Ndryshimet kushtetuese, LSDM dhe VMRO bëjnë llogaritjet kush sa deputetë ka

Opozitarja VMRO-DPMNE thotë se 3 deputetë të LSDM-së nga njësia e parë dhe e dytë zgjedhore nuk pajtohen me ndryshimet kushtetuese, duke shtuar këtu edhe 6 deputet të tjerë të koalicionit të cilët nuk pajtohen me politikat e LSDM. Nga kjo parti thonë se situata brenda LSDM-së është e tensionuar, ndërsa Kovaçevski ka thirrur në një koordinimin grupor me deputetët e LSDM-së për t’i bindur për t’i mbështetur ndryshimet kushtetuese, transmeton Portalb.mk nga TV21.

“Prej këtu parashtrohet pyetja se a është e vërtetë se ka kërkuar nga deputetët të dalin me qëndrim të përbashkët dhe dokument i cili do të nënshkruhet nga çdo deputet individualisht se pa kushte do të votojnë për ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Gjithashtu dokumentin kanë pasur plan që dokumentin ta publikojnë mbrëmë me çka do t’i kishin përgënjeshtruar deklaratat tona, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të mospajtimit nga ana e deputetëve tashmë të përmendur”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.

I menjëhershëm ishte reagimi i  LSDM-së. Thonë se numërimi i deputetëve është pikë e dobët e Micskokit, ndërsa përsërisin qëndrimin se edhe në VMRO-DPMNE ka deputetë që nuk pajtohen me qëndrimin antieuropian të Mickoskit, ndërsa janë të gatshëm të mbështetin çdo hap drejt BE-së.

“Numërimi i deputetëve është shumë pikë e dobët e Hristijan Mickoskit. Këtë e ka treguar disa herë deri më tani. Njëjtë siç thoshte se i ka 61 deputetë për shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve në maj. Të dëshpëruara janë përpjekjet e Mickoskit, matematikat e gabuar dhe shpifjet e të reja do t’i kthehen si bumerang shumë shpejt”, thonë nga LSDM.

Derisa nga VMRODPMNE janë të sigurt se deputetët e tyre nuk do të lëvizin asnjë milimetër nga qëndrimi dhe nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi thotë se ka deputetë të VMRO-së që do t’i mbështesin këto ndryshime. Për pohimet e VMRO-DPMNE-së se një deputet i BDI-së ka kërkuar para në këmbim të votës, Grubi tha se kjo nuk është e vërtetë.

“Absolutisht nuk është e vërtetë. Nuk ka deputet as në BDI e as ndonjë deputet shqiptar ose ndonjë deputet tjetër në shumicën parlamentare progresive që kushtëzon ndryshimet kushtetuese për Maqedoninë e Veriut europiane dhe mendoj se adresa është në tjetër vend, në selinë e VMRO-DPMNE-së”, theksoi Artan Grubi, BDI.

Grubi deklaroi se që sot fillojnë përpjekjet për të siguruar shumicën e nevojshme për të përfshirë bullgarët në Kushtetutë, ndërsa është i sigurt se kjo gjë do të arrihet, njëjtë siç u arrit edhe për Marrëveshjen e Prespës. Por sipas Lidhjes Demokratike të Pavle Trajanov, Qeveria në vazhdimësi flet për ndryshimet kushtetuese, por deri tash nuk ka asgjë konkrete.

“Lidhja Demokratike konfirmon qëndrimin se është e mundur që bullgarët të përfshihen në Kushtetutë, por në baza reciproke, pra të njihet e drejta për organizimin e maqedonasve në Bullgari”, thonë nga Lidhja Demokratike.

Vendi ka afat deri në vjeshtë të bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, duke i futur edhe bullgarët në Kushtetutë, si kusht për të vazhduar rrugën drejtë BE-së, në të kundërtën ndalen bisedimet mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së  propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button