Ministria e Drejtësisë publikoi emrat e ekspertëve që do të angazhohen për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut

Në ekipin për ndryshime kushtetuese do të marrin pjesë edhe profesor dhe ish-kryetar e ish-gjyqtarë, që në kuadër të grupit punues kanë për detyrë të përgatitin propozimet për ndryshimet kushtetuese, transmeton Portalb.mk.

“Ju informojmë se ky trup punues është formuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, të cilës i është dhënë për detyrë nga Qeveria të përgatisë propozim-iniciativën e nevojës për ndryshime kushtetuese.  Qeveria është propozuesi i ndryshimeve kushtetuese.  Pasi që të përgatiten ndryshimet, propozimi do të kalojë nëpër të gjitha trupat punues në korniza të Kuvendit. Paralelisht do të mbahen edhe diskutime publike në të cilat ekspertë, parti, organizata të shoqërisë civile dhe institucione të tjera do të mund t’i shprehin qëndrimet e tyre”, sqaroi Ministria e Drejtësisë.

Lista e plotë e ekspertëve të përfshirë nga Ministria e Drejtësisë në grupin punuese:

Sali Murati– Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese; Margarita Caca Nikollovska-Ish-gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg; Bajram Pollozhani– Ish-gjyqtar kushtetues dhe profesor i së drejtës kushtetuese; Branko Naumovski– Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese; Jeton Shasivari– Profesor në Universitetin e Evropës Juglindore (EJL); Ana Çupeska– Profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë “Justinian Prvi”;  Elena Mihajllova Stratillati– Profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë “Justinian Prvi”; Besa Arifi– Profesoreshë në Universitetin e EJL; Jagoda Mitrevska – Profesoreshë në Universitetin Ndërkombëtar Sllav dhe Marija Pandevska- profesoreshë në Institutin e Historisë Kombëtare.

Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese për futjen e bullgarëve në të, partia opozitare, Lëvizja Besa ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të ndryshon Amendamentin e pestë të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, ku kërkojnë që gjuha shqipe të jetë zyrtare si gjuha maqedonase dhe jo të llogaritet si gjuhë që e flasin së paku 20 përqind e qytetarëve. Për këtë nga Ministria e Drejtësisë njoftuan se kanë pranuar shkresën e kësaj partie dhe se të gjitha kërkesat në lidhje me ndryshimet  kushtetuese do të shqyrtohen në grupin punues.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së  propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Kujtojmë se negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, ku VMRO–DPMNE ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button