Historiani bullgar kërkon zbulimin e politikanëve maqedonas me pasaporta bullgare

Për të mos e përdorur shtetësinë bullgare për luftë politike në Maqedoninë e Veriut, historiani Elderov propozon: ose ata që e zotërojnë të tregojnë vetë, ose t’i shpallë MPJ e Bullgarisë, shkruan DW.

Do të ishte mirë që Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë në një moment t’i shpallë emrat e figurave shoqërore ose politike në Maqedoninë e Veriut që kanë vërtet pasaporta bullgare, tha profesori bullgar Svetlozar Elderov, historian në Institutin e ballkanistikës në Akademinë e Shkencave të Bullgarisë.

Shkas për propozimin e tij janë akuzat në fushatë gjatë zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, kur shkak për këtë ishte pretendimi se njëri prej kandidatëve në garën zgjedhore kishte shtetësi dhe letërnjoftim bullgar.

“Në rastin me Danela Arsovska u treguan disa letërnjoftime dhe aty njëra palë mohonte kurse tjetra këmbëngulte. Mendoj se autoritetet tona nuk mund të lënë pa pasoja atë tallje me simbolet e shtetësisë bullgare. Në praktikë, është ose e vërtetë ose rrenë. Në të dyja rastet, ministria bullgare duhet të bëjë diçka. Udhëheqësit politikë për të cilët flitet diku publikisht e diku jo zyrtarisht – se kanë pasaporta – ose duhet të dalin të thonë vetë, ose këtë ta bëjë Ministria e Jashtme bullgare për ta. Sepse, të jesh bullgar dhe të kesh pasaportë bullgare dhe shtetësi bullgare kur ligji e lejon, nuk është konspiracion, por nder, dinjitet dhe e drejtë ligjore” thekson Elderov në një intervistë për Radion bullgare “Fokus”.

I pyetur të saktësojë nëse mendon që Ministria e Jashtme bullgare duhet të dalë me një informacion të tillë vetëm për Danela Arsovskën, ai thotë se rrethi duhet të jetë shumë më i gjerë.

Rasti Danela Arsovska e hapi serish debatin për pasaportat bullgare të politikanëve maqedonas

“Jo vetëm për të. Të gjithë liderët, politikanët maqedonas, gazetarët që janë aktivë në sferën publike në Maqedoninë e Veriut dhe kanë letërnjoftim bullgare, ose ta deklarojnë personalisht, ose Ministria e Jashtme bullgare ta bëjë për ta, në mënyrë që të mos i jepet mundësi që shtetësia bullgare të përdoret në luftën politike në Maqedoninë e Veriut si diçka e paligjshme, diçka e shëmtuar, diçka e tmerrshme, gati si një tradhti kombëtare. Ky është propozimi im”, thotë Elderov.

Ndryshim për keq

Pas “episodit bullgar” në fushatën zgjedhore lokale, Elderov nuk është optimist se marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes do të ecin në drejtim më të mirë.

“Nëse ka ndonjë ndryshim, ajo vetëm do të përkeqësohet. Çfarë ndryshimi pozitiv mund të presim, kur atje, pasaporta bullgare, dokument zyrtar dhe simbol i shtetësisë bullgare, përdoret për komprometim në luftën politike? Dhe nëse kjo bëhet në aspektin e figurave të shquara politike, liderëve partiakë, kandidatëve për kryetar bashkie, mund të supozojmë se çfarë do të thotë kjo për njerëzit e zakonshëm që kanë pasaporta bullgare, kanë dëshirë të deklarohen publikisht si bullgarë. Pra, zgjedhjet e fundit lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut për ne duhet të jenë diçka si një zbulim, e cila ua zbuloi plotësisht fytyrat të gjithëve, të klasës politike atje. Sepse ai që akuzoi dhe e quante “komprometim” pasaportën bullgare, erdhi në Bullgari, bëri foto para monumenteve, përqafoi politikanët tanë dhe kryeministrin e atëhershëm. Dhe kjo nuk do të zbehet aq lehtë”, tha Elderov.

Ai theksoi se mbi 100 mijë qytetarë që kanë pasaportë bullgare, sigurisht që nuk do të ndiheshin rehat nëse do t’i vendosnin në kategorinë e tradhtarëve dhe armiqve të shtetit dhe kauzës maqedonase.

Mbi 100.000 qytetarë të Maqedonisë kanë pasaporta bullgare

Çështja e qëndrimit ndaj personave me shtetësi të dyfishtë nuk është e re, por në vend e tërhoqi vëmendjen pas përshkallëzimit të mosmarrëveshjes me Bullgarinë.

“Është e lehtë për të gjithë të thonë – aman, mos të ketë dyshtetësi – shikuar nëpërmjet diskursit të momentit të bisedimeve me Bullgarinë. Por, në këtë rast harruam se janë më shumë se 2 milionë banorë tanë jashtë nëpër botë, është diaspora jonë, ata janë afirmues të mëdhenj të maqedonizmit dhe popullit dhe shtetit maqedonas”, tha kryeministri Zaev një vit më parë.

I pyetur nëse do të mbështeste një zgjidhje ligjore që do të rregullonte obligimin e zyrtarëve maqedonas që në mënyrë të detyrueshme dhe transparente të deklarohen nëse kanë më shumë se një shtetësi, ai tha se Qeveria nuk e ka shqyrtuar dhe se duhet të diskutohet për të dëgjuar opinionin publik. .

Çelësi për hapjen e Kushtetutës

Një vit më vonë, fokusi i interesit bullgar më së shumti është vendosur në të drejtat e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që deklarohen si bullgarë dhe ndërprerja e gjuhës së urrejtjes.

“Bullgarët e Maqedonisë duhet të bashkohen në emër të qëllimit të përbashkët – të ndalet debullgarizimi, të ushtrojnë të drejtat dhe barazinë e tyre përmes Kushtetutës, përmes ligjeve dhe regjistrimit dhe mbi të gjitha me veprime praktike. Kushtetuta e Bullgarisë i detyron institucionet bullgare të mbrojnë qytetarët e tyre si në Bullgari ashtu edhe jashtë saj. Konkretisht, kjo çështje është inkorporuar në nenin 11, paragrafi 4 i Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim të vitit 2017, tha presidenti bullgar Rumen Radev në një takim me organizatat e bullgarëve të Maqedonisë më 27 tetor.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, deklaroi se deri më tani nuk është pranuar kërkesë me shkrim për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, ndërsa kryeministri Zaev – se jemi të gatshëm ta bëjmë atë sipas shembullit të Kroacisë, pak para anëtarësimit në BE.

“Qartë, përgjigja e Zaevit nuk ishte e kënaqshme për Sofjen zyrtare, ata kërkuan të bisedohet menjëherë në këtë temë”, tha dje për TV 21 i dërguari special i qeverisë së Maqedonisë për Bullgarinë, Vlado Buçkovski.

Por edhe për Radevin, është e qartë, edhe për ministrin zyrtar të Punëve të Jashtme, se në vendin tonë për të ndryshuar Kushtetutën, nëse e fillojmë tani dhe e përfundojmë brenda një viti do të duhet shumicë prej dy të tretash. Është e qartë në këtë moment se kjo nuk është e mundur pa votat e opozitës”, tha Buçkovski.

Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.
Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button