchuk, i cili është aleati më i afërt dhe më me influencë në Ukrainë i Presidentit rus Vladimir Putin.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy kishte publikuar më herët një fotografi të zotit Medvedchuk, në pranga dhe me pamje të lodhur. Ai ka thënë më parë se Presidenti Putin është kumbar i vajzës së tij.

Në muajin shkurt, Kievi kishte njoftuar se zoti Medvedchuk, udhëheqës i partisë Platforma e Opozitës për Jetën, ishte arratisur nga arresti në shtëpi. Vitin e kaluar, autoritetet ukrainase kishin çelur një çështje penale për tradhëti ndaj zotit Medvedchuk, i cili e mohon akuzën.

“Mund të jesh një politikan pro-rus dhe të punosh për shtetin agresor për vite. Mund edhe t’i fshihesh rishtazi drejtësisë. Mund edhe të vishesh me uniformë ukrainase për t’u kamufluar”, shkruanin shërbimet e sigurisë në një postim në internet.

“Por, a mund t’ju ndihmojë t’i shpëtoni ndëshkimit? Jo, aspak! Prangat ju presin dhe po kështu i presin edhe tradhtarët e tjerë të Ukrainës”.

Postimi citonte kreun e shërbimeve sekrete, Ivan Bakanov, të ketë thënë se operativët “kishin ndërmarrë një operacion të shpejtë dhe të rrezikshëm me shumë etapa” për të arrestuar zotin Medvedchuk, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

Muajin e kaluar, Presidenti Zelenskiy shpalli pezullimin e funksionimit të partisë Platforma e Opozitës për Jetën, e cila është lëvizja më e madhe opozitare në Ukrainë, si dhe disa parti të tjera më të vogla që mbajnë lidhje me Rusinë.

Një zëdhënës për zotin Medvedchuk nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

18:32 – Në Mariupol është hedhur një substancë helmuese, alarmojnë autoritetet ukrainase

Autoritetet në Ukrainë po hetojnë rreth një pretendimi se në qytetin e Mariupolit është hedhur një substancë helmuese. Ky zhvillim pason paralajmërimet që zyrtarët perëndimorë bënë të martën se përdorimi i armëve kimike nga Rusia do të ishte një përshkallëzim serioz i luftës tashmë shkatërruese.

Pasi hasi pengesa në arritjen e ambicies së tij të qartë për të pushtuar kryeqytetin ukrainas, Presidenti rus Vladimir Putin tashmë po grumbullon forcat për një ofensivë të re në rajonin lindor të vendit, në Donbas. Ai këmbënguli të martën se fushata e tij do të vazhdojë derisa të arrijë qëllimet e saj. Zoti Putin tha se Rusia nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të niste atë që ai e quan “një operacion special ushtarak” duke shtuar se ajo synonte të mbronte civilët në Donbas, një rajon kryesisht rusishtfolës.

Ndërsa forcat ukrainase po përgatiten për një sulm të ri, zëvendësministrja e Mbrojtjes Hanna Maliar tha se ishte e mundur në Mariupol të ishin përdorur municione, që përmbanin fosfor, të cilat shkaktojnë djegie të rënda, por që nuk klasifikohen si armë kimike. Qyteti shtrihet në rajonin e Donbasit dhe për gjashtë javë ka qenë objekt i goditjeve të forta nga trupat ruse që sikurse tha kryebashkiaku i tij, kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 10,000 civilëve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të hënën ne mbrëmje se forcat ruse mund të kenë përdorur armë kimike në qytet, duke i bërë jehonë paralajmërimeve të ngjashme, të përsëritura nga zyrtarët perëndimorë. Po kështu udhëheqës si brenda ashtu edhe jashtë vendit thanë se po hetonin me urgjencë pretendimet e pakonfirmuara nga një regjiment ushtarak ukrainas, se ndaj luftëtarëve në Mariupol ishte përdorur një substancë helmuese.

Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss tha se përdorimi i armëve kimike do të ishte një përshkallëzim i mëtejshëm i konflikt ndërsa ministrja e Jashtme australiane Marise Payne tha se do të ishte një shkelje në shkallë të gjerë e ligjit ndërkombëtar.

Përballë rezistencës së ashpër nga forcat ukrainase, të përforcuar nga armët perëndimore, trupat ruse janë mbështetur gjithnjë e më shumë në bombardimin e qyteteve, duke rrafshuar shumë zona urbane dhe duke lënë mijëra njerëz të vdekur. Në zona të tjera ata janë tërhequr për t’u riorganizuar.

Tërheqja e tyre nga qytetet dhe qytezat përreth kryeqytetit, Kievit, çoi në zbulimin e një numri të madh civilësh të masakruar, çka nxiti një zemërim të gjerë ndërkombëtar dhe akuza ndaj Moskës se po kryen krime lufte në Ukrainë.

Lufta ka detyruar më shumë se 10 milionë ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre, gati dy të tretat e të cilëve fëmijë.

Megjithatë, ekziston frika për akte mizore edhe më të gjera në ditët në vazhdim, mes shenjave se ushtria ruse po përgatitet për një ofensivë të madhe në Donbas. Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes foli të hënën për një autokolonë të gjatë ruse që po udhëtonte drejt qytetit lindor të Izyumit, mbështetur nga forca të artilerisë, aviacionit e këmbësorisë.

Gjatë një vizite në Lindjen e Largët të Rusisë zoti Putin këmbënguli se operacioni ushtarak do të triumfonte dhe se fuqitë e huaja nuk do të kishin sukses në izolimin e Rusisë.

Ai tha se ekonomia dhe sistemi financiar i Rusisë i kanë rezistuar goditjes nga sanksionet perëndimore dhe pretendoi se ato do të jepnin rezultatin e kundërt duke çuar në mungesën e artikujve ushqimorë e rritje të flukseve të migracionit në Perëndim.

Donbasi është goditur rëndë nga luftimet mes separatistëve aleatë të Rusisë dhe forcave ukrainase që nga viti 2014, dhe Rusia ka njohur pretendimet e separatistëve për pavarësi. Ekspertët ushtarakë thonë se udhëheqësit rusë duket se shpresojnë se mbështetja lokale, logjistika dhe terreni në rajon favorizojnë ushtrinë më të madhe dhe më të armatosur të Rusisë, duke u dhënë trupave të saj mundësinë të ndryshojnë rrjedhën e zhvillimeve në favor të tyre.

Duke folur mbi një betejë që po ndodhte rreth një fabrike çeliku në Mariupol, një zyrtar separatist, aleat i Rusisë, u duk se nxiti përdorimin e armëve kimike të hënën, duke thënë në televizionin shtetëror rus se forcat separatiste duhet ta merrnin nën kontroll fabrikën duke bllokuar fillimisht të gjitha daljet.

Por Eduard Basurin u citua nga agjencia e lajmeve Interfax të martën të ketë thënë se forcat separatiste nuk kanë përdorur asnjë armë kimike në Mariupol.

Ishte regjimenti ukrainas që mbronte fabrikën që pretendoi se një dron kishte hedhur një substancë helmuese në qytet, por shtoi se nuk bëhej fjalë për lëndime serioze. Pohimi i Regjimentit të Azovit, një grup i ekstremit të djathtë tashmë pjesë e ushtrisë ukrainase, nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Zonja Truss tha se Mbretëria e Bashkuar po punonte urgjentisht për të hetuar rreth njoftimeve, ndërsa zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha në një deklaratë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të konfirmonin këtë njoftim.

Por zoti Kirby vuri në dukje shqetësimet e vazhdueshme të administratës mbi potencialin e Rusisë për të përdorur në Ukrainë një sërë substancash, përfshirë gazin lotsjellës të përzier me agjentë kimikë. Britania, ndërkohë, ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë bomba fosfori, përdorimi i të cilave në zonat civile është i ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar, në Mariupol.

Ky qytet është ndeshur me disa nga sulmet më të rënda që kanë shkaktuar vuajtje tek popullata civile. Nga ana tjetër sulmet tokësore, detare dhe ajrore nga forcat ruse që luftojnë për të marrë kontrollin e Mariupolit, e kanë kufizuar gjithnjë e më shumë mundësinë për të marrë informacion rreth asaj që po ndodh brenda qytetit.

17:00 – Forcat ruse po djegin trupat për të fshehur krimet, alarmoi kryetari i Mariupolit

Kryetari i qytetit port të Ukrainës, Mariupol, thotë se më shumë se 10 mijë civilë kanë vdekur që kur forcat ruse rrethuan qytetin. Por, ai shton se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë sa dyfishi i kësaj shifre. Vadym Boychenko akuzoi forcat ruse për djegien e trupave të të vrarëve, në përpjekje për të fshehur dëshmitë e krimeve.

Duke folur me telefon për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, kryebashkiaku i Mariupolit Vadym Boychenko tha se rrugët e qytetit janë të mbushura me kufoma, si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të forcave ruse nga toka, uji dhe ajri.

“Mijëra viktima ngelën në rrugë, nuk kishim mundësi t’i largonim sepse forcat ruse kishin hyrë në qytet dhe lufta urbane kishte filluar. Nuk kishte siguri dhe ishte e pamundur”, thotë ai.

Kryebashkiaku foli nga një pjesë e territorit që kontrollohet nga Ukraina, jashtë Mariupolit. Ai tha se forcat ruse sollën në qytet krematoriume mobile për të djegur trupat e të vrarëve dhe zhdukur dëshmitë e krimeve.

Zoti Boychenko shtoi se informacionet për këto pretendime i ka konfirmuar nga disa burime, por nuk dha më shumë hollësi.

“Tani e kuptojmë arsyen pse pjesa e pushtuar e qytetit nga ushtria ruse është e mbyllur. Ata po mbledhin trupat në përpjekje për të fshehur dëshmitë e krimeve. Tani e dimë pse nuk lejuan hyrjen e asnjë misioni humanitar. Ata nuk donin të tregonin se çfarë kanë bërë. Mijëra banorë janë vrarë nëpër rrugët e qytetit tonë”, shpjegon zoti Boychenko.

Fuqitë perëndimore thonë se forcat ruse po rigrupohen për një sulmi të ri në rajonet lindore të Ukrainës. Qyteti juglindor i Mariupolit ka përjetuar disa nga sulmet më të rënda dhe humbjet më të mëdha mes civilëve në luftën gjashtëjavore. Sulmet e vazhdueshme të forcave ruse kanë vështirësuar grumbullimin e informacioneve mbi gjendjen reale brenda qytetit.

Autoritetet lokale thonë se më shumë se 10 mijë civilë kanë humbur jetën që nga fillimi i luftimeve, por shifra e vërtetë besohet se mund të jetë shumë më e lartë.

14:45- Polonia arrestoi një rus nën akuza për spiunazh

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Polonisë tha se ka arrestuar një shtetas rus nën dyshimet se është përfshirë në mbledhjen e informacioneve të njësive të ushtrisë polake, për furnizimet e tyre dhe për stafin ushtarak, në bazë të kërkesës së inteligjencës ruse.

Zyra e Prokurorit në qytetin verior polak të Gdanskut, tha më 12 prill se të dyshuarit, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej tre muajsh, duke mos dhënë më shumë detaje.

Stanislaw Zarin, zëdhënës i shërbimeve të inteligjencës, tha se i dyshuari është arrestuar më 6 prill dhe përballet me dhjetë vjet burgim nëse gjendet fajtor për spiunazh.

Sipas ueb-faqes Portal Samorzadowy, i dyshuari që 18 vjet ka jetuar në Poloni dhe ka në pronësi një biznes.

14:15- Ukraina po heton raportimet për sulm me armë kimike

Ukraina ka thënë se është duke analizuar raportimet se Rusia mund të ketë përdorur armë kimike në kohën e luftimeve të ashpra në qytetin e Mariupolit.

Mbretëria e Bashkuar ka paralajmëruar se do të “përgjigjet” nëse informacioni për armët kimike rezulton të jetë i vërtetë.

Rusia ka hedhur poshtë akuzat, të cilat vijnë pas paralajmërimeve serioze nga shtetet e Perëndimit për përdorim potencial të armëve kimike apo atyre bërthamore në luftën në Ukrainë.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes në Ukrainë, Hanna Malyar, ka thënë se autoritetet ushtarake janë duke hetuar pretendimet në Mariupol se një numër i paspecifikuar i njerëzve janë përballur me probleme të frymëmarrjes dhe ato neurologjike, pas një sulmi me dron.

“Ka teori se këto mund të jenë municione me fosfor”, ka thënë Malyar në një intervistë televizive më 12 prill.

“Informacioni zyrtar do të pasojë më vonë”.

Fosfori nuk konsiderohet armë kimike, mirëpo armë ndezëse e cila shkakton djegie të rënda.

Nuk është ilegale që ushtritë të përdorin fosfor, ndonëse shënjestrimi i civilëve me çfarëdo arme ndalohet me Konventën e Gjenevës.

Agjencia e lajmeve, Interfax ka raportuar më 12 prill se forcat separatiste pro-ruse në rajon, po ashtu kanë mohuar përdorimin e armëve kimike.

Komentet e Malyarit kanë ardhur një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë një paralajmërim se zyrtarët janë duke e trajtuar “me shumë seriozitet” shqetësimin se Rusia mund të përdorë armë kimike.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby ka thënë më 11 prill se Uashingtoni është në dijeni për raportimet, mirëpo nuk mund t’i konfirmojë ato.

Qyteti i Mariupolit është tejet i rëndësishëm për Rusinë, pasi kontrollimi i tij do të mund të lidhte zonat e kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Moska në lindje të Ukrainës bashkë me Krimenë, të cilën Rusia e ka aneksuar nga Ukraina më 2014.

13:19 – Mbi katër milionë fëmijë ukrainas kanë braktisur shtëpitë

Gati dy të tretat e fëmijëve ukrainas kanë ikur nga shtëpitë e tyre prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë gjashtë javë më parë, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) më 12 prill.

Kombet e Bashkuara kanë verifikuar vdekjet e 142 të rinjve, ndonëse kanë paralajmëruar se shifrat e sakta mund të jenë shumë më të larta.

Manuel Fontaine, drejtor i programit për emergjenca në UNICEF, i cili sapo është kthyer nga Ukraina, ka thënë se largimi i 4.8 milionë fëmijëve ukrainas nga shtëpitë e tyre në një kohë kaq të shkurtër, është diçka që ai nuk e ka parë në 31 vjetët e tij në punën humanitare.

“Nga 3.2 milionë fëmijë që vlerësohet se kanë mbetur në shtëpitë e tyre, gati gjysma e tyre mund të mos kenë mjaftueshëm ushqim”, ka thënë Fontaine për Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ai ka paralajmëruar se situata është më e rëndë në qytetet Mariupol dhe Herson, ku nuk ka as ujë, dhe furnizimet me ushqim dhe ilaçe janë penguar.

Më 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar atë që e konsideron “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

12:11 – Rusia pretendon se po përgatiten provokime të reja në Ukrainë

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë deklaroi të hënën se po përgatiten provokime të reja në rajonin Sumy të Ukrainës, që synojnë të njollosin Forcat e Armatosura Ruse..

Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Mikhail Mizintsev, kreu i Qendrës së Menaxhimit të Mbrojtjes Kombëtare të Rusisë, tha se trupat e ukrainasve po tërhiqen zvarrë në bodrumin e një prej ndërtesave të banimit në fshatin Nizhnyaya Syrovatka, të cilat do të paraqiten si “viktima të ushtrisë ruse”.

Sipas Mizintsev, xhirimet janë duke u drejtuar nga instruktorët britanikë që punojnë në Ukrainë.

“Skenari i ‘regjisorëve’ britanikë sugjeron se njësitë e ushtrisë ruse vranë civilë dhe u tallën me ta gjatë tërheqjes. Ky falsifikim do të promovohet nga mediat perëndimore në të ardhmen shumë të afërt. Qëllimi i tij është të përshkallëzojë më tej rusofobinë kundër sfondit të krizës ekonomike që po zhvillohet me shpejtësi në Evropë”, tha ai.

Mizintsev vuri në dukje se ushtarakët rusë u larguan nga vendbanimi më 20 mars dhe nëse diçka si ajo që po planifikohet nga inteligjenca ukrainase do të ndodhte, ajo do të bëhej shpejt publike.

“Ju lutemi vini re se trupat ruse u tërhoqën nga ky vendbanim tre javë më parë, më 20 mars. Ngjarje të tilla, nëse do të ndodhnin vërtet, nuk mund të mos bëheshin publike gjatë një periudhe kaq të gjatë. Për më tepër, regjimi i Kievit po kërkon ndonjë arsye për të akuzuar Rusinë për gjenocid të ukrainasve”, tha ai.

10:02 – Moska hodhi poshtë dyshimet për dhunime në Ukrainë

Ukraina i ka bërë thirrje Perëndimit për më shumë armë, si ndihmë për t’i dhënë fund rrethimit të qytetit të Mariupolit, si dhe që të shmangë një ofensivë ruse në lindje.

 

Ndërkohë janë shtuar raportimet për dhunime dhe brutalitet kundër civilëve ukrainas dhe dyshohet se përgjegjëse janë forcat ruse.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë të hënën vonë se Rusia mund t’iu kthehet armëve kimike teksa mbledh trupat ushtarake në rajonin lindor të Donbasit për një tjetër sulm në qytetin e Mariupolit, ku besohet se mijëra persona kanë vdekur si pasojë e rrethimit gati shtatëjavor.

“Kur është fjala për armë të domosdoshme, ne ende varemi nga furnizimet, nga partnerët tanë. Fatkeqësisht ne nuk po marrim aq sa na duhet për t’i dhënë fund kësaj lufte më shpejt… në veçanti për t’i dhënë fund bllokadës në Mariupol”, ka thënë ai.

Lideri i parë i Bashkimit Evropian që është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, prej kur ky i fundit ka nisur atë që e quan “operacion special ushtarak”, kancelari austriak, Karl Nehammer, ka thënë të hënën, 11 prill se ofensiva në lindje është “duke u përgatitur në shkallë masive”.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me Putinin në Moskë.

Pas humbjeve të mëdha dhe tërheqjes së forcave nga lagjet e Kievit, Rusia është koncentruar në Donbas, ku kërkon që Ukraina t’ua lë kontrollon luftëtarëve separatistë.

Marrja e kontrollit të Mariupolit do t’i mundësonte Moskës që të tentonte të rrethonte forcat kryesore ukrainase në lindje.

Largimi i forcave ruse nga rajoni i Kievit ka vënë në pah dyshimet për krime lufte, duke përfshirë ekzekutime dhe dhunim të civilëve.

Moska hedh poshtë akuzat duke i konsideruar ato provokime ukrainase dhe perëndimore, si dhe ka akuzuar forcat ukrainase për dhunë seksuale.

Një zyrtare e lartë e Kombeve të Bashkuara, Sima Bahous, i ka thënë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se ndonëse të gjitha dyshimet duhet të hetohen në mënyrë të pavarur, “brutaliteti i shpërfaqur kundër civilëve ukrainas ka ngritur të gjithë flamujt e kuq”.

“Ne jemi duke dëgjuar në vazhdimësi për dhunime dhe dhunë seksuale”, ka thënë ajo.

Kateryna Cherepakha, presidente e grupit të drejta të njeriut La Strada-Ukraine, ka thënë para Këshillit të Sigurimit se “ne e dimë dhe e shohim – dhe duam që ju të dëgjoni zërat tanë – që dhunimet janë duke u përdorur si armë lufte nga pushtuesit rusë në Ukrainë”.

Zëvendësambasadori rus në Kombet e Bashkuara ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka akuzuar Ukrainën dhe aleatët e saj “për synimet e qarta që të prezantojnë ushtarët rusë si sadistë dhe dhunues”.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se Qeveria e Ukrainës është duke u udhëzuar nga Shtetet e Bashkuara si të prezantojë të dhëna të rreme për dhunën e ushtarëve rusë ndaj civilëve, pavarësisht atyre që Ministria i ka konsideruar “masa të pashembullta për të shpëtuar civilët”.

“Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë shumë vite përvojë në organizim të provokimeve me viktima njerëzore, vazhdojnë fushatën e tyre për të krijuar dhe promovuar ‘të dhëna’ të rreme”, ka thënë Ministria.

Presioni i SHBA-së

Putin pritet të takohet me liderin bjellorus Aleksandr Lukashenka të martën, 12 prill, për të diskutuar situatën në Ukrainë dhe sanksionet e Perëndimit, kanë raportuar agjencitë e lajmeve në Rusi dhe Bjellorusi.

Bjellorusia është vend kyç për forcat ruse.

Shtetet e Bashkuara kanë synuar të rrisin presonin ndaj Putinit, përmes ndalesave në gazin dhe naftën ruse, ashtu që ai të tërheqë trupat e tij nga Ukraina.

Mirëpo fuqitë botërore, përfshirë Kinën dhe Indinë nuk kanë vënë sanksione kundër Rusisë.

E joshur nga zbritjet, India ka blerë më shumë naftë të papërpunuar nga Rusia, prej nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt, sesa gjithë vitin e kaluar, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Në një video-lidhje, presidenti amerikan, Joe Biden i ka thënë kryeministri indian, Narendra Modi “shumë qartë se nuk është në interesin e tyre” që të rritet varësia nga energjia ruse, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Në një pjesë të shkurtër të bisedës, e cila është bërë publike për gazetarët, Modi ka thënë se ka propozuar në bisedimet e fundit me Rusinë që Putin dhe Zelensky të zhvillojnë negociata direkte.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se Moska nuk do të ndalojë luftimet për çfarëdo rundi të ri të bisedimeve për paqe.

Bisedimet e fundit të këtij formati janë mbajtur më 1 prill.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë se bombardimet ruse po vazhdojnë në Donbas, mirëpo forcat ukrainase kanë zmbrapsur disa sulme dhe kanë shkatërruar tanke, pajisje dhe artileri ruse.

Guvernatori i rajonit lindor, Luhansk, ka thënë në një paraqitje televizive se bombardimet janë duke u shtuar çdo ditë dhe u ka bërë thirrje civilëve që të evakuohen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button