RMV, partitë opozitare kundër grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, ekspertët të ndarë në dy tabore
Ish-ministrja e drejtësisë dhe arsimit, e cila është edhe profesoreshë e së drejtës kushtetuese, Renata Deskoska, tha për “Telmën” se ende ka dyshime nëse do ta pranojë ftesën. Ajo thotë se akoma nuk e ka dhënë pëlqimin, por pjesëmarrja e saj do të varet nga detyra dhe formati i grupit, transmeton Portalb.mk.
“Nuk jam takuar kryeministrin dhe as ministrin e drejtësisë për ndryshimet kushtetuese. Nuk kam dhënë pëlqimin tim për të marrë pjesë në një grup pune për ndryshimin e Kushtetutës. Pjesëmarrja ime e mundshme do të varet nga detyra që do të caktohet dhe formati i grupit të punës. Për momentin janë të paqarta informacionet në opinion për këto çështje”, tha Deskoska për “Telmën”.
Nga ana tjetër, përgjigje pozitive dha profesori Jeton Shasivari, si dhe ish-gjyqtarja e Gjykatës së Strasburgut, Margarita Caca Nikolovska, e cila tha se në kuadër të përvojës së saj të pasur, është e gatshme të kontribuojë në këtë grup ekspertësh.
Por ka nga ata që refuzuan thirrjen. Njëri prej tyre është edhe akademiku Vllado Kambovski, i cili tha se ka marrë ftesë, por e ka refuzuar sepse aktualisht nuk ka konsensus politik dhe gjithashtu mendon se gjërat janë ngritur gabim. Ai tha se duhet të ketë një marrëveshje të fortë politike dhe mbështetje për ndryshimin e Kushtetutës dhe se ka një procedurë që duhet ndjekur.
Ndryshe, më herët sot oferta për të marrë pjesë në grupin punues ishte refuzuar nga partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE, lideri i së cilës Hristijan Mickoski tha se në këtë fazë është e pakuptimtë dhe se qeveria dëshiron ta politizojë procesin.
“Nuk do të marrim pjesë në grupin e punës, e kemi thënë shumë herë në të kaluarën, i kemi dhënë edhe arsyet sepse puna e këtij grupi punues është totalisht e pakuptimtë në këtë fazë. Edhe ekspertët më të lartë ligjorë komentojnë për këtë, se ky hap i parë është një përcaktim praktik i nevojës për hapjen e Kushtetutës, dhe nëse janë dy të tretat, atëherë tashmë është formuar Komisioni Kushtetues dhe janë shqyrtuar, hartuar amendamente etj. Tani është krejtësisht e kotë, duan ta politizojnë procesin. Këtu edhe një herë e deklaroj publikisht qëndrimin tim dhe nuk do të merrem më me atë temë, se VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë në punën e Komisionit të themeluar nga Ministria e Drejtësisë, qëllimi i të cilit është të punojë në amendamentet që nevojiten për ndryshimet kushtetuese”, tha Mickoski.
Përgjigje negative erdhi edhe nga Alternativa, ku thanë se nuk mund të ketë grupe pune për hartimin apo përgatitjen e amendamenteve kushtetuese derisa të arrihet një konsensus mes partive politike në mbështetje të këtyre ndryshimeve, të cilat janë të nevojshme për vazhdimin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Negativisht janë përgjigjur edhe Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit, nga ku kanë thënë se ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë është i papranueshëm pa reciprocitet, por edhe se përderisa Bullgaria mohon popullin maqedonas, si dhe autenticitetin e gjuhës maqedonase, Republika e Maqedonisë nuk duhet të fillojë procedurë për ndryshimin e Kushtetutës.
Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Kjo erdhi pas arritjes së propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.
Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, ku VMRO–DPMNE ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.
Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.