ESS: Kultura politike dhe pozicionimi ideologjik  

Shkurtesa nga ky titull nënkupton “European Social Survey” (Sondazhi  Europian Social), themeluar nga Komisioni Europian, dhe lidhet me rezultatet e valës së dhjetë (e  para më 2001) të hulumtimit akademik të realizuar në periudhën tetor 2021-mars 2022 nga Instituti i Hulumtimeve Sociologjike dhe Politiko-Juridike dhe Universiteti “Shën Cirili dhe Metodi” me 1429 qytetarë të RMV-së (në tetë rajonet). Ky kërkim, i bazuar në intervista ballë-për-ballë njëorëshe,  ka karakter krahasimtar ngase me të njëjtin inventar në çdo dy vjet i njëjti sondazh realizohet në 38 vende të Europës (vala e fundit me 32 shtete). Në kuadër të projektit paneuropian EES mes viteve 2003-2021 janë gjeneruar 5972 publikime akademike në revista, libra, raporte pune, artikuj konferencash që analizojnë të dhënat e këtyre sondazheve.

Temat që ky studim përfshin sillen nga pjesëmarrja e qytetarëve në politikë, orientimet ideologjike dhe ndryshimet klimaterike, qëndrimet lidhur me sistemin demokratik dhe BE-në, pandeminë dhe Covid-19, migrimet dhe diskriminimin, vlerat njerëzore në kontekstin bashkëkohor, kontaktet sociale digjitale. (shih: https://isppi.ukim.edu.mk/sites/default/files/2023-03/1.-broshura-za-eoi.pdf)

Segmenti i parë i këtij hulumtimi të kontekstit të Maqedonisë së Veriut, shpalosur më 14 mars të këtij viti, flet për interesimin e qytetarëve për politikë, transparencën e sistemit politik, votimin dhe aktvizmin qytetar. Studimi tregon se vetëm 6% të qytetarëve të RMV-së janë të interesuar shumë për politikë, ndërsa 78% aspak ose pak janë të interesuar për këtë sferë relevante të jetës shoqërore. Vendi ynë qëndron në majë të vendeve me defetizëm politik (vetëm Çekia ka përqindje më të lartë 81 %).

Për gjendjen katastrofike në këtë drejtim flet edhe fakti se 6.1% besojnë se sistemi politik iu mundëson qytetarëve që të kenë ndikim në atë që bën qeveria; afër nesh është Bullgaria me 8 %, ndërsa shumë larg është Norvegjia, ku 23.5% besojnë se kanë shumë impakt në politikat qeveritare. 40% të qytetarëve tanë kanë pohuar se qeveria nuk iu mundëson atyre akces në vendimmarrje (48.6% dhe 51.7% në Bullgari dhe Kroaci respektivisht). Është për t’u habitur se dy vende anëtare të BE-së kanë një pikturë kaq negative në perceptimin e dyshes qytetari-vendimmarrje.

Aq shumë janë politikisht apatikë qytetarët tanë sa që 40.7% kanë pohuar se aspak nuk ndjehen të aftë për të marrë pjesë aktive në grupe që merren me politikë. (Наумовска, 2023:5) Për t’i përmirësuar punët në vend ose për të penguar që të mos shkojnë më keq, në 12 muajt e fundit vetëm 7.3% kanë nënshkruar një peticion (në vendet e ESS: 22.4%), 13.8% kanë bartur bexh ose rrobë të një opsioni politik (në totalin e vendeve të ESS: 6.7%), shumë pak kanë dhuruar para ose kanë marrë pjesë në aktivitete politike të një partie ose grupi (6.5%), ndërsa rreth 20% kanë kontaktuar një politikan në qeveri ose në komunë. Është shumë i paktë edhe numri i qytetarëve që kanë bojkotuar një prodhim të caktuar (6.3%) dhe që kanë marrë pjesë në protesta publike (8.8%); 16.8 % kanë publikuar ose shpërndarë online ndonjë përmbajtje lidhur me politikën. Njeriu i vendit tonë shumë më pak se sa në vendet europiane është i orientuar në aksione vullnetare në një organizate jofitimprurëse ose bamirëse (7.3% vs 19.9%). Rreth ¼ e qytetarëve të RMV jana fanatikë politikë, janë shumë të lidhur me një parti të caktuar politike (në vendet pjesëmarrëse në anketë 11.5%).

Sa i përket pozicionimit ideologjik  majtas-qendër-djathtas, konstatohet se tek ne dominon orientimi djathtist (36.2%) dhe ai i qendrës (35.2%), krahasuar me atë të majtë ku pozicionohen vetëm 28.6% të respondentëve. Në aspekt të djathtizmit më lart qëndrojnë Hungaria (50.6%), Çekia (48.6%) dhe Hollanda (43.2%), kurse prirje më majtiste kanë shprehur Mali i Zi (52.6%), Spanja (47.3%) dhe Gjermania (42%). E çuditshme është se vendi më centrist i kësaj ankete është Serbia (48.9%). Në Maqedoni 18% të qytetarëve nuk dinë ta pozicionojnë veten në shkallën majtas-djathtas. Në aspektin partiak, përderisa te maqedonasit etnikë të djathtit votojnë të djathtët (71.7%-shi i djathtëve votojnë VMRO-DPMNE) dhe të majtët të majtën, socialdemokracinë (61 % të tyre votojnë LSDM), ndër shqiptarë ky profilizim është i mjegullt: BDI-në e votojnë 52.4% qytetarët që ndjehen të majtë dhe 35.4% ata që ndjehen si të djathtë. (Цекиќ, 2023:4).

Një nga pyetjet e shtruara të këtij sondazhi ka qenë nëse qeveria duhet të marrë masa për t’i ulur dallimet në të ardhura: 82% e përgjigjësve të RMV-së kanë thënë “Po”. Përqindjen më të lartë në këtë drejtim e ka Portugalia (92%), vijojnë Bullgaria (85%) dhe Greqia (84%). Ndryshime në shpërndarjen e të ardhurave më së paku e kërkojnë çekët (46%), polakët (50%) dhe suedezët (54%). Matur në bazë të shkallës 1 deri më 10 lidhur me pranimin e një ‘lideri të fuqishëm që do qëndrojë mbi ligjet’ na shfaqet kjo tabllo: liderin e fortë më së paku e pranojnë islandezët (0.85), spanjollët (1.03), norvegjezët (1.11) dhe suedezët (1.24), kurse ne me 4.23 pozicionohemi në kategorinë e shoqërive që më së shumti i japin vizë një regjimi të ‘liderit mbi ligjet’ (Bullgaria – 4.56, Sllovakia – 4.38, Hungaria – 4.34). Në Maqedoninë e Veriut ithtarët e LSDM-së dhe BDI-së janë më të lidhur me kultin e liderit (5.61, 5.32, krahasuar me ata të VMRO-DPMNE-së, 3.81). Një gjetje interesante nga ky hulumtim është fakti se shumica absolute (85.4%) e qytetarëve të RMV-së – më e larta në të gjitha shtetet që janë pjesë e sondazhit – pohojnë se fëmijëve qysh në vegjëli duhet mësuar dëgjueshmërinë dhe respektimin e autoritetit, që do të thotë se nuk shihet me sy të mirë qasja kritike ndaj gjërave, dukurive dhe personaliteteve. Afër nesh janë francezët dhe krotatët me 80% dhe 72.9% respektivisht.

Mund të konstatojmë se në RMV mbizotëron një apati e fuqishme politike, se qytetarët shumë pak merren me aktivizëm civil, se nuk i kanë të qartë orientimet politike djathtas-qendër-majtas, se te shqiptarët kjo “mosdije politike” është më e theksuar. Respondentët kanë shprehur prirje të fuqishme për të ndjekur kultin e liderit që është mbi ligjin, që do të thotë se demokracia e mirëfilltë ende nuk është akomoduar në shoqërinë tonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button