Vuçiq: Kosova s’e pranoi draft-statutin për Asociacionin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Kosova nuk do ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, transmeton REL.

“Sot kemi ardhur te muri”, tha Vuçiq, pas takimit që zhvilloi në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në rend dite ishte paraqitja dhe diskutimi i draft-statutit për formimin e këtij asociacioni.

Ky dokument u paraqit nga Ekipi Menaxhues, që përbëhet prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb, përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë.

Vuçiq tha se draft-statuti është i papranueshëm për Kosovën, për shkak të Kushtetutës së saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë, gjatë një takimi në Bruksel.

Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, që po kryeson takimin Kurti-Vuçiq, tha se BE-ja e mirëpret miratimin e kësaj deklarate dhe pret që “palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur”.

“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve”, tha, mes tjerash, Borrell.

Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, tha se Serbia, për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar, pranoi t’i hapë arkivat e saj shtetërore, përfshirë edhe ato të klasifikuara, në lidhje me çështjen e të zhdukurve.

Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues të asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se Deklarata ka disa të meta, përfshirë kohën e pasaktësuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit ishte pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë Kurti dhe Vuçiq në Bruksel.

Pika e dytë ka të bëjë me procesin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ekipi Menaxhues – i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë – paraqiti draft-statutin për formimin e këtij asociacioni.

Danijella Vujiçiq, nga ky ekip, tha se hartimi i draftit ka zgjatur katër muaj – nga prilli 2018 deri në gusht 2018.

“Sot, pas pesë vjetësh, patëm rastin ta prezantojmë draftin e përfunduar në vitin 2018”, u tha Vujiçiq gazetarëve.

Bisedimet për këtë dokument janë duke vazhduar në Bruksel.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më herët se një draft i statutit të Asociacionit do të duhej të prezantohej nga ana e Kosovës, sepse “ne nuk guxojmë të lejojmë që drafti i të ashtuquajturit ekip menaxhues, që në realitet është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë e negociatave”.

Përpara takimit në Bruksel, Vuçiq shkroi në Instagram se “do të jetë vështirë”.

“Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë në Perëndim”, tha ai, pa sqaruar se kujt i referohet saktësisht.

“Megjithatë, ne kemi ligjin dhe drejtësinë në anën tonë. Më e rëndësishme se kjo është se ata nuk e kuptojnë se sa e fortë është dashuria për lirinë dhe sa fort mund ta ruani atë. Përkundër të gjitha presioneve”, tha Vuçiq.

Kurti, përpara takimit, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Një ditë më herët, ai foli edhe me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili shprehu pritjet e SHBA-së për një takim konstruktiv mes Kurtit dhe Vuçiqit, si dhe për përparim në bisedime, sidomos për çështjen e Asociacionit.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Serbia ka këmbëngulur vazhdimisht në kompetenca më të gjera për të, ndërsa Kosova ka thënë se të tillat do ta minonin funksionalitetin e shtetit.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar gojarisht për zbatimin e një marrëveshjeje të re që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje, e njohur më herët si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për Asociacionin.

Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Deri më tash, pikë e përmbushur e marrëveshjes është vetëm themelimi i Komitetit të Përbashkët Monitorues që do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button