RMV, vakti i subvencionuar prej tani 140 denarë në ditë, Kuvendi e miratoi ligjin
Deputetët votuan pasditen e sotme ndryshimet në Ligjin për ushqimin e subvencionuar të studentëve, me çka u mundësua vazhdimi i pagesës së mjeteve për studentët në këtë bazë, e cila u ndal në muajin mars, transmeton Portalb.mk.
Sipas ndryshimeve, subvencioni për vakt nga muaji prill është 140 denarë në ditë, në vend të 120 denarëve paraprak. Deri në fund të këtij viti akademik, studentët do t’i marrin fondet në baza mujore në llogaritë e tyre të transaksionit. Sipas llogaritjeve, muaji prill ka numëruar 17 ditë pune, që do të thotë se për këtë muaj studentët do të marrin 2.380 denarë.
Nga shtatori duhet të fillojë të aplikohet zgjidhja sistemore, me të cilën studentët do të blejnë ushqime të subvencionuara nga ofruesit e shërbimeve të regjistruara përmes kartelave digjitale. Deri atëherë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) duhet të zgjedhë një bankë që do të jetë bartëse e transaksionit të pagesës përmes së cilës do të paguhet vakti i subvencionuar i studentëve dhe që do të krijojë kartela digjitale me të cilat studentët do të mund të blejnë vakte nga furnizuesit e ushqimit.
Risi është edhe fakti që përveç se vetëm në ditët e punës, siç është tani, nga shtatori studentët do të mund të blejnë ushqim të subvencionuar çdo ditë nga e hëna në të shtunë, por edhe në festat fetare, që do të thotë se nga viti i ardhshëm akademik shuma totale mujore do të jetë më e lartë se tani.
Amendamentet e votuara parashikojnë që shuma e subvencionimit të ushqimit të studentëve do të përshtatet me normën e inflacionit pas çdo viti fiskal.
Përndryshe, nga 120 deputetë të pranishëm, 70 deputetë votuan për miratimin e ligjit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës javën e kaluar njoftoi se po përgatitet për pagesën e shpejtë të mjeteve menjëherë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në ligj.