VMRO-DPMNE edhe kërkon ta shohë Marrëveshjen me “Behtel Enka”, edhe nuk shkon në Kuvend ta caktojë vendin e takimit

Edhe pse VMRO-DPMNE-ja opozitare nëpërmjet deputetëve të saj që kanë certifikatë të sigurisë kërkon që t’i shohë të dhënat e klasifikuara dhe përmbajtjen e Marrëveshjes së Qeverisë me kompaninë amerikane “Behten dhe Enka”, sot në mëngjes nuk mori pjesë në koordinimin te kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, njofton Portalb.mk.

“Zgjedhni komision dhe trup punues në të cilën deputetët e certifikuar të gjithë bashkë do ta shohin Marrëveshjen”, thonë nga LSDM, transmeton SDK.

“Nuk shkojmë që të na prezantoni Marrëveshjen, kërkojmë që kolegëve me certifikatë sigurisë t’u jepet në duar origjinali, ndërkaq neve të tjerëve që nuk jemi të certifikuar, tërë Marrëveshja prej 500 faqeve, me përmbajtje të mbuluar ku është e klasifikuar. Tek pastaj mund të shkojmë në seancë”, thonë nga opozita.

“Qëndrimi ynë në koordinim është që deputetët e VMRO-DPMNE-së të vendosin ku dëshirojnë (në cilin komision dëshirojnë) dhe kur duan që ta kontrollojnë Marrëveshjen. Shpresojmë që do të vendosin që ajo të bëhet shpejtë që të ndalojmë të gjitha spekulimet për projektin më të madh infrastrukturore me interes nacional për shtetin”, thonë nga LSDM.

“Na jepni Marrëveshjen të gjithë deputetëve dhe mbuloni të dhënat e klasifikuara”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër, deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, ka akuzuar VMRO-DPMNE-në dhe Levicën se po i bllokon ligjet me vetëdije dhe qëllimisht, nën arsyetimin se nuk po u jepet marrëveshja për ta parë.

“Milloshovski gënjen. Millosovski gënjen paturpësisht. Krijon qëllimisht lajme të rreme dhe mashtron publikun. Ne, një grup deputetësh, kemi dorëzuar një ligj që ndërtimi të zgjasë më shkurt dhe më lirë. VMRO-ja së bashku me LEVICA-n po bllokon ligjet me vetëdije dhe qëllimisht po i kushton qytetarëve mbi 150 milionë euro dhe dy vite të tjera të humbura nga jeta e tyre. Nëse kërkojnë justifikime për të bllokuar ligjet, le të gjejnë një arsye më logjike dhe jo të përdorin gënjeshtra. E kërkuan kontratën, do ta marrin dhe le të vendosin vetë se cilin komision duan ta mbajnë dhe të vendosin vetë se kur do të mbahet. Me sa duket tani po sajojnë gënjeshtra për të vazhduar spekulimet për projektin më të madh strategjik të shtetit. Kjo është një gënjeshtër e plotë dhe një gënjeshtër brutale”, shkruan Ademi në Facebook.

Talat Xhaferi i rikujtoi deputetët e opozitës se iniciativa për kontroll është e tyre. E ftoi opozitën që të propozojë trup kompetent që të kontrollohet Marrëveshja dhe të caktohet datë kur ajo do të ndodh.

“Një prej pikave të rendit të ditës në koordinimin e sotëm në të cilin nuk ishte VMRO-DPMNE ishte edhe prezantimi i Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d përpara deputetëve të Kuvendit. Duke e pasur parasysh që Marrëveshja është e klasifikuar, gjegjësisht vetëm deputetët bartës të certifikatës së sigurisë kanë qasje në përmbajtjen e saj, Marrëveshja do të shqyrtohet në seancë të Komisionit e cila do të jetë e mbyllur për opinionin dhe në të do të marrin pjesë vetëm deputetët që kanë certifikatë sigurie. Qëndrimi i të pranishmëve në koordinimin e sotëm është se, duke e pasur parasysh se iniciativa është e opozitës, ndërkaq opozita nuk merr pjesë në koordinim, atëherë opozita të propozojë trup kompetent për kontroll të Marrëveshjes dhe të njëjtën ta dorëzojë te kryetari dhe të caktojë datë kur do të kontrollohet Marrëveshja”, njoftuan nga Kabineti i Xhaferit.

Menjëherë pas hapjes së seancës së komisionit, deputetët do të deklarohen për mbylljen e seancës për opinionin, paralajmëroi kryetari i Kuvendit.

Ndryshe, deputetët e VMRO-DPMNE-së para dhjetë ditësh përmes një letre kanë kërkuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski që kontratën, e cila është e klasifikuar, t’ua dorëzojë përfaqësuesve të zgjedhur që kanë certifikatë sigurie. Në VMRO-DPMNE janë nëntë të tillë.

Qeveria më pas njoftoi se përfaqësuesit e saj dhe anëtarët e Komisionit për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d do të paraqesin dokumentacionin dhe detajet e kontratës, por VMRO-DPMNE u përgjigj se nuk mund t’u prezantohet vetëm kontrata sepse ata që kanë certifikatë sigurie kanë të drejtë aksesi në çdo dokument të shënuar “sekret shtetëror”.

Të premten, kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke folur se kur do t’u prezantohet marrëveshja deputetëve, tha se pret të marrë reagime nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Ndërkohë, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-d me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button