Thellohet skandali, pasaportat e porositura nga Qeveria Kurti mbideklarohen në Doganë

Dogana e Kosovës ka hasur një parregullësi tjetër nga kompania e kontraktuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës për importin e pasaportave dhe letërnjoftimeve. 

Pas hulumtimit të publikuar ku tregohet se kjo kompani akuzohet për shmangie nga tatimi doganor për 25 mijë pasaporta para vitit 2022, KALLXO.com ka zbuluar se edhe në kontratën e cila është nënshkruar me Qeverinë Kurti në fund të dhjetorit të vitit 2022, kjo kompani është hasur në probleme serioze.

Në dërgesën e datës 31 mars 2023, Dogana e Kosovës ka deklaruar se kjo kompani e ka rritur vlerën e faturës së importit të pasaportave për afër gjysmë milioni euro, nga mbi 550 mijë euro në mbi 1 milion euro. Nuk dihet ende qëllimi pse kompania vendosi t’i deklarojë për një herë më të shtrenjta pasaportat.

Këtë e ka konfirmuar Dogana e Kosovës për KALLXO.com.

“Në lidhje me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se me datë 31.03.2023 nga subjekti tregtar në fjalë ka deklaruar për zhdoganim ngarkesën me mall letërnjoftime dhe pasaporta me vlerë 1,026,776.76 euro. Gjatë kontrollimit fizik nga ana e zyrtarëve doganorë është hasur në Deklaratën Eksportuese nga Greqia, ku eksportues figuron kompania nga Athina me emër të ngjashëm dhe ka lëshuar faturën në emër të kompanisë së njëjtë me seli në Gjermani, për mallin e njëjtë por me vlerë prej 563,336.55 Euro” – thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës.

Dogana e Kosovës ka thënë më tej se për këtë ngjarje ka kërkuar edhe ndihmën e Administratës Tatimore të Kosovës dhe autoriteteve të Doganës gjermane.

Dogana e Kosovës fillimisht ka konfirmuar me MPB-në se malli në fjalë është për nevoja të tyre dhe është konform kontratës së nënshkruar, e me pastaj ka filluar auditimin. Dogana ka bërë verifikimin e librave hyrëse dhe dalëse të kompanisë me emër të njëjtë me njësi të regjistruar në Kosovë dhe transaksioneve financiare (kontroll e cila është në vazhdimësi), verifikimin e deklarimeve të rregullta në ATK, ka përgatitur edhe kërkesën për verifikim ndërkombëtar në Doganën gjermane. Rasti ende nuk është dorëzuar në prokurori pasi lënda është në trajtim administrativ.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nora Fetoshi, këshilltarja e ministrit Xhelal Sveçla, i ka thënë KALLXO.com se ministria nuk ka informacione për këtë ngjarje.

Ajo ka shtuar se ministria ka qenë e njoftuar se kompania do të bëjë dërgesë të materialeve sensitive nga Greqia.

Kompania e kontaktuar për furnizim me material për mjete identifikuese “Veridos GMBH”, nuk e ka komentuar rastin në fjalë. Këta të fundit kanë thënë për KALLXO.com se mund të japin informacione vetëm për produktet e tyre.

Me Doganën e Kosovës kjo kompani nuk ka problem për të parën herë. KALLXO.com zbuloi se kompania gjermane e kontraktuar nga ministria e udhëhequr nga Xhelal Sveçla ka aktakuzë dhe në këtë aktakuzë figurojnë edhe dy persona.

Aktakuza është ngritur në gusht të vitit 2022 nga prokurori Bekim Kodraliu.

Vepra penale të cilën po dyshohen dy të pandehurit dhe kompania është shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore.

Kompania gjermane “Veridos GBMH” është kontraktuar me procedurë të negociuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për furnizim me pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë në fund të vitit 2022. Vlera e kontratës së nënshkruar është 4 milionë e 21 mijë e 164 euro ndërsa kohëzgjatja e saj është një vjet.

Kjo kontratë e lidhur me kompaninë gjermane erdhi disa muaj pasi në vend pati krizë për material për pasaporta dhe kërkesat e qytetarëve nisën të shtoheshin dita ditës.

Kontrata e lidhur më 27 dhjetor 2022 me kompaninë “Veridos GMBH” ishte me procedurë të negociuar dhe procedurat ishin udhëhequr nga ministria që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla.

KALLXO.com ka zbuluar se kompania e përzgjedhur për këtë tender kishte probleme serioze me ligjin në kohën kur po nënshkruhej kjo kontratë.

Të dhënat tregojnë se më 22 gusht të vitit 2022, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë ndaj kompanisë dhe personave përgjegjës me akuzën se kjo kompani kishte tentuar t’i fuste në Kosovë 25 mijë pasaporta pa i doganuar.

Aktakuzën që e kishte ngritur në atë kohë prokurori Bekim Kodraliu, e kishte mbështetur në disa prova e fakte të cilat tregonin se kompania akuzohet se e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës me 173,258 euro.

Dosja të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të akuzuar në këtë rast janë dy persona fizikë dhe vet kompania si person juridik pra kompania gjermane “Veridos GMBH”. V.Uj dhe R.W janë akuzuar si persona fizikë ndërsa kompania edhe si subjekt juridik.

“V.Uj ka paraqitur dokumente të rrejshme, respektivisht faturën me nr.155055939 lidhur me sasinë e pasaportave i cili në deklaratën doganore R-6114/2020 ka paraqitur për zhdoganim 175.000 copa pasaporta ndërsa pas verifikimit dhe kontrollit nga ana e zyrtarëve doganorë ka rezultuar të jenë 200.000 copa pra 25.000 pasaporta më pak e ku me këtë e ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 29,389.50 euro” thuhet në aktakuzë.

Aktakuza tutje sqaron se veprimi për të cilin akuzohet kompania ishte kryer në mes viteve 2016, 2017 dhe 2018.

Deklaratat Unike Doganore, ndër të tjerash ato me nr. R-15765, R-6707, R-6727 si dhe R-6114 të paraqitura për zhdoganimin e mallit në datat e lartcekura nuk kanë qenë të sakta dhe të njëjta me deklaratat e sjellura më vonë sipas kërkesës së Doganës së Kosovës për mallin e lartcekur, krejt kjo me qëllim të shmangies se pagesave të taksave doganore në shumën prej 24,651.00 euro si dhe tatimit mbi vlerën e shtuar në shumën prej 148,607.58 euro, çka me këtë e ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën totale prej 173,258.58 euro” – thuhet në aktakuzë.

Tenderi i kontraktuar me kompaninë me bazë në Berlin “Veridos GMBH” kap shifrën e 4 milionë e 21 mijë e 164 eurove.

Kjo kompani është kontraktuar me procedurë të negociuar dhe do të bënte furnizimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme me dokumente blanko, pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga kjo kompani për këto rrethana mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë sqarime konkrete.

“Ju lutemi kuptoni se ne përgjithësisht nuk jemi në gjendje të komentojmë mbi çështjet ligjore në lidhje me marrëdhëniet me klientët. Nëse keni pyetje specifike në lidhje me produktet ose shërbimet tona, ne do të jemi të lumtur t’ju ofrojmë informacion” – janë përgjigjur nga kompania “Veridos GMBH”.

Dogana e Kosovës më 23 shkurt të vitit 2021 kishte dërguar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës në lidhje me veprimet që dyshohet se i kanë kryer dy të pandehurit si dhe kompania gjermane.

Pjesë e dosjes së prokurorit Kodraliu është edhe kontrata që kishte lidhur MPB me kompaninë “Veridos GMBH” të vitit 2016.

Prokurori Kodraliu në atë kohë kishte urdhëruar edhe konfiskimin e 25 mijë pasaportave të cilat kompania gjermane kishte tentuar t’i shmangte nga tatimi doganor.

“Propozoj gjykatës që të konfiskojë mallin e sekuestruar 25 mijë copë pasaporta që janë fshehur dhe nuk janë raportuar për zhdoganim Doganës së Kosovës e të cilat pasaporta me urdhrin e gjykatës më 11 maj 2022 tashmë i janë dhënë në shfrytëzim MPB-së për nevoja zyrtare”- thuhet në aktakuzën që e ka siguruar KALLXO.com.

I pandehuri V.Uj, në dëshminë e tij kishte thënë se rasti ishte gabim teknik ndërsa përfaqësuesi drejtori i filialit të kompanisë gjermane për Kosovë, R.W., nuk kishte përgjigje të saktë se pse kishte ndodhur rasti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button