Ambasadorët e BE-së dhe Suedisë për ndryshimet kushtetuese: Nuk është vendim që do ta marrë BE-ja, i takon vendit (Video)

Ndryshimet kushtetuese nuk mund t’i bëjë Bashkimi Evropian, ndonëse BE-ja e dëshiron Maqedoninë e Veriut brenda saj, janë liderët e vendit që do të marrin vendimin. Kështu thotë ambasadorja e Mbretërisë së Suedisë në vend, Ami Larson Xhein dhe udhëheqësi i Delegacionit të BE-së në RMV, Dejvid Gir. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Qeverisë për çështje evropiane dhe kryenegociatori me BE-në, Bojan Mariçiq thotë se pyetja e vërtetë nuk është Bullgaria, pyetja e vërtetë sipas tij është nëse dhe sa shpejt duam të arrijmë në Bashkimin Evropian, shkruan Portalb.mk.

Ambasadorët, Geer dhe Larson Xhein theksojnë se procesi eurointegrues i RMV-së për momentin po zhvillohet në dy pista. Për procesin e skriningut ata thonë se vendi po ecë shumë mirë dhe vlerësohet me nota të shkëlqyera. Por çështja që tangon vendin janë ndryshimet kushtetuese të cilat rrjedhin nga marrëveshja që u arrit korrikun e vitit të kaluar përmes propozimit francez.

Ambasadorja e Mbretërisë së Suedisë, Ami Larson Xhein. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ambasadorja e Mbretërisë së Suedisë, Ami Larson Xhein. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ambasadorja e Suedisë, e pyetur për atë se çfarë pret në drejtim të ndryshimeve kushtetuese tha se janë shumë të vetëdijshëm se kjo është çështje kontestuese këtu, dhe ky nuk është një vendim që do ta marrë BE-ja, kjo varet nga liderët politikë të Maqedonisë së Veriut që të vendosin për atë pikë.

“Mendoj se këto janë pyetje që duhet t’i drejtohen lidershipit politik në Maqedoninë e Veriut, opozitës dhe qeverisë. Ajo që mund të them se BE-ja ishte shumë e qartë në dhjetor në samitin e Tiranës, se vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin familjes së BE-së, ndaj ne mezi presim ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut në familjen e BE-së, ky është qëndrimi i BE-së”, tha Larson Xhein.

Udhëheqësi i Delegacionit të BE-së në RMV, Dejvid Gir, Foto: Fisnik xhelili/Portalb.mk
Udhëheqësi i Delegacionit të BE-së në RMV, Dejvid Gir, Foto: Fisnik xhelili/Portalb.mk

Në të njëjtin mendim, ambasadori Geer theksoi se ndryshimet e kushtetutës janë një çështje që duhet të bëjë ky vend. Ai tha se në këtë drejtim do të jetë e rëndësishme të shohim saktësisht se cilat janë propozimet dhe kur të hartohen dhe të ketë një debat për ato propozime.

“Kjo është diçka që do të konsolidojë marrëdhëniet ndëretnike që deri tani vendi ka treguar rezultat të mirë. Ka shembuj të tjerë të vendeve të tjera, marrim Kroacinë ku kanë më shumë se 20 komunitete të përfshira në kushtetutë. Nuk cenon identitetin. Gjithashtu, gjëja e rëndësishme është të shihet në pamjen e përgjithshme më të madhe, siç e kam thënë, ajo që po shohim për momentin këtu është momentumi, jo vetëm këtu por edhe më gjerë. Është e rëndësishme ta kapni atë momentum. Është vendi që duhet të vendosë, por ne shpresojmë shumë që vendi të ecë përpara, askush tjetër nuk qëndron përgjatë rrugës, nuk ka veto, nuk ka bllokadë, hapi tjetër është në duart e këtij vendi”, tha Geer.

Ai shtoi se e duan RMV-në në BE, pasi është në interesin reciprok të këtij vendi dhe të BE-së për stabilitet, siguri, prosperitet, tregti dhe vlerat demokratike që vendi t’i bashkohet familjes evropiane.

“Ne duam të bëjmë gjithçka që mundemi për t’u siguruar që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, përfundoi Geer.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq në lidhje me atë se deri ku janë punët për fillimin e procedurave për ndryshimet kushtetuese dhe komisioni i ekspertëve për ndryshimet kushtetuese, thotë se e njëjta është nga fundi.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë për çështje evropiane dhe kryenegociator me BE-në, Bojan Mariçiq. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Zëvendëskryeministri i Qeverisë për çështje evropiane dhe kryenegociator me BE-në, Bojan Mariçiq. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Ne i kemi shfrytëzuar këto ditë për të biseduar me ekspertët që duhet të jenë pjesë e atij grupi dhe që duhet ta udhëheqin atë grup. Pres që në ditët në vijim të shpallet ai grup dhe të fillojmë menjëherë me formulimin e ndryshimeve kushtetuese. E dimë atmosferën në kuvend, ka një atmosferë ku opozita kërkon të shmangë temën e ndryshimeve kushtetuese. Nuk mendoj se është në favor të askujt, përkundrazi, mendoj se duhet ta hapim atë debat sa më parë”, tha Mariçiq.

Pyetja e vërtetë sipas Mariçiq nuk është Bullgaria, pyetja e vërtetë është nëse dhe sa shpejt duam të arrijmë në Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në brifingun e sotëm me gazetarët informoi se ende nuk ka nismë konkrete për ndryshimet kushtetuese dhe shtoi se konform Rregullores, debati plenar për ndryshim të Kushtetutës është i kufizuar në tre ditë për një amendament.

“Llogaria e kohës bëhet lehtë, nga momenti kur do të keni nisma. Nga nisma del shtrirja, që do të përfshihet, në cilin drejtim. Nëse nuk ka konsensus, flasim kot. Sa do që të ketë amendamente, debati plenar dhe i komisionit janë kufizuar nga tre ditë për ndryshimet kushtetuese. Detyrimi im fillon kur do të kem propozim, nismë konkrete”, tha Xhaferi.

Ai theksoi se që të mundet ndryshimet kushtetuese të merren në nëntor, procedura duhet të filloj në qershor ose korrik.

Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, ku VMRODPMNE ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button