RMV, urgjentisht nevojiten ndryshime në Ligjin për arsimin e të rriturve, MASh nuk tregon se në ç’fazë ndodhet

Komisioni Evropian në raportin e fundit të progresit për Maqedoninë e Veriut, rekomandoi që urgjentisht të miratohet Ligji për arsimin e të rriturve. Nga miratimi i këtij ligji kanë kaluar 15 vjet dhe ka lindur nevoja për miratimin e një ligji të ri. Megjithatë, vendi akoma ka mbetur në kuadrin e propozimeve, të paktën sipas përgjigjes nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Portalb.mk, nuk potencohet se çfarë po ndodh me ligjin në fjalë dhe në cilën fazë ndodhet.

Ndryshimet e propozuara në ligjin e ri i referohen para së gjithash vlefshmërisë së mësimit joformal dhe informal, por edhe avancimit të procesit të verifikimit të programeve speciale për arsimin e të rriturve, si dhe rolit, qëllimeve dhe detyrave të Qendrës për arsimin e të rriturve. Masa e validimi, cilat do t’u mundësojnë individëve të fitojnë kualifikime ose pjesë të kualifikimeve bazuar në njohuritë, aftësitë dhe kompetencat e vërtetuara. Edhe pse ka kohë që flitet për këto ndryshime, asgjë deri më sot nuk ka dalë në dritë.

Redaksia jonë pyeti Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës se cilat do të ishin risitë e zgjidhjes së re ligjore dhe nëse kjo nismë parashikohet të realizohet në një të ardhme të afërt, por për këtë të fundit nuk morëm përgjigje.

Nga Ministria sqaruan vetëm se në kujt i referohen ndryshimet e propozuara dhe çfarë ndikimi do të kenë të njëjtat në sistemin arsimor, por edhe tregun e punës.

“Me miratimin e Kornizës kombëtare të kualifikimeve, lindi nevoja për harmonizimin e Ligjit për arsimin e të rriturve me Ligjin për kornizën kombëtare të kualifikimeve. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me Qendrën për Arsimin e të rriturve, gjatë përgatitjeve për përcaktimin e prioriteteve në arsimin e të rriturve, shqyrton të gjitha aktivitetet – të realizuara dhe në vijim. Janë marrë parasysh rezultatet e arritura përmes projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, si dhe projektet e realizuara me mbështetjen e Zvicrës dhe Gjermanisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Një nga prioritetet më të rëndësishme për periudhën e ardhshme, sipas kësaj Ministrie, i cili do të jetë në fokus, por edhe në interes të përbashkët, është ngritja e një sistemi për vlefshmërinë e të mësuarit joformal dhe informal. Sistemi i vlefshmërisë së të nxënit joformal dhe informal do të mundësojë marrjen e kualifikimeve për personat pa ose me nivel të ulët kualifikimi dhe nëpërmjet kësaj do të pritet përfshirja më e madhe e tyre në tregun e punës, me qëllimin përfundimtar uljen e shkallës së papunësisë në vend.

“Si vend kandidat për anëtarësim në BE, vendi ndjek rekomandimet e Këshillit të BE-së. Për më tepër, përvoja e dhjetë viteve të fundit ka treguar se është i nevojshëm përmirësimi i sistemit të verifikimit të programeve speciale të arsimit të të rriturve (programet e arsimit joformal). Ligji i ri do të përmirësojë cilësinë e arsimit joformal të të rriturve dhe Qendrës për Arsimin e të Rriturve do t’i mundësohet zhvillimi i programeve speciale për arsimin e të rriturve”, thonë nga MASh.

Jeton Shaqiri
Jeton Shaqiri

Në nëntor të vitit që lam pas ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, mbajti  takim koordinues me përfaqësuesit e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, ku dhe u diskutua për tri ligjet e rëndësishme për avansimin e cilësisë së procesit arsimor në vend, të cilat për momentin  janë në proces të diskutimit dhe miratimit-Ligjin për Arsimin e Mesëm, Ligjin për Arsimin dhe Trajnimin Profesional dhe Ligjin për Arsimin e të Rriturve.

“Me sjelljen e këtyre zgjidhjeve ligjore, sistemi arsimor në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të rrisë cilësinë, ku të njetit do të mundësojnë arritjen e standardeve nacionale në arsim, si dhe përvetësimin e shkathtësive përkatëse tek nxënësit të shkollave të mesme publike dhe profesionale të vendit, si dhe validimin e mësimit joformal dhe informal, si dhe avancimin e procesit të verifikimit të programeve të posaçme për arsimin e të rriturve”, theksoi Shaqiri.

Gjithashtu Duke qenë se kanë kaluar më shumë se 15 vjet nga sjellja e  Ligjit për Arsimin e të Rriturve, Shaqiri potencoi se ka nevojë për sjelljen e një zgjidhjeje të re ligjore.

Megjithatë, përveç përmendjes së nevojës dhe propozimit të ndryshimeve, deri tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim dhe as që dihet se kur do të bëhet, edhe pse, edhe sipas vetë përgjigjes së MASh-it sipas rekomandimit të Këshillit të Bashkimit Evropian për vlefshmërinë e të mësuarit joformal dhe informal, nga 20 dhjetori 2012, shteteve anëtare dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse u kërkohet të vendosin masa validimi deri në vitin 2018, të cilat do u mundësojnë individëve të fitojnë kualifikime ose pjesë të kualifikimeve bazuar në njohuritë, aftësitë dhe kompetencat e vërtetuara.

Ndryshe me këtë ligj rregullohen organizimi, struktura, financimi dhe menaxhimi i sistemit të arsimit të të rriturve. Arsimi i të rriturve është pjesë e sistemit unik arsimor të Republikës së Maqedonisë.

Qëllimi i arsimit të të rriturve është të ofrojë mundësinë për të fituar nivel arsimor të përshtatshëm për të gjithë dhe për të gjitha grupmoshat dhe t’u mundësojë atyre të fitojnë njohuri, aftësi dhe qëndrime që do të jenë në përputhje me kërkesat e shoqërisë dhe të tregut të punës.

Detyrat e arsimit të të rriturve janë:

  • përfundimin e të paktën arsimit të detyrueshëm,
  • trajnimi për punësim për të rriturit që nuk kanë përfunduar arsimin për nivelin e parë të kualifikimeve profesionale,
  • parakualifikimin dhe derikualifikimin, trajnimin dhe zhvillimin e të rriturve të punësuar dhe të papunë,
  • mundësimin e arsimit dhe përvetësimin e njohurive dhe aftësive që korrespondojnë me aftësitë personale dhe moshën e individëve dhe
  • përvetësimi i aftësive dhe kompetencave bazë që ofrojnë bazën për të mësuarit gjatë gjithë jetës.

Kujtojmë se në raportin e KE-së, Maqedonia e Veriut u vlerësua me përparim të kufizuar në arsim dhe kultur dhe vazhdon të mbetet mesatarisht e përgatitur në këtë fushë. Përparimi i kufizuar, thuhej në raport, edhe më tepër është ndikuar nga pandemia Kovid-19. Shpenzimet publike për arsimin dhe trajnimin vazhdojnë të jenë larg mesatares së BE-së. “Ligji për arsimin e të rriturve duhet miratuar urgjentisht dhe nevojitet qartësi e mëtejshme për hapat e ardhshëm të reformës. Duhet të përmirësohet qasja në arsimin cilësor për të gjithë, thuhet në raportin mbi kapitullin 26 – Arsimi dhe kultura”, thuhet në raportin e KE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button