RMV, grupi punues për reforma në legjislacionin zgjedhor mbajti seancën konstituive, VMRO nuk mori pjesë

Grupi punues për reforma në legjislacionin zgjedhor ka mbajtur seancën konstituive. Kryetar i grupit punues është Aleksandar Novakovski, ekspert dhe ish-kryetar i KShZ-së. Ky grup punues do të ketë për detyrë zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe do të punojë në Kodin e ri Zgjedhor. Në grupin punues, ashtu edhe siç ishte paralajmëruar, nuk ka marrë pjesë VMRO-DPMNE, së cilë parti ministri Lloga i bëri thirrje që t’i bashkëngjiten grupit punues dhe nëpërmjet të procesit debatues dhe diskutues t’i parashtrojnë të gjitha propozimet dhe iniciativat për reforma në legjislacionin zgjedhor, transmeton Portalb.mk.

“Ky proces është gjithëpërfshirës dhe në të janë përfshirë përfaqësues të partive politike, organizatave joqeveritare, sindikatave, ministrive dhe organeve përgjegjëse për zbatimin e procesit zgjedhor. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga dhe zëvendësministrja, Viktorija Avramovska Madiq, anëtarëve të grupit punues u dëshiruan punë të suksesshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisës së Drejtësisë. 

Kryetari i Komisionit, Novakovski, së fundi në një intervistë për MIA-në theksoi se rekomandimet e OSBE-së dhe ODHR-it duhet të trajtohen seriozisht, të cilat nuk përfshijnë vetëm diskutim për një njësi zgjedhore, por hapin edhe një sërë çështjesh të tjera.

Pjesëmarrës me përfaqësuesit kanë qenë  LSDM, BDI, Aleanca për Shqiptarët, BESA, Alternativa, E Majta dhe Bashkimi Demokratik.

VMRO-DPMNE-ja dje përsëri bëri me dije se do të marrin pjesë vetëm nëse qeveria do të paraqesë propozim për një njësi zgjedhore dhe se do ta mbështesin kur të jetë koha e votimit.

Pjesë e temave që iu imponuan opinionit në periudhën e kaluar ishin pragu, financimi i partive, përfaqësimi mediatik, por edhe anëtarët në KSHZ që vijnë me propozim të partive. Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor janë bërë në prill të vitit 2021 dhe kanë të bëjnë me identifikimin biometrik.

Grupi punues, i cili duhej të punonte për përgatitjen e Kodit të ri Zgjedhor, ishte formuar nga paraardhësi i Llogës, Nikolla Tupançevski, por nuk filloi punën për shkak se Besa dhe VMRO-DPMNE nuk i caktuan përfaqësuesit e tyre.

Rikujtojmë se më 13 mars, ambasadori holandez Jan Kop, gjatë një takimi me ministrin e Drejtësisë, Krenar Lloga, ka shprehur interesim lidhur me nismën për përgatitjen e Kodit të ri Zgjedhor.

Ndryshe, kohë më parë Pavle Trajanov, ua ka dorëzuar deputetëve propozim ndryshimet e Kodit Zgjedhor, me qëllim që të tregojnë qëndrimet dhe sugjerimet e tyre. Me propozim ligjin për ndryshim të Kodit Zgjedhor, propozohet që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, të mbetet model proporcional dhe pa prag zgjedhor. Llogaritja për zgjedhje të deputetëve të realizohet sipas sistemit të Dontit.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut është e ndarë në 6 zona zgjedhore të cilat zgjedhin nga 20 deputetë secila. Prej vitesh ekziston debati që vendi të kalojë në një zonë të vetme zgjedhore, gjë e cila do t’i jepte shansin edhe partive të vogla për të konkurruar dhe për të thyer monopolin e partive të mëdha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button