Hulumtim: 80% e maqedonasve janë kundër futjes së bullgarëve në Kushtetutë

Thuajse dy të tretat e qytetarëve të anketuar nuk pajtohen që të futen bullgarët në Kushtetutë, që është e domosdoshme për vazhdimin e procesit negociues me Bashkimin Evropian, 26% vlerësojnë se duhet të bëhen ndryshime kushtetuese. Kështu tregon analiza e mendimit publik të IDSCS dhe Institutit Kondrad Adenauer “Evropa në krizë. Pasojat ndaj mendimit publik në Maqedoninë e Veriut”, transmeton Portalb.mk.

Nëse shihen pyetjet sipas përkatësisë etnike, fitohen fotografi më e qartë për grupin që e përbën shumicën që janë përgjigjur me “jo”.

Prej maqedonasve vetëm 15% vlerësojnë se duhet të futen bullgarët në Kushtetutë, ndërkaq 80% janë kundër. Nga ana tjetër 53% e shqiptarëve vlerësojnë se duhet të bëhen ndryshime kushtetuese, ndërkaq 32% janë përgjigjur me jo “jo”.

Kundër ndryshimeve kushtetuese janë votuesit e VMRO-DPMNE-së, Levicës, por edhe 59% e atyre që kanë votuar për LSDM-në.

BE donatori më madh, SHBA me më shumë ndikim

49% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se BE duhet të jetë partneri kryesor ekonomik, 21% kanë deklaruar për SHBA-në, 14 për Turqinë, 12 për Rusinë dhe 11% për Kinën.

46% e qytetarëve e shohin BE-në si donatorin më të lartë (jep para për zhvillim) në vend, 17% e shohin SHBA-në nga 5% Turqinë dhe Gjermaninë, ndërkaq 2% Kinën dhe vetëm 1% Rusinë.

Nga ana  tjetër, 52% e qytetarëve të anketuar kanë vlerësuar se SHBA është shteti i jashtëm me më shumë ndikim në vendin tonë, pas saj BE-na me 21%, ndërkaq më pas Rusia dhe Bullgaria me vetëm 4%.

Rënie e mbështetësve të Unionit Euroaziatik të udhëhequr nga Rusia

Analiza e mendimit publik i përfshin edhe qëndrimet e qytetarëve rreth mbështetjes për Unionit Euroaziatik të udhëhequr nga Rusia si alternativë e BE-së. Numri i cili është kundër këtij Unioni në tre vitet e fundit është i njëjtë (53%). Numri i atyre që do të mbështesin alternativë të tillë në vitin 2022 ka qenë 32%, ndërkaq ka pësuar rënie për 3% në krahasim me vitin 2021.

Shikuar nga aspekti etnik, 41% e maqedonasve do ta mbështesnin alternativën e Unionit Eroaziatik të udhëhequr nga Rusia, ndërkaq 45% janë kundër. 71% e shqiptarëve janë kundër këtij unionit, ndërkaq 12% janë “për”.

Analiza e mendimit publik është bërë nëpërmjet anketës telefonike nga 17 deri më 30 nëntor të vitit 2022 nëpërmjet ekzemplarit nacional reprezentativ nga 1.005 të anketuar.

Ndryshe, Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, vitin e kaluar hoqi veton ndaj Shkupit për t’i hapur rrugë bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, bisedimet mund të bllokohen nëse Maqedonia e Veriut nuk bën ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën saj, ashtu siç parashihet me marrëveshjen ndërmjet dy vendeve, bazuar mbi atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase.

Kujtojmë që në janar pati tensione mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për shkak të sulmit të sekretarit të klubit bullgar Car Boris Treti” në Ohër, i cili ka shtetësi të RMV-së por deklarohet si bullgar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button