Boki 13: Nëse biznesmenët janë mashtruar, pse denoncuan pasi më arrestuan për rastin “Raket” dhe jo më herët?

Jam krenar që kam qenë kryetar i një organizate joqeveritare, e cila në punën e saj aktive nuk ka marrë asnjë denar para shtetërore, por, si nga ana statutore, ashtu edhe e vendosur nga organet më të larta, është miratuar mendimi se “Lidhja ndërkombëtar” do të financohet nga rrjetëzimi i organizatave joqeveritare, sektori i biznesit, aktorët shoqërorë, tha Bojan Jovanovski-Boki 13 në fjalën e tij përmbyllëse në procesin gjyqësor lidhur me punën e kësaj organizate kryetar i së cilës ishte ai, ndërsa tani është i akuzuari i parë, transmeton Portalb.mk.

“Formimi i ‘Lidhjes ndërkombëtare’ vjen si rezultat i një sërë aktivitetesh personale që kam pasur si personazh publik prej më shumë se 20 vitesh. Përshkak se në këtë procedurë gjyqësore teza e prokurorisë, propaganda agresive, si në këtë çështje gjyqësore, ashtu edhe në ‘Reket’ ishte një diskreditim i plotë, kontaminim i karakterit dhe veprës time, ajo që është e mirë të paraqitet e keqe, ajo që ia vlente të jetë sikur nuk ekziston, ndërsa faktet të zëvendësohen me spekulime siç është akuza”, tha Jovanovski.

Sipas Prokurorisë, pikërisht përmes “Lidhjes ndërkombëtare” dy biznesmenë, Siljan Micevski dhe Ardian Amzoski, janë mashtruar me projekte për ndërtimin e Qendrës evropiane për të rritur dhe shërbime mobile dhe kanë paguar gati një milion euro. Micevski shumën prej 719 905, kurse Amzoski 233 821 euro.

Megjithatë, si gjatë gjykimit dhe në fjalën e tij përfundimtare, Jovanovski pohon se nuk është kështu.

“Në këtë seancë janë përmendur 719.000 euro, pastaj 233.000 euro, pastaj 350.000 euro dhe janë përmendur të gjitha ato shifra dhe nuk kemi parë askund asnjë dëshmi për ato shifra. Kemi parë vetëm fjalë boshe, kurse shifrat janë tërheqëse veçanërisht për formimin e një opinioni publik negativ që jeton në të gjitha torturat që kam përjetuar gjatë një viti e gjysmë -dy. Ajo torturë më ndihmoi të mbrohesha dhe të mbrohesha si Don Kishoti, të luftoja mullinjtë e erës”, tha Boki.

Ai përdori metafora të tjera duke thënë “nëse nuk kupton gomari, godit samarin”, pastaj tha: “Tani samari do të të tregojë diçka për gomarin”, pas së cilës gjykatësi e paralajmëroi atë që t’i përmbahet fjalëve mbyllëse dhe provave që u paraqitën.

I akuzuari më tej ka thënë se projektet kanë qenë reale dhe biznesmenët kanë besuar në to, ndaj aludonte  edhe Siljan Micevski beson në projekt duke kujtuar se biznesmeni ka thënë para gjykatës “nëse Zoti i jep shëndet, dëshiron ta ndërtojë atë shtëpi të të moshuarve në Manastir”, dhe theksoi se ai dhe përfaqësues të tjerë të “Lidhjes ndërkombëtare” kanë bërë edhe këqyrje në lokacionet ku do të ndërtohej. Marrëveshjet, tha Jovanovski, të nënshkruara me dy kompanitë “Pelister” dhe “Dream Building”, të përfaqësuara nga Micevski dhe Amzoski, janë bërë bashkërisht dhe vullnetarisht, ndërsa ai mohoi dëshmitë e përfaqësuesve të organizatës joqeveritare se nuk e dinin se çfarë po nënshkruanin duke i akuzuar për gënjeshtra, në dëshmitë e tyre.

Jovanovski mohoi gjithashtu se ka manipuluar sepse ka pasur mbështetjen e qeverisë së udhëhequr nga Zoran Zaev.

“Në aktakuzë përmendet keqpërdorimi i fakteve të rreme nga ana ime si përfaqësues apo disa ndihmës të mundshëm dhe përmendet pushteti politik, atëherë qeveria aktuale si mbështetje e pretenduar dhe se është fakt i rremë. Përkrahjen nga Qeveria, nga personi Zoran Zaev, atëherë kryeministër, personalisht e kam pasur që nga dita e parë e formimit të “Lidhjes ndërkombëtare”. Prokuroria në fjalët e saj përmbyllësa, e ka pagëzuar si nxitje nga Zoran Zaev. Nuk më takon mua të interpretoj, por nxitja është një formë e madhe, sidomos kur vjen nga personi i parë i thirrur për të kryer funksionin më të lartë në vend. Se Zaevi ka qenë i informuar dhe ka ditur për aktivitetet, operimet dhe veçanërisht për projektet për një kompleks evropian për të rritur dhe shërbim mobil, është fakt i padiskutueshëm. Me këto fjalë përbyllëse do ta përshkruaj rolin e Zoran Zaevit dhe të tjerëve nga pushteti ekzekutiv, zyrtarëve të LSDM-së, por edhe përfaqësuesve të vetëqeverisjes lokale dhe kryetarëve të komunave”, tha Jovanovski.

Sipas të pandehurit, Zaev ka dhënë mbështetje pasi ai personalisht ia ka prezantuar projektin dhe ka premtuar se do të formohet një komision i posaçëm për projektet që janë në të mirë të shtetit. Jovanovski, si dëshmi për mbështetjen e pushtetit qendror, tha se me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve është nënshkruar memorandum për bashkëpunim.

I akuzuari po ashtu theksoi se dy biznesmenët kanë pasur komunikim më intensiv me qeverinë e LSDM-së sesa ai personalisht, kështu që shumë lehtë mund të vinin në informata se janë mashtruar.

“Më besoni se kanë kontrolluar disa herë para nënshkrimit të marrëveshjeve”, tha Jovanovski, i cili kujton se Micevski paraprakisht ka qenë kryetar komune nga radhët e LSDM-së dhe se Amzoski ishte në lidhje me Fiat Canovskin, partner i koalicionit të socialdemokratëve.

Nëse janë mashtruar, tha Jovanovski, atëherë pse nuk kanë denoncuar por e kanë bërë pasi është arrestuar në rastin “Reket”.

“Ata e bënë për shkak të presionit të fortë, propagandës agresive, për shkak të involvimit dhe ndikimit më të drejtpërdrejtë të pushtetit ekzekutiv, konkretisht nga DAP-i, e cila derisa po jepnin dëshmi për Vilma Ruskovskën, iu hyn DAP-i”, tha Jovanovski.

Ai tha se është e vërtetë që Amzoski i ka dhënë 350 mijë euro para të gatshme, por edhe se ia ka kthyer. Ai ka thënë se të pandehurit e tjerë të rastit nuk kanë ditur për paratë.

“Është e vërtetë që Ardian Amzoski ka dhënë 350 mijë euro para të gatshme, se ka nënshkruar kontrata. Në këtë pikë, me përgjegjësi të plotë, mund t’ju siguroj se nuk e dinin as Kristina, e cila akuzohet se e dinte, as babai im, i cili ishte vetëm një herë në Lidhjen Ndërkombëtare. Nuk e ka ditur as e pandehura Jasna Ercegoviq. Për hir të së vërtetës, politikanët e dinin, por kjo nuk është e akuzuara Frosina Remenski”, tha Jovanovski.

Ai po ashtu ka pyetur se pse në aktakuzë nuk përmenden këto para por vetëm dy shumat tjera.

“Unë kam një tjetër gjë shumë të rëndësishme për të thënë për këtë akuzë të pashprehur. Ne akuzohemi për para me të cilat kinse i kemi mashtruar, ato 350 mijë euro nuk përmenden. Pse, nuk e kuptoj. Së dyti, për këtë punë dy kompanitë e ndërtimit Pelister dhe Dream Building i paguanin shtetit taksë, e cila mori rreth 200 mijë euro. A do të kërkohen paratë tani? Nëse ky është një mashtrim, ndërsa shteti tashmë i ka mbledhur tarifat për ato projekte”, tha Jovanovski.

Të pandehurit e tjerë, avokatë si dhe prokuroria, dhanë fjalën e tyre përfundimtare në seancën e fundit të mbajtur të mërkurën (16 mars).

Aktakuzën në këtë rast e ka përfaqësuar prokurorja Ivana Trajçeva, së cilës mandati i ka skaduar më 31 janar, kështu që duke pasur parasysh se rizgjedhja e saj u bë dje, fjalën përfundimtare të mërkurën e dha prokurori Trajçe Pelivanov, i cili kërkoi dënim për të gjithë të pandehurit.

“Mashtrimi është bërë për të kënaqur interesat materiale personale të Bojan Jovanovskit. Por ky mashtrim nuk ka mundur të ndodhë pa praninë e të akuzuarve Jasna Ercegoviq, Frosina Remenski dhe Hristina Blazheska. Gjithçka kanë bërë, e kanë bërë së bashku. Gjegjësisht, si do ta mashtroni dikë që t’ju paguajë mbi 740 mijë euro, nëse nuk lini përshtypje të sigurt se këta janë njerëz seriozë”, tha Pelivanov.

Pas fjalës përfundimtare, Këshilli Gjyqësor i udhëhequr nga gjyqtarja Sofçe Gavrilova-Efremova do të caktojë seancën për shpalljen e aktgjykimit.

Për rastin e organizatës joqeveritare Lidhja ndërkombëtare, themeluar nga Bojan Jovanovski-Boki13, përmes së cilit sipas aktakuzës, ishin mashtruar biznesmenë për qendra të supozuara për persona të rritur, të akuzuar janë edhe Frosina Remenski, Hristina BlazeskaMile Jovanovski, babai i Boki 13 dhe Jasna Mandiq Ercegoviq.

Jovanovski akuzohet për mashtrim dhe pastrim parash. Remenski akuzohet për ndihmë dhe nxitje në mashtrim, Mandiq dhe Blazeska për ndihmë në mashtrim dhe pastrim parash, Mile Jovanovski akuzohet për ndihmë në pastrim parash dhe prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe trafikim të paautorizuar të armëve. Si person juridik është akuzuar edhe organizata joqeveritare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button