Kriza energjetike, Greqia po planifikon ndërhyrjen tek çmimet
Qeveria greke po planifikon të ndërhyjë për të frenuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike dhe për të zbutur pasojat tek konsumatorët nëse Bashkimi Europian nuk merr masa për këtë çështje, transmeton Klan News.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i qeverisë greke, Giannis Oikonomou.
“Nëse nuk ka përgjigje të shpejtë dhe të menjëhershme nga Europa, do të ketë një plan kombëtar për një ndërhyrje tjetër vendimtare në çmimet e energjisë elektrike”.
Greqia ka shpenzuar rreth 4 miliardë euro për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për familjet, bizneset dhe fermerët që nga viti i kaluar.
Lufta në Ukrainë përkeqësoi rritjen e çmimeve të gazit. Ashtu si shumë vende europiane, edhe Greqia mbështetet shumë tek Rusia për importet që furnizojnë 40% të gazit dhe 26% të naftës së saj.