RMV, dy skenarë janë të mundur nëse pranohet dorëheqja e Zaevit

Formim i shumicës së re parlamentare ose qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, janë dy skenarët që mund të ndodhin, thonë ekspertët juridik, duke iu referuar Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. Profesori i të drejtës kushtetuese, Osman Kadriu deklaroi për Portalb.mk se pas dorëheqjes së paralajmëruar të kryeministrit Zoran Zaev, kemi një situatë të re e cila është e rregulluar shumë qartë me Kushtetutë.

Ai tha se, sipas Kushtetutës kur kryetari i Qeverisë jep dorëheqje, atëherë me fuqinë kushtetuese shkarkohet, në dorëheqje është edhe Qeveria dhe këtu nuk ka dilemë. Në këtë moment dy variante kushtetuese janë të mundshme. Varianti i parë, sipas Kadriut, që do të ishte edhe më i mirë, më i shëndoshë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën, të formohet shumicë e re parlamentare, të mos shkohet do me thënë në zgjedhje të parakohshme parlamentare por, shumicë e re parlamentare dhe shumica e re parlamentare ta njoftojë presidentin e shtetit se ka shumicë të re parlamentare.

Osman Kadriu
Osman Kadriu

“Presidenti i shtetit prej shumicës së re parlamentare duhet të zgjedh mandatarin, i cili ka për obligim që të propozon kabinetin e ri për qeverinë e re. Kjo do të ishte më e mirë dhe do të fitonim në kohë, me qenë se, në Maqedoni duam ose nuk duam të pranojmë është krijuar një gjendje tejet e rëndë politike që është e vërteta, neve nuk kemi dalë nga kriza politike, por tash kriza politike është e theksuar me pasoja shumë të mëdha për qytetarët, për shtetin, për të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Kjo do të ishte më së mirë. Do të thotë ngel përbërja e parlamentit, vetëm ndryshojnë raportet e forcave politike në parlament në formimin e shumicës së re parlamentare. Në qoftë se, nuk ka marrëveshje politike që të formohet shumicë e re parlamentare, ndërsa kriza është shumë e rëndë politike, atëherë ngel varianti i dytë, që të zgjidhet qeveri teknike dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Ky modaliteti i dytë do të marrë pak kohë. Pastaj kështu si formohet në vitet e fundit qeveria teknike, nuk jep rezultate meqenëse nuk ndërrohet gjithë qeveria, ndërrohet vetëm kryeministri dhe dy ministra”, deklaroi Kadriu.

Ai shtoi se, në qoftë se nuk arrihet të realizohet varianti i parë i cili është në përputhje me kushtetutën, atëherë ngel të zgjedhet qeveri teknike dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Sipas kushtetutës, siç theksoi ai, varianti më i shëndoshë dhe më i mirë është të formohet shumicë parlamentare e re dhe nga kjo përbërje parlamentare të shkohet në zgjedhjen e qeverisë në përbërje të re.

“Është më e dobishme për tejkalimin e krizës të zgjidhet qeveri e re. Por, edhe qeveri e re të zgjidhet, ajo do të fillojë të ushtrojë kompetencën që ka qeveria sipas kushtetutës, por jam i bindur se edhe ajo qeveri që do të zgjidhet, vetëm për një kohë të theksuar të fillojë të ushtrojë kompetencat e qeverisë dhe të ndërmerr masat më urgjente që janë të nevojshme që të del Maqedonia nga kriza politike, ndërsa kriza politike është shumë e theksuar tash e cila reflektohet në raportet e brendshme, në raportet e jashtme, por edhe ajo qeveri do të punojë në përgatitjen e zgjedhjeve të reja parlamentare. Përsëri do të kishim zgjedhje të parakohshme parlamentare, por do të thotë për një periudhë pak më të gjatë, se sa do të ishte varianti i dytë që prej tash të shkohet në qeveri teknike dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, deklaroi profesori i të drejtës kushtetuese.

Mirjana Najcevska
Mirjana Najçevska

Edhe profesoresha universitare, Mirjana Najçevska, pas situatës së krijuar me dorëheqjen e paralajmëruar të kryeministrit Zaev, ka bërë një koment në profilin e saj në Facebook. Sipas saj, me dorëheqjen e kryeministrit, sipas Kushtetutës sonë në dorëheqje është e gjithë Qeveria.

Najçevska ka paraparë disa zgjidhje të mundshme për dalje nga situata;

  • Koalicioni i deritanishëm qeveritar ka shumicë në Kuvend dhe kryetari i shtetit i ndanë mandat të ri për formim të Qeverisë. Në këtë rast LSDM si parti më e madhe në koalicion mund të ofrojë kandidat të sajin apo të dakordohet me partnerët e koalicionit për kandidat nga radhët e tyre apo ekspert të pavarur si kandidat.
  • Formohet koalicion i ri i shumicës të cilit presidentit i ndan mandatin për formimin e Qeverisë.
  • Cili do nga koalicionet e shumicës në Kuvend ngrit procedurë për shpërbërje të Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme.
  • Të gjitha partitë në Kuvend, dakordohen për formim të Qeverisë së ekspertëve e cila do të mbarojë mandatin e asaj paraprake deri në zgjedhjet e ardhshme të rregullta.

Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i LSDM-së në pushtet dje pas disfatës së partisë në zgjedhjet lokale në konferencën përfundimtare për media pas mbylljes së qendrave të votimit tha se po jep dorëheqje nga të dyja funksionet.

Zaev dje, megjithatë, theksoi se mbetet i mendimit se nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi, siç tha, përpara qëndrojnë dy vite e gjysmë të shkëlqyera dhe unike për shtetin nga të cilat do të përfitojë i gjithë populli dhe shteti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button