Besa Transit të Shkupit i merret licenca

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve njoftoi se kompanisë Besa Trans – Shkup i  merret licenca për punë, përkatësisht i ndalohet kryerja e veprimtarisë, transmeton Portalb.mk.

Nga kjo ministri njoftojnë se sipas të dhënave të dorëzuara zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Brendshme, në lidhje me mjetin e djegur me numër regjistrimi SK-0284-BA në pronësi të kompanisë Besa Trans- Shkup, i cili ishte pjesëmarrës në aksidentin e trafikut me pasoja tragjike në Republikën e Bullgarisë, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka konstatuar se për automjetin e përmendur nuk ka të lëshuar a licencë për kryerjen e transportit ndërkombëtar të lirë të udhëtarëve dhe as për lloj tjetër të transportit publik të udhëtarëve.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thanë se i njëjti automjet nuk është i regjistruar në regjistrat elektronik të licencave të lëshuara dhe licencat për kryerjen e transportit publik të pasagjerëve vendas dhe/ose ndërkombëtar të lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

“Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka të regjistruara katër automjete të licencuara të kompanisë Besa Trans- Shkup, ku në mesin e tyre nuk është automjeti që ka marrë pjesë në aksident. Në bazë të nenit 12 të Ligjit për transportin rrugor, për shkak të mangësive të konstatuara nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, si dhe për të parandaluar çdo veprim tjetër të kompanisë që mund të shkaktojë pasoja negative, të kompanisë Besa Trans, i merret  licenca për punë, përkatësisht i ndalohet kryerja e veprimtarisë.” thanë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Nga atje shtojnë se kompania është e obliguar që menjëherë të depozitojë licencën për kryerjen e transportit ndërkombëtar të lirë të udhëtarëve në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve.

Në seancën e kaluar, Qeveria e Republikës së Maqedonisë udhëzoi Inspektoratin Shtetëror të Transportit që të bëjë kontroll të menjëhershëm të transportuesit Besa Trans- Shkup.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve shtuan se janë në koordinim të plotë me institucionet e tjera shtetërore dhe se janë në dispozicion me të gjithë bazën e të dhënave.

Ndryshe, aksidenti i autobusit të RMV-së në Bullgari ku humbën jetën 45 persona, 7 të tjerë janë plagosur, ndërkaq 1 nuk dihet se ku ndodhet, ka tronditur mbarë vendin dhe Evropën. Hetimin po e bën Prokuroria e Bullgarisë, ndërkaq të kyçur janë edhe ekspertë nga Maqedonia e Veriut.

Ende nuk dihen arsyet dhe shkaqet që kanë shkaktuar aksidentin. Ajo që dihet, sipas udhëtarëve të mbijetuar, është që autobusi fillimisht e ka humbur kontrollin, pastaj është përplasur në bankina dhe më pas është ndjerë një shpërthim dhe për shkurt kohë i tëri është djegur.

Në mesin e viktimave ka pasur edhe 12 fëmijë, por edhe të rinj dhe më të moshuar të cilët kishin qenë në një ekskursion në Turqi me agjencinë turistike “Besa Trans Shkup”.

Për shkak aksidentit tragjik, prej dje janë shpallur tre ditë zie në RMV dhe nga një ditë në Bullgari dhe Kosovë. Telegrame ngushëllimi arrijnë nga katër anët e botës.

Lajme tjera lidhur më këtë temë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button