Shënimet e një zbuluesi

Kapiteni anglez Edmund Spenceri në vitin 1850 udhëtoi nëpër Ballkan me mision zbulues. Ai vizitoi vende në Bosnjë, Serbi, Maqedoni, Thraki, Shqipëri, Epir, Greqi, Hungari dhe Sllavoni, kurse mbresat e udhëtimit i përshkroi në librin “Udhëtim nëpër Turqinë Europiane më 1850”  (Londër, 1851).

Spenceri nëpërmjet disa detajeve e përshkroi qeverisjen në Turqinë Europiane të shekullit XIX. Ai kudo ku udhëtoi pa keqqeverisje dhe administratë të korruptuar. Sapo fshatari i thjeshtë emërohej në ndonjë post bëhej tiran i vogël, kurse korrupsionin e përpjesëtonte sipas fuqisë dhe ndikimit që kishte në shoqëri. Nëpunësit sajonin pengesa që t’i zhvatnin njerëzit me paturpësinë e hajdutit. Madje, zhvatjen e kishin bërë si tarifë.

Le të ndalemi te disa shënime të Spencerit për disa qytete.

Prizrenin, ku ishte mysafir i mikut Veli beu, e përshkruan si seli pashai me 10 deri 12 mijë banorë, pothuajse të gjithë shqiptarë dhe me rreth 300 hebrenj, armenë e tregtarë grekë.

Në këtë qytet kafenesh, të krishterët katolikë dhe ortodoksë jetonin në lagje të veçanta, kurse disa shqiptarë myslimanë kishin feude dhe jetonin në luks.

Ky qytet i bukur e piktoresk, me ujë të bollshëm e me shumë shatërvanë, që shfaqej nga largësia në formën e një amfiteatri, ishte shumë i dobishëm në Turqinë Europiane.

Prizreni ose Priskopera e vjetër, shkruan ai, ishte ndërtuar nga Filipi i Maqedonisë, kurse më vonë ishte bërë njëra nga pikat kryesore romake. Aty ende shiheshin mbetjet e rrugës së lashtë, që nëpërmjet Pazarit të Ri çonte në Bosnjë.

Nga Prizreni, nëpërmjet rrugës së Sharrit, ai arriti në Tetovë [e shënon si Kalkandel]. Tetova, që qeverisej nga pashai, përshkruhet si qytet i lashtë pranë Sharrit, me shumë vreshta, kopshte e plantacione duhani.

Spenceri u mahnit nga pushimorja e pashait, e rrethuar me kopshte e vreshta. Pas udhëtimit të lodhshëm nëpër malet shkëmbore nuk kishte pamje më mahnitëse se sa prej kësaj pushimoreje. Ishte si pushim në një oazë mes shkretëtirës.

Prej fushës së Tetovës, që, sipas tij, dikur duhej të kishte qenë liqen, të mahniste Skardusi, por qyteti nuk ofronte diçka interesante për një udhëtar. Kishte vetëm një fabrikë duhani dhe pushimoren e pashait, e cila ngjante si vilë Tiroli, por e zbukuruar me vizatime engjëjsh e shenjtorësh, me lule shumëngjyrëshe dhe arabeska.

Nga Tetova, nëpërmjet një rruge të mirë buzë Axiusit (Vardarit), u nis drejt Shkupit. Në Derven pa qiraxhinj hebre, armenë, vllahë, sllavë, grekë dhe shqiptarë, që “krijonin një pikturë interesante brenda një distrikti malor”. Karvanët përbëheshin nga njëzet deri njëqind qiraxhinj. Ata udhëtonin në grup për shkaqe sigurie, kurse autoritetet osmane ua kishin lejuar edhe mbajtjen e armëve. Pavarësisht se ndryshonin në kombësi, besim dhe gjuhë, ata ishin si familje. Solidarizoheshin mes tyre në rast të ndonjë aksidenti, kurse gjatë drekës këmbenin ushqime e raki. Pasi kishin shëtitur nëpër shumë vende dhe kishin parë zakone të ndryshme, qiraxhinjtë ishin më të hapur e më inteligjentë se pjesa tjetër e popullsisë, e cila jetonte sipas kodeve shekullore dhe kishte paragjykime sociale, etnike e fetare.

Spenceri pa qiraxhinj hebrenj, të krishterë dhe myslimanë që luteshin së bashku. Secili sipas mënyrës së vet. Myslimanët, që sipas tij njiheshin si mendjemëdhenj dhe paragjykues, shfaqeshin të hapur e tolerantë.

Mjetet e vetme të transportit aty ishin vetëm kafshët e ngarkesës, kurse njerëzit jetonin keq për shkak të qeverisë egoiste dhe injorante, e cila s’kishte bërë asgjë për ta promovuar përparimin intelektual të popullit.

Autori e përshkruan edhe arritjen në Grupçin [Groubatschin]. Rajoni iu duk një“shkretëtirë e egër shkëmbore pa bimësi”. Aty pa gurë varresh të gdhendur me art të konsiderueshëm dhe mbështjellë nga myshku i shekujve. Sipas rrëfimit të një bashkudhëtari sllav, i quajtur Gjorgj, aty ishin përplasur ushtritë e turqve dhe serbëve. Ky ishte edhe vendvarrimi i të vrarëve.

Më pas flet për klimën në Pollog. Thotë se kishte vende ku bora nuk shkrinte gjatë vitit; se dimri fillonte në shtator dhe vazhdonte me të njëjtën ashpërsi deri në prill.

I bëri përshtypje se këtu njerëzit nuk e njihnin artin e agrikulturës. Pemët ishin të pakrasitura.

Banorët i përshkruan si një racë e mirë dhe e shëndetshme. Nuk kishte njerëz me të meta mendore, që ishte “një mallkim i vendeve si Tiroli dhe Zvicra”. Kjo ndodhte sepse ata pinin ujë të pasur me magnez.

Më pas shkruan për Shkupin ku jetonin shqiptarë, hebrenj, vllahë, grekë, bullgarë e serbë.  Flet për historinë e tij. Fokusohet te lufta turko – osmane. Beson se osmanët e fituan luftën pas tradhtisë së austriakëve. Austriakët, shkruan ai, bënë pakt me osmanët, përkundër dëshirës së popullatës për ta vazhduar luftën. Dhe pasi populli u la në mëshirën e ushtrisë së organizuar osmane, shumë njerëz u vranë ose u shpërngulën.

Spenceri e vizitoi edhe Kërçovën [Kritçova], ku “kishte qenë qyteti Skirtiana”.

“E lamë pas luginën e bukur të Dreskës. Kaluam nëpër një mal, rrugës drejt Kritçovas, Skirtiana e lashtë, sot një fshat i vogël me më pak se njëqind shtëpi. Përjetuam një melankoli teksa e shikonim hapësirën e gjerë dhe të mahnitshme, ku gjendej fshati dhe fushat pjellore, por shumë pak të kultivuara […] Kritçeva gjendet buzë kurorës së maleve […] Në male ka vende të bereqetshme, lugina të vogla ose gryka ku rrjedhin ujërat e Zajazit, Karasut e Kandrisut dhe lumenj më të vegjël që derdhen në Vardar. Ndonëse ka vende të përshtatshme për bujqësi, banorët e paktë, të cilët i takuam gjatë udhëtimit tonë, ishin ca nomadë që kishin kope të tyre”.

Nga shënimet e mësipërme marrim informacione se si shiheshin këto vise nga udhëpërshkruesit e huaj. Si lexues mund të bëjmë edhe krahasime ndërmjet qeverisjes së asaj kohe dhe qeverisjes së kohës sonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button