Grupi punues për ndryshime kushtetuese filloi me punë, Caca Nikollovska u zgjodh kryetare, Pollozhani nënkryetar

Margarita Caca Nikollovska, ish gjykatëse në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEND), do të jetë kryetare e grupit punues për ndryshime kushtetuese. Bajram Bajram Pollozhani, ish gjykatës në Gjykatën Kushtetuese dhe profesor për të drejtën kushtetuese do të jetë nënkryetar. Kështu njëzëri votuan sot anëtarët e grupit punues për ndryshime kushtetuese, të cilët e mbajtën seancën konstituive, njofton Portalb.mk.

Takimi i grupit punues për ndryshime kushtetuese, foto: Ministria e Drejtësisë
Takimi i grupit punues për ndryshime kushtetuese, foto: Ministria e Drejtësisë

Grupi punues ka 23 anëtarë, nga të cilët 10 janë nga radhët e ekspertëve, 10 janë propozime të partive politike dhe 3 anëtarë janë nga institucione, Kabineti i Kryetarit të RMV-së, MPJ-së dhe SÇE-së.

Partitë opozitare, në mesin e të cilave edhe VMRO-DPMNE-ja edhe përskaj thirrjeve të pushtetit, kanë refuzuar që të marrin pjesë në grupin punues. Ata mbeten në qëndrimin se nuk do të mbështesin ndryshime kushtetuese dhe se të njëjtat nuk do të miratohen gjatë kohës së kësaj përbërje parlamentare.

Propozues i ndryshimeve kushtetuese është Qeveria, e cila ka ngarkuar Ministrinë e Drejtësisë që të formojë një grup pune. Detyrë e grupit punues do të jetë përgatitja e propozim-iniciativës për nevojën e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pas hartimit, propozimi do t’i dërgohet Qeverisë, e cila do të duhet ta dërgojë iniciativën në Kuvend. Propozimi do të kalojë në të gjitha trupat punuese në korniza të Kuvendit.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Viktorija Avramovska Madiq, anëtarëve të grupit punues u uruan punë të suksesshme dhe i porositën se ky është një shans historik për të arritur qëllimin tonë strategjik, anëtarësimin në BE.

Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese për futjen e bullgarëve në të, partia opozitare, Lëvizja Besa ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të ndryshon Amendamentin e pestë të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, ku kërkojnë që gjuha shqipe të jetë zyrtare si gjuha maqedonase dhe jo të llogaritet si gjuhë që e flasin së paku 20 përqind e qytetarëve. Për këtë nga Ministria e Drejtësisë njoftuan se kanë pranuar shkresën e kësaj partie dhe se të gjitha kërkesat në lidhje me ndryshimet  kushtetuese do të shqyrtohen në grupin punues.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së  propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Kujtojmë se negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, ku VMRO–DPMNE ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button