Milkov: Bullgaria do t’i ndërmarrë të gjitha masat kundër RMV-së për rastin “Pendikov” dhe tashmë po punojmë në të

Bullgaria do të marrë të gjitha masat për rastin “Pendikov” dhe tashmë po punohet për të. Kështu u shpreh në BNT ministri teknik i i Punëve të Jashtme Nikolaj Milkov. Ai tha se kur ndodhi sulmi ndaj Pendikovit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, fillimisht kishte panik dhe autoritetet në nivele të ndryshme pranuan se ishte vepër penale nga urrejtja. Më pas, thotë Milkov, filluan të përhapen skenarë se Pendikov “ishte narkoman dhe tregtar, ndërsa pretendimi më i guximshëm se klubet bullgare janë vende të krimit të organizuar dhe se financohen nga tregtia e drogës”, transmeton Portalb.mk.

“Kjo është një narrativë që nuk mund ta pranojmë dhe do të marrim të gjitha masat”, tha Milkov.

Në intervistë, ai tha se tashmë ka informuar ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së në Këshillin e Punëve të Jashtme në Bruksel.

“Një memorandum me shkrim për këto çështje u është dorëzuar të gjitha shteteve anëtare. Në vendin tonë duhet të mbahet takim me të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare. Do të përdoren mekanizma të tjerë, përfshirë mekanizmin e OSBE-së, i cili akoma ka një mision vëzhgimi në Shkup. I kemi mjetet e Këshillit të Evropës”, ​​precizon Milkov.

Ministri bullgar i Punëve të Jashtme tha gjithashtu se për shënimin e lindjes së Goce Dellçevit më 4 shkurt, të dyja vendet dhe kryesisht institucionet në RMV duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbahen nga çdo provokim për të siguruar rendin e nevojshëm.

“Sa i përket kundërsulmit ndaj Angel Xhambaskit dhe politikanëve të tjerë tanë, mendoj se ky është pjesë e një narrative të re maqedonase, fillimisht për të minimizuar sulmin ndaj një bullgari, e më pas ndaj sulmeve sistematike ndaj klubeve dhe komuniteteve bullgare atje, që po përshkallëzohen. Filloi me miratimin e një ligji represiv atje, vazhdoi me zjarrvënie për të cilën u dënua me kusht, pas çka pasuan të shtëna dhe tani sulm fizik ndaj një personi që është pjesëtar i komunitetit bullgar”, tha Milkov.

Milkov kujtoi se fokusi i propozimit francez është respektimi i të drejtave të komunitetit bullgar në RMV.

Ai tha se negociatat e RMV-së me Bashkimin Evropian nuk mund të vihet në veto, pasi siç tha ai, as që kanë filluar.

“Unë nuk jam përkrahës i vetos, por Bullgaria ka gjithmonë të drejtën e votës,” shtoi ai.

Ai nuk ka dashur të komentojë deklaratat e presidentit maqedonas Stevo Pendarovski, por vetëm tha:

“Si doktor shkencash në histori, mund të them se nëse ka viktima në njërën anë – përmenden 12 persona, do të përmendja mijëra të vrarë, 300 mijë të dëbuar mes dy luftërave. Mesiguri duhet të ketë dëgjuar për Goli Otok, ku qindra bullgarë u internuan dhe vdiqën pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm pse kanë identitet bullgar. Ata nuk kanë asnjë ide për historinë e tyre, sepse nuk i kanë hapur ende arkivat e shërbimeve sekrete, ne mund t’i ndihmojmë për këtë nëse duan.”

Ai konsideron se Komisioni i përbashkët historik është në një qorr-sokak i përhershëm, por duhet bërë të gjitha përpjekjet për të arritur progres sepse e parashikojnë detyrimet ndërkombëtare.

Milkov dje njoftoi se Bullgaria do të ndërpresë të gjitha projektet e përbashkëta ndërshtetërore me Republikën e Maqedonisë së Veriut për shkak të rrahjes së Hristijan Pendikov. Ai theksoi se ndërprerja e projekteve të përbashkëta do të jetë pjesë e reagimit bullgar për rastin Pendikov.

Ndryshe, pas rekomandimit të presidentit të Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski për ndalimin e hyrjes në vend të një eurodeputeti bullgar dhe disa personave të tjerë, kanë ardhur edhe reagimet e partia të disa funksionarëve nga Bullgaria. Presidenti i Bullgarisë dje ka komentuar deklaratat e Pendarovskit duke shtuar se për këtë do të aktivizohen të gjithë mekanizmat evropianë për t’i dhënë fund, siç thotë urrejtjes dhe histerisë antibullgare.

Presidenti i vendit Stevo Pendarovski të hënën në një konferencë për media pas seancës së Këshillit të Sigurimit informoi se sipas të gjitha vlerësimeve dhe analizave të shërbimeve kompetente të sigurisë, përkujtimi i lindjes së Goce Dellçevit më 4 shkurt do të jetë një ngjarje me rrezik të lartë të sigurisë, sepse strukturat e organizuara në Bullgari, të cilat po bëjnë fushata antishtetërore ndaj Maqedonia e Veriut po mobilizon më shumë njerëz për të ardhur në Shkup

Qeveria pas seancës së djeshme njoftoi se ka arritur në konkluzione lidhur me shënimin  e ditëlindjes së Goce Dellçevit, 4 shkurt, dhe ka ngarkuar MPB-në që të marrë të gjitha masat për sigurimin e ngjarjes, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Sigurimit.

Megjithatë, në pjesën rreth propozimit të Pendarovskit që eurodeputeti dhe disa qytetarë të tjerë bullgarë të shpallen persona non grata, Qeveria nuk është deklaruar në seancën e djeshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button