Dosje: Një vjet nga aksidenti i autobusit në Bullgari, gjithçka që ndodhi në tragjedinë ku humbën jetën 45 persona

Kaloi një vjet nga një prej tragjedive më të mëdha në të cilën 45 udhëtarë nga Maqedonia e Veriut humbën jetën tragjikisht në aksidentin e autobusit duke u kthyer prej Stambollit. Mrekullisht shpëtuan 7 udhëtarë.

Portalb.mk ka përgatitur kronologji të ngjarjes

Më 18 nëntor (e enjte) 2021, katër autobusë të agjencisë “Besa Trans” prej Maqedonisë së Veriut janë nisur për ekskursion në Stamboll. Pas disa ditësh shëtitjesh, turistët në mbrëmjen e 22 nëntorit (e hënë) janë nisur për t’u kthyer në shtëpi. Autobusët, e kanë kaluar kufirin Turqi-Bullgari dhe kanë vazhduar rrugën për në Sofje.

23 nëntor 2021

Rreth orës 1.30 kanë ndaluar për pauzë të shkurtër në një pompë benzine në autostradën “Struma” në afërsi të Pernikut (rreth 580 kilometra pasi kanë udhëtuar prej Stambollit dhe rreth 30-35 kilometra afër Sofjes).

Rreth orës 2 autobusët kanë vazhduar rrugën, derisa pas orës 2, vozitësi i autobusit me 52 udhëtarë, i cili ka qenë duke lëvizur i fundit (prej katër autobusët) e ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar duke goditur bankinën. Pas goditjes autobusi është bllokuar te bankinat dhe nuk kanë mundur të hapen dyert. Sipas dëshmitarëve fillimisht është dëgjuar shpërthim i fuqishëm prej pjesës së përparme të autobusit.

Pastaj, zjarri e ka kapluar pjesën tjetër të autobusit. Disa prej udhëtarëve kanë arritur që ta thyejnë dritaren e pasme dhe 7 prej tyre dalin prej autobusit. 45 të tjerë, fatkeqësisht kanë mbetur brenda, ndërkaq automjeti është djegur tërësisht për disa minuta.

This slideshow requires JavaScript.

Rreth orës 3, ambulancat, zjarrfikësit dhe Policia arrijnë në vendin e ngjarjes, ndërkaq 7 udhëtarët që kanë shpëtuar, janë dërguar menjëherë në spital.

Bashkë me policët, në vendngjarje kanë arritur edhe prokurorët dhe ekspertët e komunikacionit.

Rreth orës 3 e gjysmë, kryeministri Zoran Zaev e merr lajmin për fatkeqësinë pasi që i janë lajmëruar në telefon kryeministri Stefan Janev dhe presidenti Rumen Radev, transmeton Portalb.mk.

Rreth orës 4, autobusët 3 autobusët tjerë e kanë kaluar pikën kufitare Gjushevë-Deve Bair dhe janë kthyer në Maqedoninë e Veriut.

Rreth orës 6, familjarë të udhëtarëve në rrjetet sociale marrin vesh se ka ndodhur një aksident. Janë përpjekur që t’i marrin në telefon, por pa sukses. Atëherë kanë filluar t’i lajmërojnë agjencisë turistike, por as ata nuk janë përgjigjur.

Rreth orës 8 të mëngjesit, kryeministri Zoran Zaev në rrjetet sociale e kumtoi lajmin se ka ndodhur aksidenti, ndërkaq në mesin e viktimave ka të rinj dhe fëmijë. Ai bashkë me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe vetëm se kanë arritur në Bullgari për t’i vizituar të mbijetuarit.

Rreth orës 9, një ekip ekspertësh nga Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme janë nisur për të shkuar në vendin e ngjarjes.

Rreth orës 11, dyert e agjencisë “Besa Trans” janë të mbyllura.

Kompania "Besa Trans-Shkup"

Përpara objektin qëndrojnë forcat policore, derisa familjarët kërkojnë informata për familjarët e tyre.

Rreth orës 13 Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli 3 ditë zie, për shkak aksidentit. Nga një ditë zie shpallën edhe Qeveria e Bullgarisë dhe e Kosovës.

Flamujt e ulur para Qeverisë së Maqedonisë

Rreth orës 14.30 kryeprokurori Lubomir Joveski dha deklaratë përpara Spitalit “Pirogov” në Sofje, ku janë të hospitalizuar të mbijetuarit. Ai tha se janë të mundshëm dy faktorë për aksidentin, faktori njeri ose parregullsia teknike e automjetit.

Rreth orës 15, trupat e viktimave ende vazhdojnë të tërhiqen nga autobusi. Autopsia do të kryhet në Bullgari, ndërkaq gjurmët biologjike të familjarëve të viktimave do të merren në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe menjëherë do të dorëzohen në Bullgari.

Rreth orës 16:30 kompania “Besa Trans – Shkup”, publikoi një komunikatë në të cilën shprehën ngushëllime dhe njoftuan thotë se janë në kontakt me autoritetet e RMV-së dhe Bullgarisë.

Rreth orës 18, Ministria e Punëve të Jashtme mori informatë zyrtare nga institucionet e Republikës së Bullgarisë për emrat e të mbijetuarve dhe i publikoi.

Rreth orës 19, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, kumtoi se autobusi i cili është djegur në Bullgari, nuk ka pasur licencë për transport të udhëtarëve dhe nuk ka qenë i lajmëruar në sistem.

Rreth orës 22 autobusi i aksidentuar është larguar nga rruga, prokuroria e Bullgarisë.

24 nëntor 2021, dita e dytë e zisë në RMV

– Nxënësit e ShF “Ismail Qemali” zhvilluan marsh për nderë 5 nxënësve që humbën jetën në aksidentin në Bullgari.

Marshi i nxënësve të ShF "Ismail Qemali", foto: Printscreen nga video-live i mia.mk

– Ministria e Transportit dhe Lidhjeve njoftoi se kompanisë “Besa Trans – Shkup” i merret licenca për punë, përkatësisht i ndalohet kryerja e veprimtarisë, transmeton Portalb.mk.

– Gjashtë hetues bullgarë dhe tre prokurorë i nisën hetimet për tragjedinë.

Drejtoria Doganore informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Dy doganierë janë suspenduar për shkak veprimit të paligjshëm.

25 nëntor 2021, dita e tretë e zisë në RMV

Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup ka përfunduar procedurën për marrjen e materialeve biologjike nga familjarët, me qëllim që të ndihmohet në identifikim e viktimave në aksidentin tragjik në Bullgari.

– Prokuroria bullgare njoftoi se janë gjetur 44 trupa, nuk dihet ku ndodhet një udhëtar nga autobusi i djegur.

– Zëvendëskryeprokurori Borislav Sarafov njoftoi se autopsitë tregojnë se të gjithë kanë vdekur nga asfiksia, kanë thithur tym, që do të thotë se kanë qenë të gjallë dhe kanë vdekur si pasojë e zjarrit, nuk ka pasur shpërthim, ka pasur vetëm djegie intensive.

26 nëntor 2021

– Prokuroria e Bullgarisë njoftoi se gjatë kontrollit shtesë të autobusit, është gjetur edhe një trup i pajetë, kështu që numri i viktimave në aksidentin tragjik u konfirmua se është 45, ndërkaq i të mbijetuarve 7.

Inspektorët e Transportit kanë realizuar kontrolle në zyrat e “Besa Trans – Shkup” dhe më pas i kanë mbyllur dyert e objektit dhe kanë vendosur letrat ngjitëse të Inspektoratit.

27 nëntor 2021

– Prokurori publik Lubomir Joveski njoftoi se materialet për hetimin e aksidentit të autobusit u janë dorëzuar autoriteteve bullgare.

– Në Qendrën Urgjente të Shkupit kanë arritur dy te mbijetuar nga tragjedia.

Foto nga Alsat

29 nëntor 2021

– Edhe tre të tjerë nga shtatë të mbijetuarit e aksidentit të autobusit në Bullgari arritën në RMV.

30 nëntor 2021

– Për herë të parë, pronari i “Besa Transit”, Bekim Haxhiu është paraqitur në një intervistë për BNT-në bullgare. Ai tha se autobusi para se të nisej nga Turqia ka kaluar serviset dhe gjithçka ishte në rregull.

Pronari i Besa Trans Bekim Haxhiu, foto: Printscreen nga video e BNT
Pronari i “Besa Trans – Shkup” Bekim Haxhiu, foto: Printscreen nga video e BNT

2 dhjetor 2021

Përfundoi identifikimi i trupave të 45 viktimave të aksidentit të autobusit në Bullgari.

3 dhjetor 2021

Me dy avionë ushtarak, trupat e viktimave prej Bullgarisë arritën në Aeroportin e Shkupit. RMV organizoi pritje me nderime më të larta shtetërore. Në pritjen tek Aeroporti morën pjesë i gjithë kreu shtetëror i Maqedonisë së Veriut në krye me presidentin Stevo Pendarovski, kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe kryeministrin Zoran Zaev, bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentaren e Shqipërisë, Liindita Nikolla, por edhe përfaqësues të lartë shtetërorë nga Bullgaria, bashkë me familjarë, përfaqësues fetarë dhe botës së politikës.

Paraprakisht u njoftua se do të ketë kortezh mortor që parashihej të kalonte përgjatë bulevardit “Goce Dellçev”, megjithatë, pas reagimit të familjarëve ajo u anulua.

Trupat e pajetë të viktimave u varrosën, sipas riteve fetare, Portalb.mk mori pjesë në disa prej ceremonive mortore.

Aksidenti në Bullgari, varrosja, autobusi Besa Trans

25 janar 2022

– Shefi i shërbimit hetimor të prokurorisë bullgare, Borislav Sarafov deklaroi se hetimi për aksidentin tragjik ka përfunduar. Arsyeja për tragjedinë, sipas Serafov, është se shoferi ka humbur kontrollin e autobusit i cili nuk ka lëvizur mbi shpejtësinë e lejuar, por me shpejtësi të papërshtatshme të rrugës. Konkluzioni nga hetimi është se arsyeja e vetme është gabimi njerëzor i shoferit. Sipas tyre janë kontrolluar të gjithë supozimet për prezencë të lëndëve djegëse në autobus dhe siç thonë ata, qartë është konfirmuar se gjëra të tilla nuk ka pasur. Me këtë rasti mbyllet.

5 shtator 2022

– Prokuroria e Shkupit ngriti aktakuzë kundër pronarit të autobusit të “Besa Trans – Shkup”, Bekim Haxhiu për falsifikim të licencës për transport ndërkombëtar.

15 nëntor, 2022

Bekim Haxhiudaljen e tij para gjykatës tha se e kupton akuzën, por nuk ndihet fajtor. Gjykimi vazhdon…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button