Grupi për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut me element pro-rus, vlerësoi VMRO-DPMNE
Opozita maqedonase ka akuzuar Qeverinë se në Grupin e punës për ndryshimet kushtetuese ka instaluar edhe persona, të cilët, sipas VMRO DPMNE-së, janë me bindje “pro-ruse dhe anti-perëndimore”, raporton REL.
Grupi i ekspertëve për ndryshimet kushtetuese këtë javë do të nisë punën për hartimin e amendamenteve që kanë të bëjnë me preambulën për përfshirjen e pakicës bullgare në të, si popull shtetformues. Kjo parashihet me marrëveshjen që është arritur me Bullgarinë, në qershor të vitit 2022, për zgjidhjen e kontesteve që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.
Marrëveshja është arritur bazuar në atë që njihet si “propozimi francez”, pas së cilës Maqedonia e Veriut nisi bisedimet politike me BE-në për anëtarësim, por bisedimet për kapitujt nuk do të mund të nisin pa u bërë ndryshimet kushtetuese.
Opozita maqedonase kundërshton ndryshimin e Kushtetutës, pasi kërkon garanci se Sofja nuk do të paraqesë kushtëzime të reja.
VMRO DPME-ja bojkoton grupin e ekspertëve ndërsa së fundi doli edhe me kritika sa i përket përbërjes së tij.
“Atje ka anëtarë, të cilët e lartësojnë punën e [Vladimir] Putinit, presidentit të Federatës ruse dhe ne duhet t’i paguajmë ata ekspertë. Nëse e shikon biografinë e zonjës [Jagoda] Mitrevska do ta kenë shumë të qartë se si është formësuar, si i ka arritur titujt shkencor. Ajo është anëtare e re e grupit punues për ndryshime kushtetuese, të cilin e themeloi [Dimitar] Kovaçevski. Ajo mburrej se ka marrë pjesë në fushatat elektorale të Rusisë dhe fotot tregojnë se ajo pozon me krenari para lokaleve dhe flamujve të partisë së Putinit”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Ai ka thënë se grupi i ekspertëve për hartimin e ndryshimeve kushtetuese, duhet të formohet, pasi kërkesa për nisjen e ndryshimeve të jetë miratuar në Kuvend me dy tretat e votave.
“Që të arrijmë te puna e këtij grupi, së pari duhet që nevoja[kërkesa] për hapjen e Kushtetutës të kalojë në Parlament me dy të tretat. I bëj thirrje kryeministrit Dimitar Kovaçevskit të mos tregohet frikacak. Meqë po i gënjen ndërkombëtarët se ka pasur progres me deputetët e VMRO DPMNE-së për mbështetje të ndryshimeve, le të dalë publikisht të tregojë se cilët janë ata deputetë. VMRO DPMNE-ja nuk ka probleme me shantazhe dhe kërcënime, siç mund të kenë pasur disa deputetë në të kaluarën, në mënyrë indirekte apo direkte”, ka deklaruar Mickoski.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës maqedonase, në veçanti ato që kanë të bëjnë me përbërjen e grupit të ekspertëve se në mesin e tyre ka edhe persona pro-rusë apo anti-perëndimor.
Kovaçevski ka thënë se është pikërisht opozita ajo e cila me veprimet e saj dëshmon se është kundër anëtarësimit të vendit në BE ashtu siç ishte edhe kundër anëtarësimit në NATO.
“Për mua ishte e pritshme se cilat parti do të marrin pjesë në grupet e punës e cilat nuk do të marrin. Ne në shtet kemi dy koncepte. Njëri, i partive që mbështesin integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe NATO dhe kemi grupin tjetër të partive politike të udhëhequr nga ‘E majta’ dhe pengu i saj VMRO-DPMNE, që janë kundër këtyre organizatave ndërkombëtare. Opozita nuk votoi as kundër operacionit FRONTEX. Ata janë edhe kundër gjuhës maqedonase që për herë të parë aplikohet në institucionet evropiane”.
“Por, një gjë duhet ta kenë të qartë se e ardhmja evropiane e vendit, ngritja e standardit të qytetarëve nuk mund të jenë peng i karrierës së një personi. Ky është obligim i të gjithë deputetëve që marrin vendime që do të jenë garanci për të ardhmen e gjeneratave të tanishme dhe atyre që vijnë pas”, ka deklaruar Kovaçevski.
Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohet deri në nëntor, në të kundërtën Maqedonia e Veriut nuk do të mund t’i nisë bisedimet për kapitujt pasi Sofja mban të drejtën e përdorimit të vetos, ashtu siç e përdori në nëntor të vitit 2020.
Ndryshimet miratohen me dy të tretat e votave në Kuvend, por shumica parlamentare aktualisht ka mbështetjen e 64 deputetëve, ndërkohë që për miratimin ndryshimeve nevojiten 80 vota të deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.