Dita 53: Shpërthime në Kiev, Rusia pretendon se e ka marrë kontrollin e Mariupolit, Ukraina mohon

Shpërthime janë dëgjuar në kryeqytetin ukrainas, Kievi, në orët e para të 17 prillit, kanë raportuar mediat lokale. Sirenat për sulme ajrore janë dëgjuar gjatë tërë natës në pothuajse të gjitha qarqet e Kievit dhe banorët janë udhëzuar që të shkojnë në strehimoret më të afërta. Ndërkaq, Moska ka pretenduar se ka marrë kontrollin e qytetit të rrethuar të Mariupolit, pas disa javësh luftimet, Ukraina ka demantuar duke thënë se është duke rezistuar. 

21:00 – Ukraina: Ushtria ruse ka humbur 20.300 ushtarë

Ushtria ruse e cila i ka shpallur luftë Ukrainës ka humbur 20.300 ushtarë, 165 avionë, 146 helikopterë dhe 773 tanke, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka ndarë të dhënat lidhur me humbjet e ushtrisë ruse për periudhën 24 shkurt – 17 prill.

Sipas kësaj, nga ushtria ruse që sulmon Ukrainën janë vrarë 20.300 ushtarë si dhe janë rrëzuar 165 avionë, 146 helikopterë ndërsa janë shkatërruar 773 tanke, 2.002 mjete të blinduara, 376 topa, 127 sisteme raketahedhëse dhe 66 sisteme të mbrojtjes ajrore që u përkasin rusëve.

Forcat ruse po ashtu kanë humbur 1.471 automjete, 8 anije dhe skafe të lehta shpejtësie, 76 mjete të karburantit dhe 148 mjete ajrore pa pilot (dronë).

Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë më 25 mars kishte njoftuar se në Ukrainë kanë humbur jetën 1.351 ushtarë rusë.

20:00 – Presidentja e KE-së thirrje vendeve të BE-së për sigurimin e shpejtë të armëve për Ukrainën

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen për vendet e Bashkimit Evropian që kanë mundësi, ka bërë thirrjen që të sigurojë në mënyrë të shpejtë armë për Ukrainën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë në gazetën “Bild”, në pyetjen nëse është apo jo pro dhënies së armëve të rënda për Ukrainën, Von der Leyen tha: “Nuk bëj dallim mes armëve të rënda dhe të lehta. Ukraina duhet të marrë gjërat që ka nevojë për të mbrojtur veten dhe që mund t’i përdorë”.

Duke u bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të sigurojnë me shpejtësi armë për Ukrainën, Von der Leyen tha se “Ajo që është e vlefshme për të gjitha vendet anëtare është që të ofrojmë furnizim të shpejtë (të armëve) nëse munden, sepse atëherë Ukraina do të ketë sukses në luftën e saj urgjente për të mbrojtur veten e saj kundër Rusisë”.

Von der Leyen vuri në dukje paketën e gjashtë të sanksioneve që BE-ja është duke përgatitur kundër Rusisë. “Po vazhdojmë të shohim sektorin bankar, kryesisht Sberbank e cila përbën 37 për qind të sektorit bankar të Rusisë. Sigurisht që janë edhe çështjet e energjisë”.

Ajo theksoi se duhet të bëhet çdo gjë që lufta të përfundojë sa më parë. “Në të njëjtën kohë duhet të përgatisim veten me të vërtetën se në situatën më të keqe lufta mund të zgjasë me muaj, madje edhe me vite”, tha presidentja e KE-së.

18:00 – Ukraina thotë se Mariupoli po u reziston sulmeve ruse

Zëvendësministrja e Mbrojtjes së Ukrainës thotë se qyteti-port i Mariupolit është duke rezistuar pavarësisht sulmeve të vazhdueshme ruse, teksa Moska pretendon se forcat e saj kanë marrë kontrollin pothuajse të plotë të qytetit.

Hanna Malyar tha më 17 prill se mbrojtësit në këtë qytet kyç në Detin Azov kanë arritur që të zmbrapsin një numër të konsiderueshëm të forcave ruse që kanë rrethuar Mariupolin.

Ajo e përshkroi Mariupolin si “mburojë të Ukrainës”, që sipas saj, po parandalon forcat ruse të përparojnë në pjesë të tjera të shtetit.

Rusia u dha ultimatum ushtarëve ukrainas që deri në ora 6 të mëngjesit , sipas kohës lokale, të 17 prillit të dorëzohen, teksa tha se ushtarët ukrainas janë bllokuar në një fabrikë çeliku. Por, disa orë pas skadimit të këtij ultimatumi, nuk ka shenja se forcat ukrainase janë dorëzuar, transmeton REL.

Nuk ka ende një reagim nga Kievi lidhur me ultimatumin rus, edhe pse ushtria ukrainase ka thënë se sulmet ajrore ruse në Maripol po vazhdojnë.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se pothuajse 2,500 trupa ukrainase janë në fabrikën Azovstal, por ky pretendim nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë më 16 prill se me “qëllim po tenton që të shkatërrojë të gjithë” në Mariupol dhe shtoi se vrasja e ushtarëve ukrainas do të pengonte përpjekjet e paqes.

“Ushtarët tanë janë të bllokuar, të plagosurit janë të bllokuar. Kjo është krizë humanitare… Megjithatë, burrat tanë po e mbrojnë veten”, tha ai për agjencinë e lajmeve, Ukrainska Pravda.

Mariupoli ka qenë skenë e bombardimeve dhe luftimeve më të ashpra që prej se Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Besohet se mijëra civilë kanë mbetur të bllokuar në këtë qytet, pa qasje në gjërat elementare, teksa përpjekjet për evakuim të civilëve po pengohen nga granatimet e vazhdueshme.

17:46 – Papa e dënoi luftën “e pakuptimtë” në Ukrainë

Papa Françesku ka bërë thirrje për paqe në luftën “e pakuptimtë” në Ukrainë dhe për konflikte të tjera të armatosura në mbarë botën, gjatë adresimit të tij për Pashkët, që e mbajti nga ballkoni në Sheshin e Shën Pjetrit.

“Paqja mbretëroftë në Ukrainën e shkatërruar nga lufta, e sprovuar kaq rëndë nga dhuna dhe shkatërrimi i kësaj lufte mizore dhe të pakuptimtë në të cilën u detyrua të futet”, tha Papa më 17 prill.

Kur Papa përmendi Ukrainën afër 100,000 qytetarë që ishin mbledhur në sheshin e Vatikanit dhe në rrugët përreth duartrokitën, transmeton REL.

Françesku kërkoi që “të mos mësohemi me luftën”, teksa duke folur për pushtimin rus të Ukrainës, që nisi më 24 shkurt, nuk përmendi me emër presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Në referencë për një luftë të mundshme bërthamore, Françesku citoi një manifest të shkruar nga filozofi Bertrand Russell dhe fizikanit Albert Einstein më 1955: “A do t’i japim fund racës njerëzore, apo njerëzimi do të heqë dorë nga lufta?”.

Më 17 prill festohen Pashkët sipas kalendarit të krishterë perëndimor. Pashkët ortodokse festohen më 24 prill.

13:46 – Ekspertët ligjorë: Putin mund të paditet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka quajtur presidentin rus, Vladimir Putin, kriminel lufte, pas një sërë sulmesh të raportuara të ushtrisë ruse në spitalet, maternitetet dhe objektivat tjera civile në Ukrainë.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të fqinjit të saj më 24 shkurt. Zyrtarët ukrainas e kanë vënë numrin e civilëve të vrarë në “dhjetëra mijëra”, megjithëse shifrat nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Ato që kanë tronditur botën në mënyrë të veçantë, kanë qenë imazhet nga Buça, qytet në zonën e Kievit. Pas tërheqjes së forcave ruse atje, në fillim të këtij muaji, qyteti është gdhirë me varre masive dhe trupa të pajetë njerëzish nëpër rrugë – disa prej tyre edhe me duar të lidhura nga pas. Ukraina ka fajësuar forcat ruse për qindra vrasjet; Rusia ka mohuar çdo përgjegjësi.

Por, presidenti Biden ka thënë se ka prova të fuqishme për mizoritë e kryera nga trupat ruse dhe ka bërë thirrje për gjykimin e Putinit, transmeton REL.

“Ai është kriminel lufte. Duhet t’i mbledhim informacionet. Duhet të vazhdojmë t’i ofrojmë Ukrainës armët që i nevojiten për të vazhduar luftën. Duhet t’i sigurojmë të gjitha detajet që të kemi një gjykim për krime të luftës. Ky njeri është brutal. Ajo që ka ndodhur në Buça është mizore”, ka thënë Biden.

Para Buçës, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Rusia ka shkatërruar ndërtesa banimi, shkolla, spitale, automjete civile e qendra tregtare – të gjitha këto veprime që, sipas SHBA-së, përbëjnë krime lufte.

Sulmi i forcave ruse në një teatër në qytetin e Mariupolit, në muajin mars, duket se ka qenë i pari që ka shkaktuar vrasje masive. Para tij, Ukraina e ka cilësuar një sulm në një spital të Mariupolit si krim lufte. Ukraina ka thënë po ashtu se ka gjithnjë e më shumë prova për sulme me bomba thërmuese dhe eksplozivë termobarikë në zonat civile në qytetin e Harkivit.

Konventa e Gjenevës i përkufizon krimet e luftës si vrasje me dashje, torturë ose trajtim çnjerëzor – të pajustifikueshme për nevojat e ushtrisë.

Nga Lufta e Dytë Botërore ka pasur disa gjykata, përfshirë atë që ka hetuar krimet e luftës gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Sot, Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë janë dy institucione që veprojnë në mbështetje të rregullave të luftës. E para heton dhe ndjek penalisht kriminelët individualë të luftës që nuk dalin para gjykatave të shteteve të tyre.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka hapur tashmë një hetim për krimet e mundshme të luftës në Ukrainë, por ende nuk është e sigurt nëse dikush do të sillet para drejtësisë.

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, ka thënë se provat për krime të dyshuara lufte në Ukrainë “duhet të hetohen hap pas hapi”.

“Njerëzit janë në ankth, njerëzit vuajnë. Është detyra jonë, kolektivisht, të sigurojmë se ligji nuk mbetet një ide abstrakte, por vihet në veprim, për të ofruar mbrojtje dhe për të siguruar drejtësi”, ka thënë Khan.

As Rusia dhe as Ukraina nuk janë anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe Moska nuk e njeh këtë institucion, i cili është hapur në Hagë në vitin 2002. Megjithatë, Ukraina i ka dhënë gjykatës miratimin për të hetuar krimet e dyshuara të luftës në territorin e saj.

David Scheffer, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së për Çështjet e Krimeve të Luftës në administratën Bill Clinton, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se krimet e luftës në Ukrainë janë të mëdha dhe të dukshme dhe, sipas tij, ato do të mund të vërtetohen edhe në gjykatë.

“Numri i hetuesve në terren është më i madhi që kam parë në ndonjë konflikt, gjatë 30 vjetëve të fundit. Në këta 30 vjet kemi fituar shumë përvojë në hetimin e krimeve mizore. Ekspertiza nga shumë vende dhe nga Gjykata Ndërkombëtare Penale është vendosur tashmë në Ukrainë. Ky do të jetë një hetim i gjerë i krimeve të kryera nga ushtria ruse e, rrjedhimisht, nga Qeveria ruse”, thotë Scheffer.

12:28 – Britania: Rusia, e përkushtuar që Ukraina të heqë dorë nga orientimi euroatlantik

Britania tha se Rusia është e përkushtuar që të detyrojë Ukrainën që të braktisë orientimin e saj euroatlantik dhe të vendosë dominimin e saj rajonal, edhe në kohën kur Moska ka përqendruar operacionet e saj në lindje të Ukrainës.

Forcat ruse po vazhdojnë rivendosjen e pajisjeve luftarake dhe mbështetëse nga Bjellorusia drejt Ukrainës lindore, përfshirë edhe në disa zona afër Harkivit dhe Severdonjeckut, tha Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, në informacionet e përditësuara për luftën në Ukrainë më 17 prill.

Artileria ruse vazhdon të sulmojë pozicionet në pjesën lindore të vendit, ku Rusia po planifikon të rinisë aktivitetet ofensive, tha kjo ministri, transmeton REL.

Këto njoftime vijnë teksa ka raportime për shpërthime në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt, por së fundmi ka thënë se do të përqendrojë aktivitetin e saj ushtarak në pjesën lindore të Ukrainës.

11:00 – Dita 53: Shpërthime në Kiev, Rusia pretendon se e ka marrë kontrollin e Mariupolit

Sipas një kryetari lokal, infrastruktura në zonën Brovari, në periferi të Kievit, është dëmtuar nga sulmet ajrore.

Kryetari Igor Sapozhko nuk dha më shumë detaje për viktimat apo për dëmet materiale.

Këto raportime vijnë një ditë pasi forcat ruse rinisën sulmet ajrore në Kiev dhe intensifikuan granatimet në Harkiv – qyteti i dytë më i madh në Ukrainë – një strategji që duket se ka për qëllim që të pengojë mbrojtjen e Ukrainës të përgatitet për një sulm të shkallës së plotë të Rusisë në lindje të vendit, transmeton REL.

Kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov, tha se granatimet kanë vrarë të paktën tre persona dhe kanë plagosur 34 të tjerë më 16 prill.

Ai udhëzoi banorët e këtij qyteti, që gjendet në verilindje të Ukrainës, që janë larguar më herët që të mos kthehen, duke shtuar se “ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë e sulmeve ajrore ndaj kryeqytetit”.

Zyra e presidentit të Ukrainës raportoi se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur sulme ajrore dhe granatime në tetë rajone në mbarë vendin.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha më 16 prill se ka larguar trupat ukrainase nga zona urbane dhe luftëtarët që kanë mbetur janë të rrethuar në fabrikën e çelikut Azovstal, raportuan mediat shtetërore ruse.

Pala ruse ka kërkuar që ushtarët e mbetur në Mariupol të dorëzohen.

Në një intervistë të publikuar më 16 prill në Ukrayinska Pravda, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi kundër mizorive ndaj forcave ukrainase që gjenden në Mariupol.

“Eliminimi i trupave tanë, të njerëzve tanë në Mariupol do t’i jepte fund çdo negociate”, tha ai.

“Kjo do të sjellë një bllokadë, pasi ne nuk negociojmë as për territoret tona dhe as për njerëzit tanë”, shtoi ai.

Mariupoli është qyteti më i goditur nga bombardimet dhe luftimet qëkur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button