Pendarovski: Kërkesa e Bullgarisë për të marrë pjesë në ndryshimet kushtetuese është skandaloze

Presidenti Stevo Pendarovski ka komentuar kërkesën e Bullgarisë për përfshirje në procesin e ndryshimeve kushtetuese në vend. Ai e ka vlerësuar si “skandaloze” një kërkesë të tillë, transmeton Portalb.mk.

“Në shekullin e 21-të është absolutisht e papërshtatshme të kërkosh të ndërhysh në politikën e brendshme dhe në proceset e brendshme politike dhe kushtetuese. Në këtë kuptim, përgjigja jonë ndaj MPJ-së ishte e saktë”, tha presidenti Pendarovski.

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) dje informoi se procesi i ndryshimeve kushtetuese është çështje e brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila si obligim lidhet me negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kuvendi pritet të marrë një vendim të tillë, në mënyrë sovrane dhe në përputhje me interesat afatgjata të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të përfaqësuar në Kuvend dhe në këtë kontekst, nuk ka asnjë mundësi apo vullnet politik për përfshirje të qytetarëve dhe institucioneve nga jashtë, përfshirë edhe nga Republika e Bullgarisë. Një kërkesë e tillë as nuk është pranuar dhe as nuk është diskutuar mes ministrave Osmani dhe Millkov. Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në vazhdimin e dialogut politik me Bullgarinë, në frymën e fqinjësisë së mirë dhe Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, dhe shpreson në formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re bullgare”, thanë nga MPJ.

Në ndërkohë, vendi ka nisur përgatitjet për ndryshimet në Kushtetutë, me të cilat bullgarët do të bëhen pjesë e saj.

Ministria e Drejtësisë dërgoi korrespondencë me shkrim me kërkesë për nominim të përfaqësuesve në grupin e punës për ndryshim të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Korrespondencat, siç informuan nga Ministria e Drejtësisë, janë dërguar deri te Kabineti i presidentit Stevo Pendarovski, Ministria e Punëve të Jashtme, Sekretariati për Çështje Evropiane, partitë politike parlamentare, ekspertë të cilët kanë njohuri të materies kushtetuese. Afati për nominim të përfaqësuesit është më së voni deri më 10 prill sivjet.

Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, ku VMRODPMNE ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button