Dita 39: Ukraina thotë se vrasjet në Buça ishin të qëllimshme
Në ditën e 39 të luftës në Ukrainë, raportohet se është sulmuar me raketa edhe qyteti i Odesës dhe ka raportime për zjarre në disa zona. Serhiy Bratchuk, zëdhënës i administratës ushtarake rajonale të Odesës, u ka bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë në strehimore. Duke folur për transmetuesin publik ukrainas, ai tha se një prej “ndërtesave të infrastrukturës kritike” është goditur. Ndërkohë, inteligjenca ushtarake britanike tha se ka parë një përqendrim të aktiviteteve ajrore ruse në juglindje të Ukrainës, gjë që sugjeron se është pjesë e rifokusimit strategjik të Moskës në rajon. Nga ana tjetër, ushtria ukrainase tha se kanë zmbrapsur gjashtë në sulme ruse territorin e Donjeckut dhe Luhanskut (Donbas), duke shkatërruar katër tanke, gjashtë njësi të makinave të blinduara dhe shtatë njësi të tjera të makinave ruse.
22:15 – Rusia kërkon që të diskutohet në Këshillin e Sigurimit për masakrën në Buça
Rusia ka kërkuar që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të diskutojë të hënën për atë që e quajti “provokim nga radikalët ukrainas”, duke aluduar për pamjet e civilëve të vrarë në qytetin Buça në afërsi të Kievit.
“Në dritën e provokimit të hapur nga radikalët ukrainas në Buça, Rusia ka kërkuar që të thirret një takim i këshillit të sigurimit të OKB-së”, shkroi Dmitry Polansky, zëvendës përfaqësuesi i parë i përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara, në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Ukraina ka akuzuar Rusinë për vrasjen e civilëve në Buça, derisa Moska ka mohuar këto akuza.
22: 10 – Ambasada e SHBA në Kiev i quan pamjet në Buça të tmerrshme
Ambasada e SHBA në Kiev i ka quajtur pamjet në qytetin ukrainas, Buça “të tmerrshme” dhe ka premtuar veprim.
“Qeveria amerikane është e përkushtuar të ndjekë përgjegjësinë duke përdorur çdo mjet në dispozicion”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
“Ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur, bota duhet të dijë se çfarë ka ndodhur dhe ne të gjithë duhet të veprojmë”, tha ambasada.
Ukraina akuzoi të dielën forcat ruse për kryerjen e masakrës në qytetin Buça.
Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi akuzat e Ukrainës.
22:00 – Është vrarë në Mariupol regjisori lituanez
Regjisori lituanez i filmit, Mantas Kvedaravicius, u vra në Mariupol me “kamerë në duar”, citon BBC mediat ukrainase.
Mediat lokale cituan një postim në Facebook nga Vitaly Mansky, një regjisor rus i vlerësuar me çmime.
Kvedaravicius ka dokumentuar prej kohësh Mariupolin. Filmi i tij “Mariupolis” u shfaq premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin në 2016.
Mariupoli është goditur nga predha ruse për javë të tëra.
Të shtunën, një tjetër regjisor dhe fotograf, ukrainasi Maks Levin, u gjet i vdekur në veri të kryeqytetit Kiev.
17:40 – Liderët evropianë: Rusia duhet të përgjigjet për krimet në Buça
Presidenti francez, Emmanuel Macron i ka përshkruar imazhet nga Bucha si shumë të rënda. Marron tha se “autoritetet ruse do të duhet të përgjigjen për këto krime”. Udhëheqësi francez ka folur rregullisht me presidentin rus, Vladimir Putin gjatë gjithë kohës që prej fillimit të pushtimit dhe më pas, dhe është pozicionuar si ndërmjetës për paqen.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka akuzuar ushtrinë ruse për kryerjen e mizorive në Ukrainë dhe bëri thirrje për një hetim të plotë.
“Ne duhet të hetojmë pa pushim krimet e kryera nga ushtria ruse”, tha Scholz të dielën në Berlin.
Kryeministri italian, Mario Draghi, vrasjen e civilwve nw Buça e ka cilësuar tw tmerrshme dhe tha se Moska duhet të mbajë përgjegjësi.
Kurse sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka quajtur të papranueshme vdekjet e civilëve në Buça.
Duke folur për CNN, ai tha se vdekjet ishin “një brutalitet kundër civilëve që nuk është parë në Evropë për dekada”, dhe tha që kjo luftë duhet të përfundojë.
Moska në vazhdimësi ka mohuar pretendimet e Ukrainës se ka shënjestruar civilët.
17:20 – Zelensky: Forcat ruse po kryejnë gjenocid në Ukrainë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, akuzoi Rusinë për kryerjen e gjenocidit dhe përpjekjen për të eliminuar të gjitha kombet e Ukrainës, një ditë pas zbulimit të varreve masive dhe ekzekutimit të civilëve pranë Kievit. “Ky është gjenocid. Eliminimi i të gjithë kombit dhe popullit”, tha Zelensky për CBS.
“Ne jemi qytetarë të Ukrainës. Në Ukrainë kemi më shumë se 100 kombësi. Bëhet fjalë për shkatërrimin dhe shfarosjen e të gjitha këtyre kombësive”, tha Zelensky.
Tre ditë pas fillimit të pushtimit më 24 shkurt, Ukraina paraqiti një ankesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë duke akuzuar Rusinë për “planifikim të akteve të gjenocidit”.
Zelensky ka folur një ditë pasi e gjithë bota pa pamjet e transmetuara të trupave civilë të shtrirë në rrugët e qytetit Buça në afërsi të Kievit, si dhe të raportimit se 280 trupa ishin varrosur në një varr masiv atje.
“Ne jemi qytetarë të Ukrainës dhe nuk duam t’i nënshtrohemi politikës së Federatës Ruse. Kjo është arsyeja pse po shkatërrohemi dhe shfarosemi”, tha Zelensky.
“Dhe kjo po ndodh në Evropën e shekullit 21. Pra, kjo është tortura e të gjithë kombit”, shtoi ai.
Zelensky bëri thirrje gjithashtu për një tërheqje të plotë të forcave ruse nga Ukraina “të paktën në kufijtë e tyre që ekzistonin para 24 shkurtit, kur Rusia sulmoi Ukrainën”.
“Nuk mund të ketë asnjë takim derisa bombardimet po vazhdojnë. Pra, së pari armëpushim, pastaj mund të kemi një takim me presidentin rus”, tha Zelensky.
Miliona njerëz kanë ikur nga Ukraina, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës.
17:05 – “Human Rights Watch” akuzon forcat ushtarake ruse për krime lufte në Ukrainë
Një prej organizatave kryesore që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut bëri të ditur të dielën se kishte dokumentuar ato që i cilësoi se ishin krime të qarta lufte të kryera nga forcat ushtarake ruse kundër civilëve në Ukrainë.
Në një deklaratë të organizatës “Human Rights Watch” thuhej se ajo kishte gjetur disa raste që tregonin se forcat ushtarake ruse kishin shkelur ligjet e luftës në rajone të kontrolluara nga Rusia në Çernihiv, Kharkiv e Kiev.
Organizata e botoi deklaratën në Varshavë. Të shtunën trupa civilësh të vdekur u gjetën të hedhur nëpër rrugët e qytetit Bucha të Ukrainës, tre ditë pasi ushtria ruse u tërhoq nga një sulm njëmujor ndaj kësaj zone që ndodhet 30 kilometra në veriperëndim të Kievit.
Ministria ruse e mbrojtjes nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment kur u pyet në lidhje me trupat e gjetur në Bucha dhe mbi deklaratën e “Human Rights Watch”.
Kremlini thotë se operacioni i tij special ushtarak ka në shënjestër objektiva ushtarakë dhe jo sulme sulme ndaj civilëve.
I pyetur rreth disa akuzave të tjera për krime lufte më 1 mars, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha për gazetarët se Moska e mohon në mënyrë kategorike këtë gjë. Ai hodhi poshtë akuzat për sulme të Rusisë ndaj objektivave civile dhe përdorim nga ana e tyre të bombave thërrmuese apo bombave me vakum.
Më 21 mars zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Igor Konashenkov, tha se operacioni i Rusisë po kryhej nga forca profesioniste dhe të armatosura mirë, duke hedhur poshtë pretendimet e Ukrainës se forcat ruse kishin goditur objektiva civilë.
Organizata “Human Rights Watch” me bazë në Nju Jork iu referua rastit të Bucha-s në deklaratën e saj, duke thënë se kishte intervistuar 10 persona, përfshirë dëshmitarë e banorë lokalë, personalisht ose me telefon. Sipas organizatës disa kishin frikë të jepnin emrat e tyre të plotë.
“Rastet që ne dokumentuam përbëjnë një mizori dhe dhunë të pashpjegueshme e të qëllimtë kundër civilëve ukrainas”, tha Hugh Williamson, drejtor i “Human Rights Watch” për Evropën dhe Azinë Qendrore.
“Përdhunimi, vrasja dhe aktet e tjera të dhunshme ndaj njerëzve që janë ndaluar nga forcat ruse duhet të hetohen si krime lufte”, shtoi ai.
Agjencia “Reuters” nuk ishte në gjendje të verifikonte menjëherë provat e ofruara nga “Human Rights Watch”.
Gazetarët e “Reuters-it” vizituan të shtunën Bucha-s, pasi qyteti u rimor nën kontroll nga forcat ukrainase dhe panë trupa njerëzish pa uniforma ushtarake, të shpërndara në rrugë.
“Human Rights Watch” tha se të gjitha palët e përfshira në konfliktin e armatosur në Ukrainë janë të detyruara të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe ligjet e luftës.
17:00 – Ukraina thotë se vrasjet në Buça ishin të qëllimshme
Zyrtarët ukrainas e kanë akuzuar Rusinë për “gjenocid” në Buça, që gjendet në periferi të Kievit, teksa autoritetet lokale kanë thënë se afër 300 banorë janë vrarë gjatë kohës kur Buça ishte nën kontrollin e forcave ruse.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka thënë se “masakra në Buça ishte e qëllimshme”.
Ndërkaq, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, i tha gazetës gjermane, Bild, se “ajo çfarë ndodhi në Buça dhe në pjesë të tjera në periferi të Kievit mund të përshkruhet me termin gjenocid”. Ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ishte përgjegjësi i vetëm për këto krime.
Ndërkaq, Human Right Watch ka thënë se ka “dokumentuar disa raste ku ushtria ruse ka kryer shkelje të ligjit të luftës kundër civilëve në zonat e okupuara të Çernihivit, Harkivit dhe rajonit të Kievit në Ukrainë”.
Kjo organizatë, tha se më 4 mars, forcat ruse në Buça kishin qëlluar me armë zjarri prapa koke të paktën një person.
Kryetari i Buçës, Anatoly Fedoruk, tha më 2 prill se afër 300 banorë lokalë janë vrarë në kohën kur ky qytet ishte nën okupimin e forcave ruse. Afër 280 dyshohet se janë varrosur në një varrezë masive, ndërkaq trupat e viktimave të tjera janë lënë në rrugët e këtij qyteti.
Edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Mbretërisë së Bashkuar kanë reaguar pas pamjeve të publikuara nga Buça, duke thënë se forcat ruse kanë kryer mizori. BE-ja ka paralajmëruar sanksione të reja ndaj Moskës, ndërkaq Mbretëria e Bashkuar ka thënë se do ta ndihmojë Ukrainën që të dokumentojë krimet e kryera nga forcat ruse.
13:15 – BE-ja paralajmëroi sanksione të reja ndaj Rusisë
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Rusia do të përballet “me sanksione të mëtejme të BE-së” pas raportimeve për krimet e dyshuara të luftës nga forcat ruse në Buça, në periferi të Kievit. Michel shkroi më 3 prill në Twitter se ishte i “shokuar nga pamjet e tmerrshme të mizorive të kryera nga ushtria ruse në rajonin e çliruar të Kievit”, shkruan REL.
Ndërkaq, po të njëjtën ditë organizata Human Rights Watch tha se ka “dokumentuar disa raste ku ushtria ruse ka kryer shkelje të ligjit të luftës kundër civilëve në zonat e okupuara të Çernihivit, Harkivit dhe rajonit të Kievit në Ukrainë”.
Kjo organizatë, tha se më 4 mars, forcat ruse në Buça kishin qëlluar me armë zjarri prapa koke të paktën një person. Kryetari i Buçës, Anatoly Fedoruk, tha më 2 prill se afër 300 banorë lokalë janë vrarë në kohën kur ky qytet ishte nën okupimin e forcave ruse. Afër 280 dyshohet se janë varrosur në një varrezë masive, ndërkaq trupat e viktimave të tjera janë lënë në rrugët e këtij qyteti.
Pamje të rënda nga ky qytet, ku shihen trupa të banorëve në rrugë, janë shpërndarë në rrjete sociale.
“Këto janë pasojat e pushtimit rus”, citohet të ketë thënë Fedoruk.
Rusia ende nuk është përgjigjur lidhur me këto akuza.
Ndërkaq, më 2 prill, sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss tha se ishte e tronditur “nga mizoritë në Buça dhe në qytete të tjera në Ukrainë” dhe premtoi se keqbërësit do të ndiqen penalisht.
Në postimin e tij në Twitter, Michel tha se Bashkimi Evropian po i ndihmon Ukrainës “në mbledhjen e dëshmive të nevojshme, që më pas t’i dërgojë në gjykatat ndërkombëtare”.
Gjykata Ndërkombëtare Penale më herët ka hapur një hetim mbi krimet e pretenduara të luftës nga forcat ruse në Ukrainë. Ndërkaq, në raportin e Human Rights Watch thuhet se janë dokumentuar edhe dhunime, dy raste të ekzekutimeve ku ishin përfshirë shtatë viktima, dhe raste të tjera të kërcënimeve dhe dhunës ndaj civilëve.
11:20 – Guvernatori ukrainas: Rafineria më e madhe e naftës është shkatërruar plotësisht
Një rafineri e naftës në qytetin Kremençuk, në Ukrainën qendrore, është shkatërruar plotësisht nga sulmet ruse, tha guvernatori i rajonit Poltava, raportoi Reuters.
“Zjarri në rafineri është shuar, por ndërtesa është shkatërruar plotësisht dhe më nuk mund të operojë”, citohet të ketë thënë guvernatori, Lunin Dmytro.
Gazeta Kyiv Independent ka raportuar se sulmet me raketa më 1 prill kanë shkatërruar rafinerinë e naftës, që është më e madhja në Ukrainë.
Kremençuk është një qytet kyç industrial në Ukrainë.
11:10 – Rusia thotë se ka sulmuar rafineri të naftës në Odesa
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se forcat e saj kanë shkatërruar një rafineri të naftës dhe tri depo të karburanteve. Rusia tha se ka kryer sulme precize nga deti dhe me raketa në rajonin e Odesës, raportoi agjencia ruse e lajmeve Interfax.
Kjo ministri tha se kjo infrastrukturë është përdorur nga Ukraina për të furnizuar trupat e saj në afërsi të qytetit Mikolajiv.
Ndërkaq, më herët, zyrtarët ukrainas thanë se ende nuk kanë njoftime për viktima nga sulmet e mëngjesit të sotëm
11:00 – Kryenegociatori rus: Ende herët për një takim Putin-Zelensky
Rusia tha të dielën se bisedimet e paqes nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm saqë të mbahet një takim midis presidentëve të dy shteteve.
Kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky, tha përmes Telegramit se qëndrimi i Moskës lidhur me statusin e Krimesë dhe Donbasit vazhdon të jetë i pandryshueshëm.
“Draft-marrëveshja nuk është gati që të prezantohet në një takim të liderëve”, tha ai.
“E përsëris vazhdimisht: Pozicioni i Rusisë për Krimenë dhe Donbasin është i pandryshueshëm”, tha ai.
Të shtunën negociatorët ukrainas thanë se janë bërë përparime të mjaftueshme që të mbahet një takim midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe atij rus, Vladimir Putin.
- Dita 1, lexo KËTU
- Dita 2, lexo KËTU
- Dita 3, lexo KËTU
- Dita 4, lexo KËTU
- Dita 5, lexo KËTU
- Dita 6, lexo KËTU
- Dita 7, lexo KËTU
- Dita 8, lexo KËTU
- Dita 9, lexo KËTU
- Dita 10, lexo KËTU
- Dita 11, lexo KËTU
- Dita 12, lexo KËTU
- Dita 13, lexo KËTU
- Dita 14, lexo KËTU
- Dita 15, lexo KËTU
- Dita 16, lexo KËTU
- Dita 17, lexo KËTU
- Dita 18, lexo KËTU
- Dita 19, lexo KËTU
- Dita 20, lexo KËTU
- Dita 21, lexo KËTU
- Dita 22, lexo KËTU
- Dita 23, lexo KËTU
- Dita 24, lexo KËTU
- Dita 25, lexo KËTU
- Dita 26, lexo KËTU
- Dita 27, lexo KËTU
- Dita 28, lexo KËTU
- Dita 29, lexo KËTU
- Dita 30, lexo KËTU
- Dita 31, lexo KËTU
- Dita 32, lexo KËTU
- Dita 33, lexo KËTU
- Dita 34, lexo KËTU
- Dita 35, lexo KËTU
- Dita 36, lexo KËTU
- Dita 37, lexo KËTU
- Dita 38, lexo KËTU