Dita 35: Biden i premtoi Ukrainës 500 milionë dollarë për pagat e ukrainasve, mbi katër milionë ukrainas i kanë ikur luftës
Agresioni rus në Ukrainë ndodhet në ditën e 35-të. Disa njësi ruse që pësonin humbje të mëdha në Ukrainë ishin detyruar të ktheheshin në shtëpi dhe në Bjellorusinë fqinje, njoftoi inteligjenca ushtarake britanike një ditë pasi Rusia premtoi zvogëlimin e operacioneve ushtarake rreth Kievit dhe një qyteti tjetër. Ndërkohë sipas agjencisë së lajmeve Interfax Ukrainë, forcat ruse në Ukrainën lindore raportohet se kanë bombarduar zonat e banuara të qytetit Luhansk të Lysychansk. Kreu ushtarak rajonal i Luhansk, Serhiy Haidai, shkroi në kanalin e tij Telegram se granatimet filluan rreth orës 6:30 të mëngjesit me kohën lokale. Haidai thotë se “ndërtesat e larta janë shkatërruar ndjeshëm” dhe “raportohet për viktima”, transmeton Portalb.mk.
19:21 – Biden i premtoi Ukrainës 500 milionë dollarë për pagat e ukrainasve
Biden i tha Zelenskyt se SHBA do t’i siguronte Ukrainës 500 milionë dollarë “ndihmë direkte buxhetore”, thotë Shtëpia e Bardhë.
Presidenti i Amerikës, Joe Biden, ka folur me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, ku ka bërë të ditur se ShBA-të do t’i sigurojë Ukrainës 500 milionë dollarë ndihmë direkte buxhetore. Kështu ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë, përmes një komunikate për media në të cilën thuhet se biseda zgjati për rreth një orë.
Këto para, sipas një zyrtari nga Shtëpia e Bardhë janë të destinuara si ndihmë për pagimin e pagave, ndër të tjera.
“Udhëheqësit diskutuan se si Shtetet e Bashkuara po punojnë gjatë gjithë kohës për të përmbushur kërkesat kryesore të ndihmës për sigurinë në Ukrainë, efektet kritike që ato armë kanë pasur në konflikt dhe përpjekjet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara me aleatët dhe partnerët për të identifikuar aftësitë shtesë për ta ndihmuar ushtrinë ukrainase të mbrojë vendin e saj”, thuhet në komunikatë, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, sipas Shtëpisë së Bardhë, Biden ka rishikuar sanksionet shtesë dhe ndihmën humanitare për të cilën u vendos javën që shkoi.
Biden, gjithashtu bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë t’i mbajnë sanksionet të cilat i kanë vendosur kundër Rusisë dhe se do t’i sigurojë ushtrisë ukrainase kapacitetin për ta mbrojtur veten.
Ndërsa, më herët, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se me Biden folën rreth situatës në fushëbetejë dhe asaj në tryezën e bisedimeve.
“Biseduam për mbështetje specifike mbrojtëse, një paketë të re sanksionesh të zgjeruara, ndihmë makro-financiare dhe humanitare”, ka shkruar Zelensky, transmeton Klankosova.tv.
18:28 – Mbi katër milionë ukrainas i kanë ikur luftës
Kombet e Bashkuara kanë thënë që më shumë se katër milionë ukrainas kanë ikur nga vendet e tyre, si pasojë e pushtimit të paprovokuar rus në Ukrainë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë ka shprehur shqetësim më 30 mars se disa sulme të forcave ruse në Ukrainë mund të përbëjnë krime lufte.
Sipas kësaj Agjencie, numri total i refugjatëve deri më 29 mars ka qenë 4.02 milionë, dhe rreth gjysma e tyre kanë bërë rrugën fillestare në Poloni.
“Numri i refugjatëve nga Ukraina tani ka shkuar në katër milionë, pesë javë pas nisjes së sulmeve ruse”, ka thënë Komisionari i Lartë i OKB-së për Refugjatë, Filippo Grandi.
Më shumë se gjashtë milionë ukrainas besohet se janë zhvendosur brenda shtetit.
Para nisjes së pushtimit rus, Ukraina ka pasur një popullsi prej 37 milionë banorësh në rajonet që kanë qenë nën kontrollin qeveritar, duke përjashtuar Krimenë e aneksuar nga Rusia dhe rajonet në lindje, që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.
15:40- Negociatori ukrainas shprehet optimist pas bisedimeve me Rusinë
Negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak, ka thënë të mërkurën se ndihet optimist, pas bisedimeve që ka zhvilluar me palën ruse, në të cilat Moska ka thënë se do të zvogëlojë në mënyrë drastike operacionet ushtarake afër Kievit dhe Çernihivit.
“Jam optimist për rundin e negociatave në Stamboll”, ka thënë Podolyak, duke iu referuar bisedimeve të së martës në Turqi.
Ai ka thënë se sistemi i propozuar i garancive për sigurinë e Ukrainës, i cili do të ofrohet në këmbim të neutralitetit, do të vendoset në referendum, vetëm pasi trupat ruse të tërhiqen nga pozicionet që kanë mbajtur para nisjes së pushtimit në Ukrainë.
Kremlini, në anën tjetër, ka minimizuar shpresat se është arritur përparim në bisedime.
“Ne nuk mund të themi se ka pasur diçka shumë premtuese apo ndonjë përparim”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për gazetarët.
Megjithatë, ai ka thënë se Moska e konsideron “pozitive” faktin që Kievi ka filluar që t’i shkruajë kërkesat e saj.
14: 25- Rusia intensifikon sulmet në lindje të Ukrainës
Forcat ruse kanë intensifikuar sulmet në rajonet lindore ukrainase Luhansk dhe Donjeck, thanë autoritetet ukrainase.
Sulmet janë intensifikuar në qytetet në perëndim të “vijës së kontaktit” – nga fronti i luftës në këto dy rajone lindore. Që prej vitit 2014, separatistët pro-rusë kanë marrë nën kontroll pjesë të Luhanskut dhe Donjeckut dhe kanë luftuar me forcat qeveritare ukrainase.
Autoritetet në Luhansk thanë se në 24 orët e fundit janë kryer 35 sulme me artileri në qytetet e këtij rajoni. Mëngjesin e sotëm sulmet ajrore kanë goditur ndërtesa banimi dhe një çerdhe në Lisiçansk, tha një zyrtar ushtarak në këtë rajon. Të pakën një person është raportuar se është vrarë në sulmet në Lisiçansk.
Ndërkaq, liderët e rajoneve separatiste të Ukrainës pretenduan se të paktën një person është vrarë nga granatimet ukrainase në pjesën e Donjeckut që kontrollohet nga separatistët pro-rusë.
Ditë më parë Rusia tha se do të përqendronte operacionet e saj ushtarake në rajonet lindore të Ukrainës.
14:32- Rusia nuk do të kërkojë kalim të menjëhershëm të pagesës së gazit me rubla
Rusia nuk do të kërkojë që menjëherë blerësit të paguajnë me rubla eksportet e gazit, tha Kremlini më 30 mars, duke premtuar kalim gradual dhe tha se Moska duhet të punojë në idenë për të zgjeruar listën e vendeve që duhet ta paguajnë gazin me monedhën kombëtare ruse.
Qeveria, Banka Qendrore ruse dhe Gazpromi pritet të prezantojnë më 31 mars mënyrën se si do të bëhet ky ndryshim i pagesës.
I pyetur nëse pagesat me rubla do të nisin nga 31 marsi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “absolutisht jo”.
“Siç e kemi diskutuar edhe më herët, pagesat dhe dërgesat në kohë janë një proces që merr kohë… Kjo nuk nënkupton që nga nesër për dërgesat do të duhet të paguhet me
13:52 – Kremlini thotë se nuk ka asgjë “premtuese” nga bisedimet me Ukrainën
Kremlini ka minimizuar shpresat se është arritur përparim pas bisedimeve të paqes midis delegacioneve ruse dhe ukrainase që u mbajtën në Stamboll një ditë më parë.
“Ne nuk mund të themi se ka pasur diçka shumë premtuese apo ndonjë përparim”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për gazetarët.
Ai shtoi se ka “ende shumë punë për t’u bërë”.
Ai shtoi se Moska e konsideron “pozitive” faktin që Kievi ka filluar që t’i shkruajë kërkesat e saj.
12:37 – Kievi i kërkoi Moskës të tërhiqet nga Çernobili pas rrezikut për shpërthime
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se forcat ruse që kanë marrë nën kontroll centralin e çmontuar bërthamor të Çernobilit duhet të tërhiqen nga ajo zonë, pasi forcat e armatosura ukrainase kanë paralajmëruar se mund të ketë shpërthim të municioneve.
“Ne kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së që menjëherë të marrë masa për çarmatosjen e zonës së ndaluar dhe të vendoset një mision i posaçëm i OKB-së aty për të zhdukur rrezikun e përsëritjes së një katastrofe bërthamore”, tha ajo përmes një videoje të postuar më 30 mars në rrjetin social, Telegram..
Stafi ukrainas ka vazhduar që të operojë me centralin e Çernobilit edhe pasi forcat ruse morën kontrollin e tij më 24 mars, në ditën kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës.
10:26 – Biden: Të shohim nëse Rusia do t’i përmbahet asaj që thotë
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka deklaruar se do të ndjekë se çfarë do të ndodhë më tej në terren pasi Rusia njoftoi se do të reduktonte ofensivën në dy qytete të Ukrainës.
“Do të shohim. Kjo nuk do të thotë asgjë për mua derisa të shoh veprimet e tyre. Do të shohim nëse do t’i përmbahet asaj që thotë. Thjesht të shohim se çfarë kanë për të ofruar”, u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë, Biden tha se SHBA dhe aleatët e saj do të vazhdojnë të zbatojnë sanksionet gjithëpërfshirëse që vendosën ndaj Rusisë si hakmarrje për luftën e saj kundër Ukrainës dhe do të vazhdojnë të dërgojnë ndihmë ushtarake për të forcuar ushtrinë ukrainase.
09:31 – Britania: Njësitë ruse po kthehen në Bjellorusi dhe Rusi për furnizim
Përqendrimi i Rusisë në një ofensivë në rajonin e Donjeckut dhe Luhanskut është “një pranim i heshtur” se ajo po ka vështirësi që të mbajë më shumë se një front të ofensivës, tha Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.
Njësitë që kanë pësuar humbje të mëdha janë detyruar që të kthehen në Rusi dhe Bjellorusi për t’u rifurnizuar dhe riorganizuar, gjë që po vendos preson “mbi logjistikën tashmë të mbingarkuar të Rusisë”, tha Britania.
Ministria e Mbrojtjes tha se forcat ruse me gjasë do të kompensojnë aftësinë e reduktuar të manovrimit tokësor përmes sulmeve masive të artilerisë dhe sulmeve me raketa.
Rusia tha më 29 mars se do të zvogëlojë aktivitetet ushtarake përreth Kievit dhe Çernihivit dhe paraprakisht ka thënë se do të përqendrojë operacionet e saj ushtarake në rajonet lindore ukrainase.
Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara janë shprehur skeptike për zotimin e Rusisë për tërheqjen e trupave.
- Dita 1, lexo KËTU
- Dita 2, lexo KËTU
- Dita 3, lexo KËTU
- Dita 4, lexo KËTU
- Dita 5, lexo KËTU
- Dita 6, lexo KËTU
- Dita 7, lexo KËTU
- Dita 8, lexo KËTU
- Dita 9, lexo KËTU
- Dita 10, lexo KËTU
- Dita 11, lexo KËTU
- Dita 12, lexo KËTU
- Dita 13, lexo KËTU
- Dita 14, lexo KËTU
- Dita 15, lexo KËTU
- Dita 16, lexo KËTU
- Dita 17, lexo KËTU
- Dita 18, lexo KËTU
- Dita 19, lexo KËTU
- Dita 20, lexo KËTU
- Dita 21, lexo KËTU
- Dita 22, lexo KËTU
- Dita 23, lexo KËTU
- Dita 24, lexo KËTU
- Dita 25, lexo KËTU
- Dita 26, lexo KËTU
- Dita 27, lexo KËTU
- Dita 28, lexo KËTU
- Dita 29, lexo KËTU
- Dita 30, lexo KËTU
- Dita 31, lexo KËTU
- Dita 32, lexo KËTU
- Dita 33, lexo KËTU
- Dita 34, lexo KËTU