Nënkryetari i KE-së për RMV-në: Tani është koha për fazën tjetër – hapjen e klasterëve, pas ndryshimeve kushtetuese
Procesi i evropianizimit në Ballkan është i pakthyeshëm, të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, janë të vendosur në rrugën drejt BE-së, thotë nënkryetari i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, në një deklaratë për MIA-n, dhënë më margjinat e Konferencës në Selanik, kushtuar rolit të agjencive të lajmeve në informimin objektiv dhe luftën kundër dezinformatave në realitetin e ri të Ballkanit, organizuar nga Asociacioni i Agjencive Ballkanike të Lajmeve – Evropa Juglindore (AABL-EJL), transmeton Portalb.mk.
Në fjalën e tij në Konferencë, Schinas tha se tani është momenti që rajoni të evropianizohet, në vend që BE-ja të ballkanizohet, siç ka ndodhur shumë herë në të kaluarën.
I pyetur që të japë sqarime se si të evropianizohet rajoni në të cilin ka shumë çështje të hapura dypalëshe, të cilat nuk janë sipas standardeve evropiane, siç është kontesti mes Sofjes dhe Shkupit, Schinas theksoi se nëse shikoni prapa në histori ka pasur shumë shembuj të ballkanizimit të politikës evropiane.
“Mesazhi im kryesor ishte se kur hedhim një vështrim prapa në histori, shumë herë kemi parë ballkanizim të politikës evropiane. Ne e dimë se çfarë do të thotë – vuajtje, luftëra, ndarje. Por ajo që nuk kemi parë deri më tani është evropianizimi i rajonit të Ballkanit. Dhe kjo po ndodh tani, vetëm në 20 vitet e fundit, është e re dhe është diçka pozitive, është një hap inkurajues. Shumica e vendeve janë tashmë të vendosur në rrugën e anëtarësimit në BE. Maqedonia e Veriut është një shembull, ku unë mendoj se BE-ja nuk ishte gjithmonë shumë e drejtë, sepse ne kërkuam shumë gjëra të ndryshme dhe ju i dhatë ato. Tani duhet të kalojmë në kapitullin tjetër, që është hapja e negociatave sipas kapitujve dhe mbyllja e këtyre kapitujve, pasi të keni zbatuar ndryshimet kushtetuese për të cilat jeni angazhuar”, thotë Schinas.
Për sa i përket faktit nëse realisht beson se rajoni do të evropianizohet shumë shpejt, ai thotë se është një proces i pakthyeshëm.
“Besoj fort se ky është një proces i pakthyeshëm, i cili nuk ka alternativë. Mbështetet nga shoqëria dhe është një proces i favorshëm, kur në këto kohë të trazuara gjeopolitike bëhet e qartë se Evropa ka nevojë për rajonin dhe rajoni ka nevojë për Evropën. Prandaj, po, mund të akuzohem për optimizëm, por vërtet besoj se procesi është i pakthyeshëm”, siguron Schinas.
Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Kjo erdhi pas arritjes së propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.
Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.
Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.
Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.
Më shumë lajme në lidhje me procesin e skriningut gjeni duke klikuar KËTU.