BE dhe Ballkani Perëndimor: Samite gjithnjë e më të shpeshta – perspektiva gjithnjë e më e zbehtë

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Deklarata e Bërdos – Drejt Realitetit?

Malinka Ristevska Jordanova

Ngjarjet e BE -së kushtuar Ballkanit Perëndimor këtë muaj vijojnë: vizita e Presidentes së Komisionit Evropian fon der Lajen në rajon, Samiti i Kryetarëve të Shteteve/Qeverive të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bërdo, Slloveni dhe në fund të muajit pritet shpallja e raportit të rregullt vjetor të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Vizita e fon der Lajen në rajon aq sa kishte të bënte me bindjen e udhëheqësve dhe qytetarëve në perspektivën evropiane, aq kishte të bënte edhe me mbajtjen e agjendës së zgjerimit midis shteteve anëtare të BE-së, në rrethana kur në media veç më u shfaqën raportime për ngurrim të disa prej shteteve anëtare për të garantuar perspektivën e anëtarësimit për vendet e rajonit tonë në BE.

Pas mospërputhjes së qartë midis pikëpamjeve të ndryshme mbi zgjerimin, rezultati i Samitit – Deklarata e Bërdos nga 6 Tetori 2021 e ruan përcaktimin kryesor të Deklaratës së mëparshme (Zagreb 2020) – që BE e riafirmon “mbështetjen unanime për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, duke e vënë në plan të parë interesin dhe angazhimin e përbashkët strategjik. Megjithatë, shtesat dhe riformulimet janë tregues i kontekstit dhe pikëpamjeve aktuale të shteteve anëtare. Mbështetja për procesin e zgjerimit është kushtëzuar nga vendet e rajonit në fushat e demokracisë, të drejtave themelore dhe sundimit të ligjit. Për herë të parë, mesazhi “së pari thellim, pastaj zgjerim” është shtuar në mënyrë të nënkuptuar. Përveç kësaj, vitet e fundit po promovohet edhe një frazë e re “angazhim i shtuar në rajon”, e cila gjeti vend në Deklaratën e Bërdos. Prej më parë është theksuar bashkëpunimi politik dhe i sigurisë – sigurisht i vendosur në një kontekst strategjik, në kuadër të së cilës vendosen edhe çështjet e bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe menaxhimin e migrimit.

Në dokumentet e tilla nuk ka më vend për formulime të tilla si “aderimi” ose “anëtarësimi”, të cilat ishin të pranishme qysh para dy dekadash në Deklaratën e Selanikut 2003.

Përndryshe, le të përmendim se samitet në këtë format janë bërë më të shpeshta që nga presidenca bullgare e tutje – Sofje 2018, Zagreb 2020, Brdo 2021. Samitet e mëparshme ishin ato shumë herët në vitin 2000- Zagreb dhe në vitin 2003 nga Selaniku. Duket se përmes samiteve në presidencat e tyre, fqinjët duan të promovojnë veten si mbështetës të rajonit, duke mësuar nga paraardhësit e tyre, por me rezultate diskutueshme.

Negociatat – madje edhe ato aktuale – nuk përmenden fare në dokument. Për dallim nga mesazhi i Presidentes fon der Lajen drejtuar Maqedonisë dhe Shqipërisë “ju e bëtë pjesën tuaj, tani është radha e BE -së” dhe se qëllimi i saj është të zhbllokojë fillimin e negociatave deri në dhjetor, nga Samiti i Brdos nuk ka premtime të tilla. Në vend të kësaj, angazhimi i vitit të kaluar për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë me Bullgarinë përsëritet plotësisht. Nga ana tjetër, takimet e mbajtura në nivelin më të lartë me presidentin e Bullgarisë Radev dhe kryeministrin e Maqedonisë Zaev, për fat të keq, nuk dërgojnë mesazhe optimiste.

Në këtë Samit, BE e theksoi mbështetjen që i jep rajonit nëpërmjet Planit ekonomik dhe investimeve për Ballkanin Perëndimor, i cili vendoset në plan të parë të bashkëpunimit rajonal. Sa i përket 30 miliardë eurove të përmendura shpesh për Ballkanin Perëndimor – le të sqarojmë se nuk bëhet fjalë për fonde të reja, por për rreth 30 miliardë euro që duhen “mobilizuar”. Fondet nga Instrumenti i BE-së për Asistencën e Para-Anëtarësimit (IPA) për periudhën 2021-2027 janë 9 miliardë euro për rajonin (nga gjithsej 14.2 miliardë-pjesa tjetër është për Turqinë).

Sigurisht, Deklarata nuk e anashkaloi çështjen e luftës kundër pandemisë KOVID -19 – kryesisht si afirmim i mbështetjes së BE -së deri më tani dhe vazhdimit të saj.

Me Deklaratën e Bërdos, udhëheqësit e BE u zotuan se samitin BE-Ballkan Perëndimor do ta bëjnë praktikë të rregullt vjetore. Me siguri do të shohim vitin e ardhshëm në çfarë mase ky format shtesë do të kontribuojë për një agjendë më të gjallë të zgjerimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button