Futja e etnive tjera në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, nuk e kërcënon identitetin maqedonas, vlerësoi zëvendësministrja e drejtësisë

Përfshirja e etnive tjera në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, përmes ndryshimeve kushtetuese, nuk e dëmton identitetin e popullit maqedonas, vlerësoi numri dy i Ministrisë së Drejtësisë, Viktorija Avramovska Madiq, transmeton Portalb.mk.

“Përfshirja e kombeve të tjera në Preambulën e Kushtetutës nuk do të rrezikojë identitetin e popullit maqedonas”, deklaroi Avramovska-Madiq, duke sqaruar që grupi i punës do të propozojë çështjet që do të përfshihen në ndryshimet kushtetuese.

Ajo theksoi që së shpejti grupi i punës për ndryshimet kushtetuese do të plotësohet me ekspertët, duke u përcaktuar edhe metodologjia e punës. Me pëlqimin e 80 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, procedura për ndryshime kushtetuese do të fillojë në Komisionin për Çështje Kushtetuese.

“Më vjen keq që opozita nuk pranoi të marrë pjesë në grupin punues për ndryshimet kushtetuese. Propozues i ndryshimeve kushtetuese është Qeveria, që teksti të vijë në Kuvend, dikush duhet ta përgatisë, t’ia japë Qeverisë dhe pastaj ia propozon Kuvendit”, thekson Avramovska.

Ndryshe, në prag të formimit të grupit punues për ndryshime kushtetuese, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, katër ditë më parë ka konfirmuar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në këtë proces, duke vlerësuar se në këtë fazë është e pakuptimtë dhe se qeveria dëshiron të politizojë procesin .

Partitë opozitare nga blloku shqiptar, të cilat nuk propozuan përfaqësues të tyre në grupin e punës, i shpjeguan këto vendime duke thënë se ndryshimet kushtetuese kërkojnë konsensus nga të gjitha partitë. Ky është qëndrimi i Alternativës, të cilin ditë më parë e ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i partisë, Zekirija Ibrahimi. Kryetari i Besës dhe kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, nga ana tjetër, tha se nuk janë kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, por se do të mbështesin ndryshime të tilla nëse formulimi “gjuha e folur nga 20 përqind e qytetarëve” të zëvendësohet me “gjuha shqipe”. I ngjashëm është edhe qëndrimi i fraksionit të BDI-së, i udhëhequr nga i ashtuquajturi “Grupi i Zjarrit”, nga ku kërkuan të jenë pjesë e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese.

Kujtojmë se negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, ku VMRODPMNE ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button