Alternativa e autorizioi Gashin të fillojë bisedimet për bashkëpunime potenciale në kuadër të opozitës shqiptare
Kryesia Qendrore e Alternativës autorizoi kryetarin e partisë, Afrim Gashin që të fillojë bisedimet për bashkëpunime të ardhshme potenciale në kudër të opozitës shqiptare, qoftë ajo në kuadër të Kuvendit, apo në kuadër në bashkëpunimeve eventuale të ardhshme të koalicionit, theksoi në një deklaratë për media zëdhënësi partiak, Orhan Murtezani, transmeton Portalb.mk.
“Nga ana e Alternativës kjo vlerësohet si një hap në drejtim të bashkëpunimeve të ardhshme eventuale dhe deri te kjo ka ardhur si rezultat i dëgjimit të zërti të elektoratit shqiptar në Maqedoni, i cili tash më 20 vite insiston në ndryshime”, tha Murtezani pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë Qendrore të partisë.
Në pyetjen e gazetarëve se deri ku mund të shkojë bashkëpunimi me Lëvizjen Besa dhe a mund të ketë ndonjë bashkëpunim koliacioni në zgjedhet e ardhshme, Murtezani tha se nuk e kanë kufizuar se si do të rrjedhë ky bashkëpunim.
“Nuk e kemi kufizuar se si do të rrjedhë ky bashkëpunim. Për këtë, Kryesia Qendrore autorizoi kryetarin pa asnjë kufizim, qoftë për bashkëpunim në kuadër të Kuvendit, apo qoftë për koalicion të mundshme parazgjedhore në të ardhmen. Jemi të gatshëm dhe të hapur për çdo lloj bashkëpunimi”, tha ai.
Alternativa është parti e dalë nga Lëvizja Besa pas ndarjeve që ndodhën për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale të 2017-ës.
Partia, Alternativa u krijua në vitin 2019-të, pasi u shkëput nga Lëvizja BESA për shkak të mosmarrëveshjeve me kryetarin e partisë Bilall Kasami. Pas dështimit në zgjedhjet lokale të vitit 2017-të Afrim Gashi, dhe një pjesë e partisë, të cilët ishin pjesë e themeluesve të Lëvizjes BESA në vitin 2014, kërkuan dorëheqjen e Kasamit.
Kasami nga ana tjetër refuzoi të dorëhiqet. Madje, grupet e Kasamit dhe Gashit e shkarkuan njëri-tjetrin nga funksionet partiake. Partia u nda në dysh dhe për disa muaj, të dyja palët thirreshin në emrin dhe logon e Lëvizjes BESA, derisa Gjykata Themelore Shkupi 2, vendosi që vulën dhe logon t’ia lë në pronësi Kasamit.
Për këtë, grupi i Gashit formoi dhe partinë Alternativa, e cila për një kohë ishte në koalicion me Aleancën për Shqiptarët, por i ndanë udhët pasi që në dhjetor të vitit 2021, Alternativa iu bashkua koalicionit qeveritar, i cili u riformatua pasi Zoran Zaev dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit dhe kryetarit të partisë LSDM pas humbjes së thellë në zgjedhjet lokale të vitit 2021.
Megjithatë, Alterantiva u bë parti opozitare, pasi u largua nga Qeveria pas rindërtimit të fundit të saj, që solli Aleancën për Shqiptarët në shumicën qeverisëse.