Dita 38: Rusët tërhiqen, por lënë prapa minat, rinisin përpjekjet për të evakuuar civilët nga Mariupoli

Luftimet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës tashmë janë zhvendosur edhe në territorin e Rusisë, pas disa sulmeve të ushtruara në disa pjesë të Rusisë, të mohuara nga ushtria ukrainase. Ndërkohë, negociatat për përfundimin e luftës vazhdojnë, por pa ndonjë rezultat konkret. Dëmet e luftës vazhdojnë të rriten, po regjistrohen vdekje të njerëzve, vende të shkatërruara, ndërsa qytetarët që po ikin nga vendet e tyre, po kërkojnë jetë më të mirë në vendet perëndimore. Deri tani mbi katër milionë qytetarët janë larguar, ndërkohë po punohet për hapjen e korridoreve humanitare. BE-ja së fundmi ka kërkuar nga Kina të mos ndihmojë Rusinë, transmeton Portalb.mk.

21:45 – Rusët tërhiqen, por lënë prapa minat

Këshilli i qytetit të Mariupolit ka njoftuar të shtunën se 10 autobusë bosh u nisën për në Berdyansk, qytet 84 kilometra në perëndim të Mariupolit, për të marrë njerëzit që mund të arrijnë atje vetë. Rreth 2,000 ikën nga Mariupoli të premten, disa me autobusë dhe disa me automjetet e tyre, kanë thënë zyrtarët e qytetit.

Teksa forcat ruse janë tërhequr nga rajoni i Kievit, ushtarët kanë krijuar gjendje të rëndë për civilët pasi kanë lënë mina përreth shtëpive, pajisjeve të braktisura, “madje edhe në trupat e të vdekurve”, ka tërhequr vërejtjen presidenti Volodymyr Zelenskyy të shtunën.

Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë kanë raportuar për fakte të shumta se Rusia është duke tërhequr ushtrinë përreth Kievit dhe duke forcuar atë për një sulm të madh në lindje të Ukrainës. Ushtarët ukrainas kanë rimarrë kontrollin e disa pjesëve të kryeqytetit, duke detyruar tërheqjen e ushtrisë ruse.

Situata e favorshme nuk do të thotë se Ukraina nuk do të bombardohet pas pesë javësh luftë që ka detyruar shpërnguljen e 4 milionë ukrainasve në drejtim të shteteve përreth. Zelenskyy nuk pret qetësim të situatës.

“Ende nuk është i mundshëm kthimi në jetën normale, siç ishte dikur, edhe në territoret që i kemi marrë nën kontroll pas luftimeve”, ka thënë Zelenskyy në një adresim. “Duhet të presim derisa toka jonë të çminohet, do të presim derisa të sigurohemi se nuk do të ketë bombardime të reja”.

Fokusi i Moskës në Ukrainën lindore e mbajti në pikëpyetje qytetin e rrethuar të Mariupolit. Qyteti port në detin Azov ndodhet në rajonin kryesisht rusisht-folës të Donbasit, ku separatistët e mbështetur nga Rusia kanë luftuar trupat ukrainase për tetë vjet dhe analistët ushtarakë mendojnë se presidenti rus, Vladimir Putin, është i vendosur për ta kapur pasi forcat e tij dështuan të sigurojnë Kievin dhe qytete të tjera të mëdha.

19:01 – Rinisin përpjekjet për të evakuuar civilët nga Mariupoli, bombardimet ruse nuk ndalen

Situata humanitare në disa qytete ukrainase mbetet e rëndë, ndërsa forcat ruse po riorganizohen në juglindje të vendit. Në Mariupol, qyteti i bombarduar më rëndë nga forcat ruse, civilët kanë mbetur pa ushqime dhe ujë të pijshëm. Kryqi i Kuq rinisi përpjekjet për të evakuuar civilët nga ky qytet, ndërsa autoritetet ukrainase bëjnë thirrje për kujdes pasi sipas tyre trupat ruse po minojnë çdo pjesë të territorit nga ku ata tërhiqen.

Kryqi i Kuq rinisi përpjekjet për të evakuuar civilët nga qyteti port Mariupol, ndërsa forcat ruse po rigrupohen për sulme të reja në juglindje të Ukrainës. I rrethuar që në ditët e para të agresionit rus, qyteti Mariupol ka qenë objektivi kryesor i Moskës në rajonin juglindor të Ukrainës, Donbas. Dhjetëra mijëra civilë janë bllokuar si dhe mungojnë ushqimet e uji i pijshëm.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dërgoi më shumë se 54 autobusë të premten jashtë qytetit, por automjetet u kthyen pas për shkak të bombardimeve ruse. Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord të krijojnë korridore të ndryshme humanitare gjatë luftës për të lejuar evakuimin e civilëve nga qytetet, megjithatë disa tentativa për të evakuuar banorët kanë dështuar.

Pas dështimit për të marrë nën kontroll qytetet e mëdha, Rusia thotë se tani e ka zhvendosur vëmendjen e saj në juglindje të Ukrainës, ku që prej vitit 2014 ka mbështetur forcat separatiste. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy tha se trupat ruse po lëviznin drejt Donbasit dhe qytetit verilindor Kharkivi është bombarduar rëndë.

“Forcat ruse po tërhiqen në veri të vendit tonë. Por edhe pas tërheqjes së tyre, situata është katastrofike dhe ka shumë rrezik. Sulmet ajrore vazhdojnë. Po ashtu ata po minojnë të gjithë territorin, shtëpitë, pajisjet, madje edhe trupat e të vrarëve. Ne po përparojmë me kujdes. Të gjithë ata që kthehen në këto territore duhet të jenë gjithashtu shumë të kujdesshëm. Ende nuk është e mundur t’i rikthehemi jetës normale, si dikur. Ne duhet të presim derisa toka jonë të çminohet, prisni derisa të jemi në gjendje t’ju sigurojmë se nuk do të ketë bombardime të reja”, tha presidenti i Ukrinës.

Në orët e para të së shtunës, raketat ruse goditën edhe qytetet Poltava dhe Kremenchuk në Ukrainën qendrore. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se raketat e lëshuara nga ajri me precizion të lartë kishin goditur aeroportet ushtarake në Poltava dhe Dnipro.

Lufta ka vrarë mijëra njerëz, ka shpërngulur një të katërtën e popullsisë së Ukrainës dhe ka shkatërruar qytete. Më shumë se 4.1 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës, sipas të dhënave nga Kombet e Bashkuara. Rusia mohon të ketë shënjestruar civilët në atë që presidenti rus Vladimir Putin e quan një “operacion special ushtarak” që synon çmilitarizimin dhe “denazifikimin” e Ukrainës. Së fundmi Papa Françesku gjatë një vizitë në Maltë shtoi kritikat ndaj presidentit rus.

“Nga lindja e Evropës, nga toka e lindjes së diellit, tani janë përhapur hijet e errëta të luftës. Ne kishim menduar se pushtimet e vendeve të tjera, luftimet e egra në rrugë dhe kërcënimet atomike ishin kujtime të zymta të një të kaluare të largët. Megjithatë, erërat e akullta të luftës, të cilat sjellin vetëm vdekje, shkatërrim dhe urrejtje, kanë përfshirë fuqishëm jetën e shumë njerëzve dhe na kanë prekur të gjithëve. Edhe një herë, disa të fuqishëm, të kapur fatkeqësisht nga pretendimet anakronike të interesave nacionaliste, po provokojnë dhe nxisin konflikte”, tha Ati i Shenjtë.

Ndërkohë Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se po ofron 300 milionë dollarë shtesë për pajisje ushtarake për forcat ukrainase. Në paketën e re të ndihmave përfshihen sisteme raketash që drejtohen me lazer, avionë pa pilot, automjete të blinduara, pajisje për shikim natën dhe municione. Gjithashtu do të ketë edhe furnizime mjekësore. Shtetet e Bashkuara kanë ofruar më shumë se 1.6 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën pas nisjes së agresionit rus.

18:01 – Carla Del Ponte kërkon urdhër arrest ndërkombëtar për Putinin

Ish-kryeprokurorja e Tribunalit në Hagë, Carla Del Ponte ka kërkuar që të lëshohet një urdhër arrest ndërkombëtar për presidentin rus, Vladimir Putin.

“Putini është një kriminel lufte”, tha Carla Del Ponte për gazetën zvicerane Le Temps, në një intervistë të botuar të shtunën.

Në intervistat e dhëna në mediat zvicerane për të shënuar publikimin e librit të saj të fundit, avokatja zvicerane që mbikëqyri hetimet e OKB-së në Ruandë dhe ish-Jugosllavi, tha se në Ukrainë po kryhen krime lufte. Ajo tha se është e tronditur nga varrezat masive në Ukrainë, që thotë se ia kujtojnë luftërat më të këqija në ish-Jugosllavi.

“Shpresoja të mos shihja më kurrë varreza masive”, tha ajo për gazetën Blick.

“Këta njerëz të vdekur kanë të dashur që as nuk e dinë se çfarë po ndodh me ta. Kjo është e papranueshme”, shtoi ajo.

Krime të tjera lufte që ajo identifikoi në Ukrainë përfshinin sulmet ndaj civilëve, shkatërrimi i ndërtesave civile si dhe shkatërrimi i fshatrave të tëra, raporton AP. Ajo tha se hetimi në Ukrainë do të ishte më i lehtë se ai në Jugosllavi sepse vetë vendi kishte kërkuar një hetim ndërkombëtar. Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), Karim Khan, vizitoi Ukrainën muajin e kaluar.

Nëse GJNP-ja gjen prova të krimeve të luftës, ajo tha se “duhet të hetohet zinxhiri komandues”, derisa shtoi se do të ishte e mundur të vihej përpara përgjegjësisë edhe Putini.

“Nuk duhet ta lëshoni, vazhdoni hetimin. Kur filloi hetimi për Sllobodan Millosheviqin, ai ishte ende president i Serbisë. Kush do ta kishte menduar atëherë se një ditë do të gjykohej? Askush”, tha ajo për Blick.

Del Ponte shtoi se hetimet duhet të kryhen për krimet e mundshme të luftës të kryera nga të dyja palët, duke vënë në pah gjithashtu raportet për torturimin e pretenduar të disa të burgosurve rusë të luftës nga forcat ukrainase.

17:00 – Rusi: Mbi 170 të arrestuar në protestat kundër luftës në Ukrainë

Policia ruse ka arrestuar të shtunën 176 persona, të cilët protestuan në Moskë kundër pushtimit të Ukrainës, ka njoftuar OVD. Organizata OVD-Info, që monitoron arrestimet në protesta, njoftoi se protestuesit u arrestuan në 14 qytete të ndryshme ruse.

AFP njoftoi se më shumë se 20 persona u arrestuan nga policia në një park afër Kremlinit. Policia shoqëroi në stacion policor edhe disa njerëz që ishin ulur në park, raporton AFP.

Protesta kombëtare kundër asaj që Moska e quan “operacion ushtarak” saj në Ukrainë, u njoftua në mediat sociale nga aktivistët në rreth 30 qytete ruse. Organizatorët thanë në një deklaratë se ata donin të protestonin kundër “kolapsit të ekonomisë së Rusisë”, kundër presidentit rus, Vladimir Putin dhe të kërkonin lirimin e kritikun të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny.

“Rusia meriton paqe, demokraci dhe prosperitet”, thanë organizatorët. Arrestime kishte edhe në qytetin e Shën Petersburgut.

“Askush nuk do të vijë, të gjithë aktivët janë arrestuar në protestat e mëparshme”, tha 30-vjeçari Sergei Gorelov, i cili tha ishte në protestë.

“Unë thjesht erdha të shpreh disi protestën time për gjithçka që po ndodh. Është e frikshme të protestosh”, tha për AFP-në Galina Sedova, 50 vjeç.

Protestuesit e arrestuar rrezikojnë gjoba dhe dënime të mundshme me burg. OVD-Info thotë se mbi 15,000 njerëz janë arrestuar në mitingjet në të gjithë vendin për të protestuar kundër pushtimit rus të Ukrainës, që cili filloi më 24 shkurt.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se do të ndajë 300 milionë dollarë për “mbështetje të sigurisë” për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës. Me këtë shumë të ndarë, ndihma që Uashingtoni i ka ofruar Ukrainës, që prej se Rusia nisi pushtimi në shkurt, ka arritur në 1.6 miliard dollarë.

Në pakon e re të ndihmës përfshihen sisteme raketash që operohen me laser, pajisje për shikim natën, sisteme të komunikimit të sigurt taktik, furnizime mjekësore dhe automjete të blinduara.

“Ky vendim thekson angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës në mbështetje të përpjekjeve të saja heroike për t’iu kundërpërgjigjur luftës që zgjodhi Rusia”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Pengtagonit, John Kirby.

Më 30 mars, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky, biseduan për ndihmën shtesë për ushtrinë ukrainase. Në mesin e muajit mars, Kongresi amerikan kishte miratuar një projektligj ku përfshiheshin 13.6 miliardë dollarë ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën dhe për aleatët e NATO-s në Evropën Lindore.

Pas vendimit të Kongresit, presidenti Biden njoftoi për një pako të re të sigurisë për Ukrainën në vlerë prej 1 miliard dollarësh. Një pjesë e madhe e pajisjeve ushtarake që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës, është marrë nga furnizimet e ushtrisë amerikane.

Ndërkaq, ndihma e njoftuar nga Pentagoni, në vlerë prej 300 milionë dollarësh, do të realizohet përmes kontratave për pajisje ushtarake me partnerët në industrinë e mbrojtjes.

Në pakon e re të ndihmës janë përfshirë edhe dronë të llojit Switchblade. Këta dronë, që njihen edhe si “dronë kamikazë”, mund të drejtohen nga një operator për të gjetur objektivin dhe kur ta gjejnë atë, nisen drejt objektivit dhe shpërthejnë sapo të kenë kontakt me të.

Kirby shtoi se SHBA-ja “do të vazhdojë punën me aleatët dhe partnerët tanë për të identifikuar dhe ofruar për ukrainasit aftësi shtesë”. Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, përveç SHBA-së, edhe shtete tjera të NATO-s dhe Bashkimit Evropian i kanë ofruar ndihmë ushtarake Ukrainës që të përballet me agresionin rus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button