Trysnia perëndimore, shkak që vendi pranoi armët taktike bërthamore ruse, sqarojnë nga Bjellorusia
Autoritet bjelloruse bënë të ditur të martën se trysnia politike dhe ekonomike nga Shtetet e Bashkuara, Britania, NATO dhe Bashkimi Evropian, u bë shkak që ky vend të pranojë vendosjen e armëve bërthamore ruse në territorin e saj, raporton VOA.
“Duke pasur parasysh këto rrethana dhe shqetësimet dhe rreziqet legjitime që rrjedhin prej tyre në sferën e sigurisë kombëtare, Bjellorusia është e detyruar të përgjigjet duke forcuar aftësitë e veta të sigurisë dhe mbrojtjes”, shkruhej në një deklaratë të ministrisë së Jashtme të Bjellorusisë.
Në deklaratë thuhej më tej se planet e Rusisë për të vendosur armë bërthamore taktike në këtë vend, nuk do të bien ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare, objektivi i të cilave është parandalimi i përhapjes së armëve bërthamore dhe se nuk do të jetë qeveria bjelloruse ajo që do të ketë kontrollin e këtyre armëve.
Presidenti rus Putin njoftoi të shtunën planet për vendosjen e armëve taktike bërthamore në Bjellorusi. Ai tha se shkak për këtë vendim është bërë mbështetja ushtarake në rritje e Perëndimit për forcat ukrainase, përfshirë vendimin e Britanisë javën e kaluar, për të dërguar mjete të blinduara në Ukrainë, që përmbajnë uranium të varfëruar.
Ndërkohë sot Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy pritet t’i drejtohet një takimi virtual organizuar nga Shtetet e Bashkuara për të diskutuar rreth asaj që ai e sheh, si një rrugë drejt një paqeje të qëndrueshme.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se Sekretari Antony Blinken do të drejtojë seancës, me pjesëmarrjen e ministra të jashtëm nga vende të tjera. Të pranishmit do të ndajnë mendimet e tyre rreth asaj që duhet bërë për t’i dhënë fund luftës që Rusia nisi në Ukrainë, më shumë se një vit më parë.
Ky aktivitet çon në një takim më të gjerë të nivelit të lartë, Samiti për Demokracinë, në të cilin do të marrë pjesë edhe Ukraina.
“Pozicioni ynë në mbështetje të lirisë do të tingëllojë i fortë, si gjithmonë”, tha zoti Zelenskyy në fjalimin e tij të përnatshëm të mbajtur ditën e hënë.