Këshilli i prokurorëve publikë do ta dorëzojë deri te Këshilli i etikës deklaratën e Lençe Ristoska-s

Lençe Ristoska është prokurore dhe ajo si prokurore duhet t’i dijë procedurat, gjegjësisht do të duhej që deklaratat e saj për gjasme tregti me ndikime t’i mbështesë me fakte. Këtë sot e njoftoi Antonio Jolevski, kryetari i Këshillit të prokurorëve publikë, pas deklaratës së Ristoskës e cila tha se ky trup, prej formimit në vitin 2008 deri sot, ka dështuar në plotësimin e funksionit primar, profesionalizimin e PB-ve dhe izolimin e ndikimeve politike dhe të tjera gjatë zgjedhjes dhe shkarkimit të prokurorëve, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Ristoska pardje si një nga folësit në një konferencë mbi rolin e Këshillit gjyqësor dhe atij të prokurorëve publikë në arritjen e pavarësisë dhe integritetit të gjyqësisë, organizuar nga Konventa nacionale për BE-në në Maqedoni, tha se Këshilli i prokurorëve publikë duhet të reformohet dhe të shqyrtohet mundësia që të jetë trup ad hoc që do të mbajë mbledhje sipas nevojës, sepse sipas saj, ky trup prej formimit në vitin 2008 e deri sot, ka dështuar në plotësimin e funksionit primar, profesionalizimit të PB-ve dhe izolimin e ndikimeve politike dhe të tjera gjatë zgjedhjes dhe shkarkimit të prokurorëve.

“Diskutuam mbi përmbajtjen e deklaratës së saj. Vlerësuam se ajo deklaratë duhet të dorëzohet te këshilli i etikës së prokurorëve publikë dhe të shihet nëse ka shkelje të kodeksit të etikës dhe pasi ta marrim mendimin e Këshillit të etikës, do të mbajmë seancë dhe do të sjellim vendim konkret. Këshilli nuk shqipton dënime”, tha Jolevski.

Ai tha se Ristoska e ka përmendur Këshillin e prokurorëve publikë dhe tregtinë me ndikime, pa shfaqur për këtë prova të caktuara ose pa treguar se kush i ka kryer ato veprime.

“Ne nuk duam të futemi në një thes me të gjithë të tjerët. Sjellja e këtillë paushalle, i bën dëm reputacionit të Prokurorisë. Ajo përmendi se këshilli bën tregti me ndikime, se prej vitin 2008 e deri sot këshilli ka bërë tregti, që është një periudhë e gjatë në të cilin edhe ajo vetëm ishte e zgjedhur në PSP pa pasur as konkurs, por ishin të zgjedhur me emër dhe mbiemër. Ai ishte vendim politik. Shfaqja e gjërave që i referohen punës së këshillit, ushtrimi i ndikimit mbi prokurorë të caktuar, duhet të kontrollohet dhe këtë duhet ta kontrollojë këshilli i etikës”, shtoi Jolevski.

Ai tha se nuk do të kishte dashur të ketë anëtar në Këshillin e prokurorëve publikë i cili u premton kandidatëve se do të zgjidhen.

“Në të gjithë votojmë në mënyrë të barabartë, të gjithë kandidatët për ne janë të barabartë”, theksoi ai.

Pardje Ristoska tha se disa herë ka ndodhur që zgjedhjet e prokurorëve të shtyhen pa arsyetim konkret për arsyet, çka krijon përshtypje në publik se zgjedhja nuk është e lirë. Si shembull e tregoi edhe shpalljen për dy prokurorë në Prokurorinë e lartë për të cilën thotë se më shumë se 7 muaj nuk merret vendim.

“Përderisa anëtarët e Këshillit, kandidatëve të cilët aplikojnë për pozita më të larta hapur u thonë se dikush duhet të paraqitet që ato të zgjidhen, është e qartë se Këshilli është burim tregtie me ndikim në Prokurori dhe prandaj mendoj se duhet të reformohet. Kjo krijon një raport klientelist të prokurorëve publikë ndaj atyre që lobojnë për zgjedhjen e tyre dhe kjo domosdoshmërisht çon drejt një sistemi i cili nuk mund të përgjigjet në luftën me korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Ristoska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button