Lloga: Së bashku të marrim një vendim shtetëror, ndryshimet kushtetuese do të na e hapin rrugën drejt BE-së
Fillimi i negociatave për anëtarësim në BE kërkon nga ne që të intensifikohen aktivitetet për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë ligjore (juridike) nëpërmjet të reformave në sistem dhe harmonizimit të legjislacionit. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, në fjalimin e tij në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare: “Aspektet bashkëkohore të doktrinës juridike dhe interpretimi-sfidat dhe perspektivat”, theksoi se reformat në sistemin gjyqësor nuk guxojnë dhe nuk mund të mbeten vetëm në letër. Ligjet e miratuara duhet të zbatohen, ndërsa reformat duhet të mundësojnë ndryshim të praktikave dhe shprehive (në veçanti të shprehive të gabuara) si dhe të paragjykimeve.
“Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në përmirësimin dhe fuqizimin e kornizës ligjore dhe institucionale në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Agjenda e reformës kërkon përkushtim, njohuri, por edhe mbështetje nga të gjithë faktorët në përpjekjen për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Para nesh janë ndryshimet kushtetuese. Nga ne varet nëse do të ecim në rrugën e BE-së, apo do të qëndrojmë në vend. Është koha që të gjithë së bashku të marrim një vendim shtetëror”, tha Lloga.
Kapitulli 23 “Gjyqësia dhe të drejtat themelore” nga Klasteri “Themelet” është kyç në procesin e eurointegrimit.
“Kemi vullnet politik, por edhe përkushtim për të zgjidhur mangësi të caktuara në fushën e gjyqësorit, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Si Ministri e Drejtësisë, ne kemi bërë shumë në drejtim të reformave në sistemin e gjyqësorit; në proces është digjitalizimi në gjyqësor, po përgatitet një Strategji e re për Reformën e Sektorit të Gjyqësorit 2023-2027. Pas, gati tri dekadave, me siguri deri në fund të vitit do të kemi Kod Penal krejtësisht të ri, ndërsa në proces është edhe përgatitja e Kodit të parë Civil në të cilin për herë të parë në një akt do të jetë e kodifikuar çështja civilo-juridike. Këtu janë edhe Ligjet për falje, për menaxhim me pasurinë e konfiskuar, për drejtësinë për fëmijët, për kryerjen e sanksioneve dhe të tjera, të cilat së shpejti do të hyjnë edhe në procedurë parlamentare”, theksoi Lloga.
Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese për futjen e bullgarëve në të, partia opozitare, Lëvizja Besa ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të ndryshon Amendamentin e pestë të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, ku kërkojnë që gjuha shqipe të jetë zyrtare si gjuha maqedonase dhe jo të llogaritet si gjuhë që e flasin së paku 20 përqind e qytetarëve. Për këtë nga Ministria e Drejtësisë njoftuan se kanë pranuar shkresën e kësaj partie dhe se të gjitha kërkesat në lidhje me ndryshimet kushtetuese do të shqyrtohen në grupin punues.
Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Kjo erdhi pas arritjes së propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.
Kujtojmë se negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, ku VMRO–DPMNE ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.
Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.
- LEXO: Ministria e Drejtësisë publikoi emrat e ekspertëve që do të angazhohen për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Futja e etnive tjera në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, nuk e kërcënon identitetin maqedonas, vlerësoi zëvendësministrja e drejtësisë
- LEXO: Mariçiq: Takimi i parë i grupit punues dhe formulimi i ndryshimeve kushtetuese pas Pashkëve
- LEXO: Ministria e Drejtësisë publikoi emrat e pjesëmarrësve në grupin punues për ndryshimet kushtetuese
- LEXO: RMV, partitë opozitare kundër grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, ekspertët të ndarë në dy tabore