Ageler për ndryshimet kushtetuese: Mos të politizohet procesi, liderët të shohin interesin e vendit

Në lidhje me ndryshimet kushtetuese që Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë që të tejkalohet pengesa e mbetur në lidhje me procesin eurointegrues të vendit, mbrëmë ambasadorja e SHBA-ve në vend, Angela Ageler në emisionin “Rruga Drejt” në Alsat u shpreh se liderët politikë së pari duhet të kenë parasysh interesin e vendit dhe të qytetarëve. Ageler thotë se ndryshimet kushtetuese do të ishin një hap para drejt integrimit të vendit, transmeton Portalb.mk.

“Rruga më e mirë është që kjo të mos bëhet në një ambient të politizuar tej mase me retorikë të politizuar, të ecet përpara si liderë të cilësdo partie duke marrë parasysh interesin më të mirë të vendit dhe të qytetarëve të tij. Kjo përfshin votimin e amendamentit kushtetues dhe nënkupton të shkohet përpara si shtet. Se kur do të ketë zgjedhje, kjo varet nga zyrtarët dhe qytetarët të shprehin vullnetin e tyre te liderët e tyre. Por shpresa imë më e madhe është që liderët politik do të bëjnë çfarë duhet të bëjnë që të ecet drejt integrimit evropian”, deklaroi Ageler.

Ambasadorja foli edhe për procesin e vetingut, siç theksoi ajo është i rëndësishëm dhe sfidues në veçanti për sistemin e drejtësisë.

“Vetingu mund të jetë shumë sfidues, ashtu siç e kemi parë në disa shtete të tjera ku nuk ka funksionuar mirë. Është posaçërisht sfidues në sistemin e drejtësisë për shkak të nevojës për të vlerësuar ata që janë tashmë në pozitë dhe në një sistem ku korrupsioni veçmë ekziston, është shumë e rëndësishme të sigurohesh që ai proces është tërësisht transparent dhe i drejtë. Vetingu në SHBA bëhet përpara se të marrësh postin. Nuk kemi mjaftueshëm kohë që t’ua përshkruaj vetingun që unë kam kaluar për t’u nominuar dhe për t’u konfirmuar si Ambasadore e SHBA-së. Shpresoj që ky vend të gjejë një mënyrë për ta zhvendosur ventingun në proces që përpara se njerëzit të marrin postet e tyre, në një mënyrë që është më e përshtatshmja për atë institucion”, u shpreh Ageler.

Në lidhje me listën e zezë amerikane, Ageler nënvizoi se sanksionet e SHBA-së nuk nënkuptojnë përgjegjësi ligjore për ata persona këtu dhe se institucionet e vendit janë ata që duhet të mbajnë përgjegjësi për të korruptuarit.

“SHBA-të mund të sanksionojnë një individ, por ne nuk i burgosim ata, nuk vijmë këtu dhe t’i arrestojmë, ne vetëm u themi atyre se u vendosim sanksionet e caktuara financiare, ose që nuk do të munden më të udhëtojnë në SHBA, ose çfarëdo forme të sanksioneve që marrin. Çfarë është shumë e rëndësishme, dhe këtu do t’i kthehem synimit tim të mëhershëm, është se çfarë ndodh këtu, çfarë ndodh në këtë vend. Sanksionet tona nuk ndryshojnë procedurat ligjore ose zbatimin e ligjeve në këtë vend. Kështu që, SHBA-të mund të thonë, ja ku i keni dy emra të njerëzve që ne do t’i sanksionojmë dhe siç e kemi parë me rastet që cituat, sanksionet mbesin pavarësisht vendimeve gjyqësore që janë marrë për ata individë, por nuk nxisin asnjë proces gjyqësor këtu. Kjo i takon qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kjo u takon zyrtarëve të zgjedhur nga njerëzve të këtij vendi. Ata duhet të thonë: ne kërkojmë nga të zgjedhurit tanë të mbajnë përgjegjësi për korrupsionin që shohim çdo ditë”, tha Ageler.

Mes tjerash, ajo u pyet edhe rreth kompanisë mbikëqyrëse për të cilën është raportuar se ka prapavijë kriminele dhe dyshime për para ruse. Ambasadorja u shpreh se kjo është çështje e ndarë nga marrëveshje me “Behtel-Enkën” e cila u firmos rreth dhjetë ditë më parë.

“Ne jemi shumë të kënaqur që ta kemi këtë kompani amerikane shumë të njohur dhe të respektuar “Behtel” e cila ka treguar ekspertizën dhe aftësinë e saj për të kompletuar projekte të cilësisë së lartë dhe me standard globale, brenda kornizave kohore dhe brenda buxhetit të paraparë, siç e kemi parë në Kosovë me projektin e tyre fantastik atje dhe projektin në të cilin punojnë në Serbi. Ne jemi shumë të lumtur që kemi prezentë një kompani amerikane në projektin më të madh infrastrukturor. Kjo është e ndarë me akuzat për këshilltarët e transaksioneve financiare. Ajo që ne kemi thënë vazhdimisht është se nëse ka akuza për korrupsion, hetoni ato. Hetoni dyshimet dhe nëse ata janë të vërteta, ndiqni penalisht! Por, ne jemi shumë të sigurt se ata nuk janë për “Behtelin”, tha Ageler.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button