Zaev nga Sllovenia: Hapat e Radevit në emër të Bullgarisë janë fyerje për qytetarët maqedonas

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, gjatë Samitit të djeshëm për Ballkanin Perëndimor në Bërdo, Slloveni, tha se vendi ka edhe një konfirmim tjetër të fortë se vetëm një shtet anëtar i BE -së kundërshton integrimin tonë dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Fatkeqësisht dhe për zhgënjimin tim të madh, dhe besoj të të gjithë qytetarët tanë, bllokada vjen nga fqinji ynë Bullgaria”, tha kryeministri i Maqedonisë, përcjellë Portalb.mk.

Zaev theksoi se pavarësisht mesazheve nga presidenti i Francës dhe kancelarja në largim e Gjermanisë, se për të gjetur zgjidhje duhet të shikohet përpara, Radev dhe Bullgaria po ndërmarrin hapa retrograde, duke ofenduar qytetarët maqedonas.

“Mesazhet nga Presidenti Macron dhe Kancelarja Merkel janë të qarta – për zgjidhje duhet të shikohet drejt së ardhmes, jo të gërmojnë në të kaluarën. Por për fat të keq, nuk jam i sigurt se Presidenti Radev e kuptoi atë mesazh. Hapat dhe bllokimet që Radevi po ndërmerr në emër të Bullgarisë janë fyerje për qytetarët maqedonas. Populli maqedonas, me gjithë paqen e tij, nuk mund t’i justifikojë bllokadat. Populli im më kanë dhënë mandat për të krijuar zgjidhje, por nuk më kanë dhënë mandat për të justifikuar politikat e shekullit të kaluar. Deri më tani, nuk ka asnjë shtet anëtar të BE-së që ka ndonjë vërejtje në lidhje me reformat tona”, tha Zaev.

Ai the se familja evropiane duhet t’i vlerësojë reformat që Maqedonia e Veriut po ndërmerr, në të njëjtën kohë me përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe. Sapo të formohet qeveri e re klasike në Bullgari, negociatat do të intensifikohen, tha kryeministri Zaev.

“Përparimi ynë në integrimin në BE duhet të varet kryesisht nga reformat e brendshme që lidhen me arritjen e standardeve evropiane, dhe jo nga çështjet dypalëshe. Prandaj, jemi të përkushtuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe që janë zvarritur në të kaluarën, kurse dëshmi për atë janë edhe Marrëveshja e Prespës edhe Marrëveshja e vitit 2017 me Bullgarinë. Nuk është lajm i ri që për ne është e pranueshme, në frymën e marrëdhënieve fqinjësore të mira evropiane, të intensifikojmë bisedimet me fqinjin tonë Bullgarinë. Ne themi – po, ne mundemi dhe duhet, të dyja palët, menjëherë pas zgjedhjeve në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, ashtu siç na përshtatet ne, me vullnet të sinqertë politik të ndërmarrim hapa vendimtarë për zgjidhjen e çështjeve të hapura”, tha Zaev në një deklaratë për mediat.

Ai theksoi se identiteti maqedonas nuk mund të negociohet.

“Por gjithashtu nuk është lajm i ri, se qëndrimi ynë i qartë dhe me zë të lartë për çështjet e identitetit është se identiteti maqedonas nuk mund të jetë temë diskutimi”, tha Zaev.

Përkrah takimeve të tjera, dje Zaev bisedoi edhe me nënkryetarin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë të Unionit për Punë të Jashtme dhe Politikat e Sigurisë Joseph Borrell. Në takim, kryeministri maqedonas tha se bllokada e fillimit të bisedimeve të pranimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në të gjithë rajonin vlerësohet si pengesë serioze dhe goditje e besimit në BE, njoftoi Qeveria e RMV-së.

Kujtojmë se, Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.

Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button