Vëmendja

Ka gjithnjë e më shumë autorë që thonë se një pjesë e mirë e botës së sotme nuk përballet më me krizë materiale, por përballet me krizë ekzistenciale dhe shpirtërore. Shembull i mirë për këtë është ngjarja e përgjakshme që ndodhi në Beograd, ku një fëmijë trembëdhjetëvjeçar i klasës së shtattë fillore, sulmoi me revole bashkënxënësit e tij duke vrarë tetë nxënës dhe një kujdestar, dhe duke plagosur gjashtë nxënës të tjerë bashkë me një mësuese. Kjo ngjarje është shumë e ngjashme me shumë e shumë raste të tjera të të shtënave nëpër shkolla në SHBA nga të cilat shumë të rinj vuajnë edhe më tej trauma të rënda, jo vetëm fizike por edhe shpirtërore.  Duhet të na bregosë fakti se faktorët që ndikojnë në degradimin e shëndetit shpirtëror deri në këtë gjendje janë faktorë që shihen gjithandej, në çdo vend të botës së sotme, dhe është vetëm çështje kohe kur gjëra të ngjashme do të ndodhin edhe në shkollat tona dhe në mjediset tona. Kjo është gjendje alarmuese që duhet të na brengosë të gjithëve dhe jo të na zërë në befasi, sepse dukuritë që i shohim tash e sa vite nuk janë për t’u injoruar dhe për t’u anashkaluar, por duhet të merren seriozisht dhe të trajtohen me kohë që të evitohen pasojat negative të tyre.

Fëmijët dhe të rinjtë e kohës së sotme kanë qasje në të gjitha informatat aktuale të botës. Fëmijët në SHBA e Britani e ndjekin Andrew Tate, dhe ka shumë fëmijë gjithandej nëpër vendet tona që poashtu e ndjekin atë. Fakti që mizoginia dhe qëndrime të tjera problematike përhapen aq lehtësisht mes fëmijëve duhet të na brengosë shumë dhe duhet të na bëjë të veprojmë, jo të rijmë duarkryq dhe të presim të ndodhë më e keqja. Fëmijët e gjithë botës luajnë të njëjtat lojëra të dhunshme në kompjuter. Ata harxhojnë kohë më shumë me miqtë virtuelë të internetit se sa me njerëzit e shtëpisë dhe me shokët e tyre të klasës. Fëmijët sot kanë qasje te të gjitha gjërat që ndodhin në botë dhe ato influencohen nga këto ngjarje, trende dhe persona influencues, të cilët u servojnë atyre një botë joreale, të mbushur me pritshmëri të pakuptimta dhe të parealizueshme, por mbi të gjitha, një botë të mbushur plot me ankth, bulizëm, depresion dhe çregullime shpirtërore. Familjet e sotme jetojnë nën të njëjtën çati por nuk komunikojnë mirë mes vetes dhe nuk e njohin sa duhet njëri tjetrin. Të gjithë anëtarët e familjes rinë me ekranet nëpër duar dhe shqetësohen më shumë për mënyrën e paraqitjes së lumturisë së tyre artificiale në rrjetet sociale se sa për problemet që vërtet i shqetësojnë familjerët e tyre. Ata nuk shihen mes veti dhe nuk komunikojnë për problemet e tyre sa duhet. Dhe në fund, kur kupa mbushet dhe shpërthen, këto janë zakonisht shpërthime të pakontrolluara esenca e të cilave është kërkesa për veëmendje.

Këto gjëra janë kaq të dukshme në shoqëritë tona saqë shpesh krijohet ndijesija se gjithçka është në vlim e sipër dhe pritet vetëm momenti kur do të grafllojë dhe do të përvëlojë gjithçka përreth. Sikur heshtja para stuhisë, sikur kafeja që qetësohet tërërisht para se të vlojë dhe të derdhet nga xhezveja, i tillë është edhe ky rrezik që varet mbi ne si shpata e Damoklit. Gjithçka ndodh për shkak të mungesës së vëmendjes tonë. E vëmendjen tonë e ka rëmbyer interneti.

T’i kthehemi vëmendjes para se të jetë shumë vonë dhe të ndodhë më e keqja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button