Shërbimet sekrete: Rusia nuk mbulon dot nevojat për armatim

Sipas shërbimeve sekrete britanike, Rusia nuk arrin të prodhojë sa duhet municion për të arritur objektivat ushtarake në Ukrainë. Ndërkohë bëhet e ditur, nga dhjetori janë vrarë në luftime në Bahmut 20.000 ushtarë rusë, shkruan DW.

Rusia nuk zotëron municion të mjaftueshëm për të arritur sukseset që kërkon në ofensivën ushtarake në Ukrainë, sipas të dhënave të shërbimeve sekrete britanike. Moska vërtet që i ka dhënë industrisë së armatimit prioritet kryesor, thuhet në një raport të shkurtër të Ministrisë së Mbrojtjes në Londër, megjithatë kjo degë nuk i përgjigjet ende si duhet nevojës së madhe për armatim në luftë. Udhëheqja ruse kërkon të arrijë suksese në fushëbetejë, në një kohë që forcat përgjegjëse për logjistikën nuk shënojnë përmirësime.

Britanikët marrin si shembull lirimin nga detyra të zëvendësministrit të Mbrojtjes, Mihail Misinzev që ka qenë përgjegjës për tetë muaj rresht për furnizimin teknik dhe me materiale të ushtrisë. Në javën e kaluar u konfirmua ndërrimi  në këtë post me gjeneralkolonelin Aleksej Kusmenkov. Ministria e Mbrojtjes në Londër, që nga fillimi i luftës publikon informacione mbi ecurinë e saj duke u bazuar në të dhënat e shërbimeve sekrete. Moska e akuzon Londrën për fushata disinformimi.

Mbi 20.000 ushtarë rusë të vrarë

Ndërkohë sipas të dhënave të shërbimeve sekrete amerikane që nga dhjetori në luftimet në Bahmut kanë humbur jetën më shumë se 20.000 ushtarë rusë. Tek gjysma e tyre bëhet fjalë për ushtarët e trupës Wagner, tha drejtori i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby. Shumica e këtyre ushtarëve janë të burgosur rusë, që dërgohen në luftë pa përvojë trajnimi luftarak.

Të dhënat nuk mund të verifikohen saktësisht. Numri i përgjithshëm i ushtarëve të vrarë rusë nga dhjetori në Bahmut dhe në rajone të tjera të Ukrainsë konsiderohet më i lartë se 100.000, sipas të dhënave të shërbimeve sekrete. Drejtori i komunikimit, Kirby nuk bëri publike të dhëna në lidhje me numrin e viktimave tek forcat e armatosura ukrainase.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button