LSDM insiston se shumica parlamentare është stabile, VMRO insiston në zgjedhje të shpejta

Katër ditë nga paralajmërimi për dorëheqje, kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, as nuk e ka dorëzuar dorëheqjen e tij dhe as nuk ka pasur më paraqitje publike. Ndërkohë, që vazhdon situata e paqartë politike. Sipas paralajmërimeve të partisë, pritet që Zaev nesër të realizojë edhe një takim me liderët e partive të shumicës qeveritare, ku do të diskutohet për hapat e ardhshëm të koalicionit, shkruan Portalb.mk.

Partia maqedonase në pushtet, LSDM vazhdon të insistojë se shumica parlamentare është stabile dhe nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërkohë oponenti politik i LSDM-së, VMRO – DPMNE, vazhdon të insistojë se zgjedhjet e shpejta janë të domosdoshme për dalje nga kriza politike.

Deputetja e LSDM-së, Snezhana Kalevska – Vançevska deklaroi sot se, VMRO – DPMNE nuk ka shumicë parlamentare që të merr mandat për formimin e Qeverisë, dhe për këtë, Mickoski kërkon zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare.

“Nuk është hera e parë e liderit të VMRO – DPMN-së, Histijan Mickoski të paralajmërojë se formon shumicë të re, por ajo nuk mund të ndodhë derisa pushteti ka shumicë stabile, pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve lokale, sepse jo vetëm LSDM, por edhe partnerët e koalicionit konfirmuan se shumica parlamentare është stabile. Nëse Mickoski do të kishte veç më shumicë të siguruar të Kuvend, nuk do të kërkonte zgjedhje të parakohshme parlamentare. Me që kryeministri paralajmëroi dorëheqje, me shumicë të siguruar, në pajtueshmëri me Kushtetutën, presidenti do t’ia ndajë mandatin atij që ka shumicë”, tha Kalevska – Vançevska në emisionin “Utrinski brifing”.

Nga VMRO – DPMNE thonë se vetëm me zgjedhje të reja do të pasqyrohet vullneti i popullit edhe në Kuvend dhe vetëm në atë mënyrë do të kemi Qeveri stabile sipas vullnetit të popullit.

“Populli në zgjedhjet e së dielës u shpreh qartë për ndryshime dhe në numër të madh e dha mbështetjen e tij për VMRO – DPMNE-në dhe opozitës. Populli zgjodhi drejtim të ri dhe vullneti i tillë i tij do të realizohet më së miri me rishpërndarje të re të forcave në Kuvend, përmes zgjedhjeve të reja parlamentare dhe qeveri të re të udhëhequr nga VMRO – DPMNE”, thanë nga kjo parti.

Ndërkohë, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, në një deklaratë për “Sloboden pecat”, tha se nuk mund të bie marrëveshja e BDI-së për “100 ditë kryeministër shqiptar para zgjedhjeve parlamentare”, nëse Zoran Zaev e realizon dorëheqjen.

“Marrëveshjet nuk janë bërë që të ndërpriten sipas dëshirave momentale. Nuk ka asgjë, as nuk është diskutuar dhe kontestuar çështja për marrëveshjen. Por, ne flasim për hapat e ardhshëm si të tejkalohet ky vendim emotiv i Zoran Zaevit dhe do të punojnë më së bashku që të gjejmë zgjidhje më të qëndrueshme. Kemi marrëveshje të shkruar dhe të dokumentuar”, tha ai.

Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i LSDM-së në pushtet të dielen më 31 tetor pas disfatës së partisë në zgjedhjet lokale në konferencën përfundimtare për media pas mbylljes së qendrave të votimit tha se po jep dorëheqje nga të dyja funksionet.

Zaev, megjithatë, theksoi se mbetet i mendimit se nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi, siç tha, përpara qëndrojnë dy vite e gjysmë të shkëlqyera dhe unike për shtetin nga të cilat do të përfitojë i gjithë populli dhe shteti.

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë mbajtur në qershor të vitit 2020. LSDM-ja kishte fituar 46 mandate apo dy më shumë se VMRO DPMNE-ja që mori 44 mandate. Zaevi e formoi qeverinë me BDI-në që kishte fituara 15 deputetë dhe deputetin e vetëm të PDSH-së, duke siguruar kështu 62 vota nga parlamenti prej 120 deputetësh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button