Kovaçevski dhe Rama shprehën ngushëllime pas të shtënave në Beograd

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kanë reaguar në lidhje me ngjarjen në një shkollë fillore në Beograd të Serbisë, ku mbetën të vrarë 8 fëmijë dhe një roje, transmeton Anadolu.

Kryeministri Rama në rrjetet sociale ka shkruar se është jashtëzakonisht e trishtueshme të dëgjosh “për të shtënat e sotme pa dallim në një shkollë të Beogradit”.

“Ngushëllimet e mia më të thella shkojnë për familjet e viktimave, si dhe për popullin dhe autoritetet serbe. Uroj shërim të shpejtë për të lënduarit në këtë ngjarje tragjike”, shkruan Rama.

Edhe kryeministri Kovaçevski ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke thënë se është një lajm tragjik dhe se “nuk ka fjalë për të kompensuar dhimbjen dhe pikëllimin e atyre që humbën sot njerëzit e tyre të dashur”.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta për jetët e humbura. Mendimet tona janë me popullin serb dhe familjet e të vdekurve dhe të lënduarve, duke shpresuar për një shërim të shpejtë”, ka shkruar Kovaçevski.

Kujtojmë se Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka njoftuar se nga të shtënat me armë zjarri që kanë ndodhur mëngjesin e sotëm në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Vraçar të Beogradit janë vrarë 8 fëmijë dhe një roje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button