100 mijë maqedonas marrin pasaportë bullgare

Pasaporta bullgare është një mundësi por jo edhe garanci për të punuar në BE. Maqedonasit me pasaportë bullgare, nga janari mund të kërkojnë punë në të gjitha vendet e BE-së. Nga një janari 2014 të gjithë qytetarët e Maqedonisë që kanë pasaportë bullgare, mund të punësohen në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian, shkruan Koha.net

Me fillimin e vitit të ri shfuqizohet Marrëveshja e përkohshme mes Brukselit dhe Sofjes, e nënshkruar më 2007, e cila i kufizon qytetarët bullgarë në tregun e punës.

Kjo do të thotë se çdo qytetar i Maqedonisë, i cili ka shtetësi bullgare, mund të aplikojë për punë në Gjermani, Angli, Francë dhe vende të tjera të BE-së.

Siç raporton DW në rrjetet sociale në Maqedoni kërkohen këshilla se si mund të arrihet të merret sa më shpejt një pasaportë bullgare apo rumune, me qëllim që ata të dalin nga vendi dhe të punësohen në BE.

Sa shtetas të Maqedonisë kanë pasaporta bullgare nuk dihet, sepse nuk ka të dhëna të sakta.

Në opinion spekulohet me shifrat prej 50.000 deri në më shumë se 100.000. Shumica prej tyre këtë nënshtetësi e kanë marrë pas pranimit të Bullgarisë në BE, por ka dhe shumë persona që kanë aplikuar për këtë dokument.

Lajme të ngjashme

Back to top button